PERKTHIME

Tė ēosh autorin tek lexuesi, tė sjellėsh lexuesin tek autori.

NE VEND TE PERSHENDETJES

 

 

Shpesh kam kryer udhëtime të mrekullueshme, hipur mbi një fjalë në thellësitë e së kaluarës, njëlloj si ai insekti që lundron në rrjedhën e lumit mbi një fije bari.

Honoré de Balzac

 

 

Kjo faqe është një faqe letrare e kushtuar tërësisht (ose pothuaj) ndaj përkthimit. I rritur në një mjedis libërdashës, unë nuk mundesha tjetër përveçse t’i jepja udhë pasionit të kahershëm : dashurisë për librin dhe dijen. Nga vetë rrethanat e jetës sime, përkthimi ka ardhur si diçka krejt e natyrshme. Por ç’është përkthimi ? Ç’është të përkthesh ?

Të përkthesh do të thotë të kalosh nga një gjuhë në tjetrën. Po, por ç’nënkupton këtu fjala "gjuhë" ? Një gjuhë të cilën e flasim për t’u kuptuar ? Jo, kjo është diçka më e thellë. Me "gjuhë" do të nënkuptojmë historinë, frymën, shpirtin e një populli, të gjitha këto të shprehura përmes gjuhës siç e kuptojmë rëndom. Me fjalë të tjera, përkthyesi synon të mbivendosë në mendjen e lexuesit një mendje tjetër të ardhur nga jashtë. Po ta zgjerojmë dhe pak arsyetimin tonë, përkthyesi synon përqasjen e dy botëkuptimeve : të autorit dhe të lexuesit.

Përkthyesi është një ndërmjetës, një shkues. Ai përpiqet të bëjë të mundur lidhjen e miqësive të reja, miqësi të cilat mund të zbulohen të pavdekshme dhe të përjetshme. Nga kjo miqësi e lidhur midis lexuesit dhe autorit të huaj, ndërmjetësuar nga përkthyesi, mund të lindin prirje dhe pasione nga më të fuqishmet.

Po ku takohen ata ? Ku do t’i ketë thirrur përkthyesi ? Tek lexuesi ? Tek autori ? As tek njëri as tek tjetri ? Këtu gjithçka varet nga përkthyesi. Ka përkthyes që takimin e lënë tek lexuesi, domethënë e ftojnë autorin, madje e detyrojnë atë që t’i lerë mënjanë veçoritë e tij dhe të paraqiten tek lexuesi si bashkatdhetarë të tij. Ka përkthyes të tjerë që këtë takim e lënë tek autori, domethënë e ftojnë lexuesin që të dalë jashtë shtëpisë së vet, jashtë gjuhës së tij amtare, dhe të shkojë tek autori i cili pret aty me tërë huajësinë e tij.

Por ka dhe një grup të tretë përkthyesish, ku pretendoj të jem dhe unë, që takimin e lënë mbi një urë e cila të jetë po aq e barazlarguar nga shtëpia (domethënë gjuha) e lexuesit dhe e autorit. E thënë më shkoqur, këta përkthyes nuk ia humbasin veçorinë as autorit, por as e dhunojnë lexuesin që të harrojë shtëpinë e tij të vet.

Dhe këtu dalim tek thënia e njohur : traduttore traditore (përkthyesi është tradhtar). Po, përkthyesi është një tradhtar, madje i dyfishtë. Në të njëjtën kohë që ai është shërbëtor i dy zotërinjve (siç thoshte Franz Rosenzweig), ai i tradhton njëherësh të dy. Kjo tradhti është në mungesë të më së mirës. Dhe ky copëtim më dysh i përkthyesit mund të shprehet fare mirë me dy thënie, njëra e Ernest Renan dhe tjetra e Bernard Catry :

 

"Një vepër e papërkthyer është një vepër e botuar përgjysmë."

 

"Sigurisht, Sartre në anglisht nuk është më Sartre."

 

 

 

***

 

Ky website është menduar të sjellë një ndihmesë sado të vogël në fushën e përkthimit. Këtu do të gjeni mjaft autorë të huaj, europianë, amerikanë, aziatikë, etj. Tekstet që do të vihen në linjë janë të përkthyera, QE TE GJITHA, nga mbajtësi i kësaj faqe, Urim Nerguti.

 

Një pjesë e mirë e faqeve mund të shihen vetëm pas një regjistrimi paraprak. Por ky regjistrim do të miratohet vetëm pas një emaili që ju mund ta dërgoni duke klikuar mbi Për të më shkruar (shikoni linkun blu pak më poshtë). Në këtë email, ju mund të shënoni ca gjëra të vogla mbi veten tuaj (sa për të krijuar një ide).

 

Sigurisht, të gjithë ata që dëshirojnë të shkëpusin tekste (të plota ose fragmente) për t’i vënë në ndonjë faqe tjetër interneti, apo për t’i botuar në ndonjë revistë apo gazetë, duhet të marrin leje nëpërmjet një emaili që mund ta dërgojnë duke klikuar këtu Për të më shkruar.

 

Gjithashtu, në këtë faqe, botuesit shqiptarë mund të gjejnë një LISTE të titujve tashmë të përkthyer nga unë dhe që mund t'iu shërbenin për ndonjë botim të mundshëm. 

 

Shpresoj se kjo faqe do të bëhet shumë shpejt një faqe e dashur për të gjithë lexuesit e dashuruar pas librit.

 

U. Nerguti

korrik 2008