PERKTHIME

Tė ēosh autorin tek lexuesi, tė sjellėsh lexuesin tek autori.

Jean ANOUILH (1910-1987)

 

 

Jean Anouilh, lindur më 1910 në Bordeaux, është një shkrimtar francez dhe dramaturg, që si pjesë më të njohur ka Antigonën, një rilexim modern i tragjedisë së Sofokliut.

 

I ati ishte rrobaqepës, e ëma muzikante dhe profesore pianoje. Pasi mbaron gjimnazin, ai fillon studimet për Drejtësi, në Paris, por pas 18 muajsh heq dorë. Fillon të mbajë lidhje me dramaturgë të dëgjuar si Giraudoux dhe Cocteau.

Pjesa e tij e parë është Humulus memeci, një dështim. Por më 1932 ai shkruan pjesën e parë të vërtetë : L’Hermine. Atëherë ai vendos të jetojë me shkrimet e tij. Fillon të vendosë në skenë pjesë të ndryshme teatri, dhe lidhet me André Barsacq. Gjatë Pushtimit, ai nuk mban asnjërën anë dhe boton shkrime jo politike në organin kolaboracionist Je suis partout dhe në Aujourd’hui, çka kjo do t’i qortohet më vonë. Por mund të themi gjithashtu që ai ka botuar dhe në revistën antihitleriane Marianne dhe sidomos ka strehuar më 1942 të shoqen e André Barsacq, Mila, gjatë përndjekjeve antisemite.

Pjesa e tij më e njohur është Antigona, shkruar më 1942. Publiku nuk e pret mirë, asnjë duartrokitje. Mirëpo kritika arrin të shohë në personazhin tragjik të Antigonës një aluzion ndaj figurave të Rezistencës.

Pas Çlirimit, Anouilh do të ngrihet kundër spastrimeve. Duke u munduar të shpëtojë kokën e Robert Brasillach (shkrimtar kolaborator, pushkatuar më 1945), ai shkruan : « E pohoj që kam njëfarë dhembshurie për të mundurit dhe neveri për teprimet e spastrimit ».

Në universin e Anouilh ka dy lloj raca njerëzish që ndeshen : njerëzit e për çdo ditës, dhe heronjtë.

Raca e "njerëzve të për çdo ditës", ku janë më të shumtët, përmban dy kategori të shquara nga njëra-tjetra : në fillim janë egoistët, mendjengushtët, vulgarët, dinakët dhe të ligjtë, të kënaqur nga vetja e tyre dhe nga jeta. Këta janë, në shumicën e rasteve, etërit dhe nënat e heronjve. Pastaj është grupi i njerëzve të denjë dhe të zgjuar, por të paaftë për dëshira të mëdha, njerëz të bërë për një jetë të qetë, pa ndërlikime.

Raca e "heronjve", shumica të rinj, iu kundërvihet dy grupeve më lart, duke e hedhur poshtë lumturinë e përbashkët ku këta të fundit notojnë. Por edhe heronjtë ndahen në dy grupe : ata që kanë një të kaluar të ngarkuar së cilës kërkojnë t’i largohen, dhe ata për të cilët e kaluara është bota e pastër e fëmijërisë që ata mundohen ta ruajnë të paprekur. Heronjtë e Anouilh janë të paaftë të çlirohen nga e kaluara. Ata janë të mallkuar, janë robër të kësaj të kaluare. Vetëm vdekja është rrugëdalja e tyre.

Jean Anouilh ka vdekur në Lausanne të Zvicrës më 1987.

 

Këtu më poshtë do të gjeni një copëz nga pjesa e tij "Antigona", si dhe një fabulë ku theksohet mizoria e kësaj bote e cila nuk i bën përshtypje askujt, madje as shtypit dhe emisioneve të TV (Lazareff).

 

 

 

 

 

 

ANTIGONE

Ju jeni një njeri i urryer !

 

CRÉON

Po, vogëlushja ime. Është zanati që e do këtë. Ajo çka mund të diskutohet është nëse duhet bërë kjo apo jo. Por nëse e bëjmë, duhet bërë kështu.

 

ANTIGONE

E përse e bëni ju këtë ?

 

CRÉON

Një mëngjes, jam zgjuar mbret i Tebës. Dhe një zot e di nëse kam dashur ndonjëherë të jem i fuqishëm…

 

ANTIGONE

Por atëherë duhej thënë jo !

 

CRÉON

Mundesha. Vetëm se befas jam ndjerë si një punëtor që nuk pranon një punë. Nuk më është dukur e ndershme. Kam thënë po.

 

ANTIGONE

E po mirë t’ju bëhet pra ! Kurse unë nuk kam thënë « po ». E ç’kujtoni ju se më hyn fort në punë politika juaj, nevoja juaj, historitë tuaja të gjora ? Unë mund t’i them ende « jo » gjithçkaje që nuk më pëlqen dhe jam ende i vetmi gjykatës. Kurse ju, me kurorën tuaj, me rojet tuaja, me gjithçka që ju vjen prapa, ju nuk mundeni tjetër veçse të më bëni të vdes sepse keni thënë « po ».

 

CRÉON

Dëgjomë mua.

 

ANTIGONE

Po të dua unë, mund të mos ju dëgjoj fare. Ju keni thënë « po ». Nuk kam më ç’të mësoj nga ju. Kurse juve po. Ju jeni aty për të pirë fjalët e mia. Dhe nëse nuk i thërrisni rojet tuaja, kjo është që të më dëgjosh deri në fund.

 

CRÉON

Ti më kënaq mua !

 

ANTIGONE

Jo. Unë ju ngjall frikë. Kjo është arsyeja që ju përpiqeni të më shpëtoni. Do të ishte sidoqoftë më pa kokëçarje të ruash një Antigonë të vogël të gjallë dhe të heshtur në këtë pallat. Ju jeni tepër i ndjeshëm për të qenë një tiran i fortë, ja kaq. Por megjithatë ju do të bëni që të vdes pas pak, ju e dini këtë, dhe kjo është arsyeja që ju keni frikë. Gjë e shëmtuar një burrë që ka frikë.

 

CRÉON, mbyturazi.

Eh mirë, po, kam frikë se do të jem i detyruar nëse ti ngul këmbë. Dhe nuk do të doja kështu.

 

ANTIGONE

Kurse unë nuk jam e detyruar të bëj çka nuk do të doja ! Mos vallë dhe refuzimi i një varri për vëllain tim ka qenë diçka që nuk e dëshiroje ? Thuajeni pra, që nuk do të kishe dashur kështu ?

 

CRÉON

Ta kam thënë.

 

ANTIGONE

E megjithatë, ju e keni bërë. Dhe tani do të bëni që të më vrasin pa dëshirën tuaj. Kjo është të jesh mbret !

 

CRÉON

Po, kjo është !

 

ANTIGONE

I gjori Créon ! Me thonjtë e mi të çarë dhe të mbushur me dhe, me krahët e mi të nxirë nga rojet tuaja, me frikën time që më përdredh barkun, unë jam mbretëreshë.

 

CRÉON

Atëherë, ki mëshirë për mua, jeto. Kufoma e vëllait tënd që prishet nën dritaret e mia, kemi paguar mjaft që rendi të sundojë përsëri në Tebë. Im bir të do. Mos më detyro të paguaj përsëri me ty. Kam paguar mjaft tashmë.

 

ANTIGONE

Jo. Ju keni thënë « po ». Ju nuk do të ndaleni kurrë tani duke paguar !

 

CRÉON, e shkund befas, si i çmendur.

Oh Zot ! Përpiqu të kuptosh një minutë, ti budallaqe e vogël ! Sepse unë jam përpjekur të të kuptoj mirë. Duhet të ketë megjithatë një që të thotë po. Duhet të ketë një që ta drejtojë anijen. Uji të hyn nga të gjitha anët, krime, marrëzira, skamje… Dhe direku është aty që lëkundet. Ekuipazhi nuk dëshiron më të bëjë asgjë, nuk mendon gjë tjetër veçse të plaçkisë ngarkesën dhe kapitenët janë tashmë duke ndërtuar një lundër të vogël të rehatshme, vetëm për veten e tyre, me tërë sasinë e ujit të pijshëm që iu duhet të ikin që andej. Dhe direku kërcet, era vërshëllen, velat grisen, dhe të gjithë ata harbutër do të ngordhin aty bashkë, sepse nuk mendojnë gjë tjetër veçse lëkurën e tyre, lëkurën e tyre të çmuar dhe punët e tyre të vogla. A mendon ti atëherë që ne kemi kohë të hiqemi si të rafinuar, që të dimë nëse duhet thënë « po » apo « jo », që të pyesim e stërpyesim nëse nuk do të duhet të paguajmë tepër shtrenjtë një ditë dhe nëse do të mundemi të jemi ende një njeri më pas ? Kapim copën e drurit, e drejtojmë përballë malit të ujit, bërtasim një urdhër dhe qëllojmë në grumbull, mbi të parin që bën përpara. Në grumbull ! Nuk ka emër kjo. Eshtë njëlloj si vala që vjen të shembet mbi urën përballë jush ;  si era që ju fshikullon, edhe gjëja që bie në grup nuk ka emër. Ndoshta ishte ai që një mbrëmje më parë ju ka dhënë zjarr duke buzëqeshur. Ai nuk ka më emër. Por as ti, as ti nuk ke më emër, i mbërthyer aty pas hurit. Emër ka vetëm anija dhe shtrëngata. E kupton këtë ?

 

Shkëputur nga "Antigona"

 

 

***

 

 

 

UJKU, ULKONJA DHE KELYSHET E VEGJEL

 

Ujku, ujku i tmerrshëm që iu shti frikën fëmijëve,

Ujku i dobësuar dhe i pashpirt që përgjon,

Vrasës i saktë, të pafajshmin

Dhe e hedh mbi vete të njollosur me gjak,

Kthehet në mbrëmje në shtëpi ku të tijtë e festojnë

Dhe thërret : « Mistrecë të vegjël,

Shpresoj që sot keni ndenjur urtë ?

Kur ujqërit e vegjël janë të ligj

Jezusi qan atje mbi re.

Mos ka mami juaj diçka për t’u ankuar ? »

« Jo, jo, thërrasin ujqërit e vegjël,

Thuaji, mami, thuaji ashtu siç është.

Ne madje dhe jemi lënë të lëpihemi

Pa qarë !

Ç’na ke sjellë, babi, si shpërblim ? »

« Një qingj të bukur krejt të freskët.

Ju e shihni si përpëlitet ende… »

« Sa mirë !

Thërrasin vogëlushët. Babi, na e lë neve t’i japim fund. »

« Janë në shëndet të mirë, të shqyejnë »

Thotë ulkonja, syrin të mallëngjyer.

Dhe çifti, i plotësuar, vështron

Shqyerjen e gëzuar nga vogëlushët e tij të shtrenjtë.

« Nuk kam parë kurrë një ujk më të vështirë, thotë bariu.

Që kullon gjak i tëri, dhjetë plumba në trup

Mbi putrat e tij të thyera ai ngrihej ende drejt.

Ulkonja pranë tij ishte e vrarë tashmë,

Këlyshët gjithashtu. Ai nuk mbronte më tjetër

Veçse kufoma. Dhe në fund megjithatë i kemi dhënë fund.

Dhe e dini ju, kur jam kthyer në shtëpi,

Ç’më ka thënë vajza ime më e vogël ?

Për një fëmijë që është, s’është fort e rëndomtë… »

Roja gjithashtu e do shumë familjen e vet

Një botë të pafajshmësh vritet dhe torturohet.

Kjo mizëri vrasjesh dhe ligësirash,

Nën vështrimin e ftohtë të hënës,

Është ajo çka njeriu quan një natë të pastër

Për Zotin Lazareff, asgjë tjetër për t’u thënë

Në fjalët e para të emisionit së tij.

 

Fabula, 1946.