|
|
VARRI I PUSHKINIT
Bisedë me përkthyesin André Markowicz
Nga vjen pasioni juaj për Pushkinin ?
Rusishtja është gjuha ime amtare, në kuptimin e mirëfilltë – është gjuha që më është dhënë nga nëna. Dhe rusishtja, është së pari Pushkini. Në gjuhën e tij, ka një bukuri pothuaj mrekullore. Por nuk është vetëm bukuria. Nëna ime e ka mësuar përmendsh « Eugjen Onjeginin » gjatë rrethimit të Leningradit, sepse halla e vet ishte duke vdekur përpara syve të saj, dhe se në librin e Pushkinit kishte shumë përshkrime të ngrënash. Dhe leximi i vargjeve mbi mishin dhe djathin roquefort, e ushqente. Ky është Pushkini.
Pushkini është një mit në Rusi. Sipas jush, a ka një figurë të ngjashme në Francë ?
Jo. Po marr dy shembuj. Më 1937, gjatë spastrimeve të mëdha staliniane, është përkujtuar njëqindvjetori i vdekjes së Pushkinit. Pushteti sovjetik e ka përdorur këtë përkujtim për të krijuar një « traditë pushkiniane » dhe për të burgosur apo masakruar gjithçka që nuk bënte pjesë në këtë traditë. Në fillim të shkurtit 1937, kryetari i Lidhjes së shkrimtarëve ka thënë këtë fjali të famshme : « Të mos pranosh Pushkinin, është një fyerje për kombin. » Dhe është plotësisht e vërtetë. Dikush që si gjuhë amtare ka rusishten nuk mund të mos e dojë Pushkinin. Ne, mund të mos e duam Victor Hugo, dhe përsëri të ndihemi francez. Po atë ditë, në amfiteatrin e madh të Sorbonnes në Paris, e tërë mërgata ruse ishte mbledhur për të përkujtuar Pushkinin. Pushkini përkujtohej pra, në atë vit të tmerrshëm 1937, edhe nga stalinianët më të këqinj, edhe nga antistalinianët më të mëdhenj në botë.
Si shpjegohet ky popullaritet i Pushkinit ?
Pushkini bën pjesë në jetën e përditshme. Nëse jeni në kafene, dhe ikni pa paguar ngaqë jeni të pakënaqur nga shërbimi, shërbyesi do t’ju vrapojë nga pas dhe t’ju thotë : « Po këtë kush do ta paguajë, Pushkini vallë ? » Pushkini mund të krahasohet me Shekspirin, ama ky i fundit nuk do t’jua paguajë kafen.
A jeni menduar gjatë para se të thoni : « Mirë, tani mund të matem me Pushkinin » ?
Me dhjetra vite. Ashtu si një muzikant për Bach. Më ka lënë shumë mbresa Rostropovitchi i cili, vetëm në moshën 70 vjeçe ka thënë se tani ndihej i aftë të luante koncertot për violonçel. E kuptoj shumë mirë. Nuk është një problem teknike. Teknika ekziston vetëm nëse është e gjallë në trup, bashkë me zemrën. Përndryshe ska asgjë. Ka mjaft tekste që do të kisha dashur t’i përfshij në « Dielli i Aleksandrit ». Por s’kam mundur. Sepse, përballë këtyre teksteve, jam gjendur i detyruar t’i them vetes : nuk jam aq i mirë për to. Nuk e kam aftësinë shpirtërore të matem me to.
Por a është vërtet Pushkini mbi bashkëkohësit e tij, nga pikëpamja artistike ?
Po. Është si në Angli. Përse vallë Shekspiri është Shekspir dhe John Donne është John Donne ? Nuk dihet. E megjithatë, Donne është shumë i madh. Por ama s’është Shekspir.
A nuk i shtohet këtij miti të Pushkinit dhe fundi i tij tragjik ?
Mandelstami shkruante se jeta duhet ndërtuar si një vepër arti. Dhe këtë e thoshte duke pasur në mendje Pushkinin, i cili e ka bërë. Pastaj duhej gjetur një idiot. Dikush që do të pranonte të bënte duel me të. Sepse asnjë Rus s’do të kishte pranuar të ndeshej me të. Më 1836, Pushkini ishte në një fazë të vështirë, por ai ishte i krishterë dhe vetëvrasja ishte e pamundur për të. Por nga ana tjetër, Pushkini ishte lojtar. Është ngatërruar me shumë vetë, gjë që, në fisnikëri, do të thotë ta kërkosh duelin. Dhe nuk e ka gjetur. Por D’Anthès, i cili do ta vrasë Pushkinin, ishte një idiot. Ska kuptuar asgjë. D’Anthès është zero. Zeroja. Një tip i rëndomtë, një cinik i urryer. Pushkini besonte tek falli. Dhe një cigane i kishte thënë se do të vdiste ose nga një kalë, ose nga një bjond. Kur ka parë D’Anthèsin, ka thënë : « Ky këtu, qenka të dyja bashkë ». Sepse « kalë », në rusisht, do të thotë idiot.
I njihni të gjitha këto tekste ?
Shumicën. Por unë jetoj në Rennes, dhe ka libra që s’mund t’i kem. Për shembull, ka një tekst shumë të bukur të Karamzinit që e kam përfshirë në çastin e fundit, sepse e kam gjetur krejt rastësisht në eBay, në SHBA-ës, dy javë para se të dorëzoja përkthimin.
Për çfarë bëhet fjalë në këtë poezi romantike ruse ?
Është poezia e njeriut përballë Historisë. Është përplasja e parë e artistëve rusë me Terrorin. Ajo çka e dallon romantizmin rus në lidhje me atë francez, është gjithashtu një ekonomi e madhe mjetesh. Romantizmi rus është më pak llafazan. Më pak retorik se poezia e Hugo apo e Lamartine. Dhe është një poezi ku ekziston ky nocioni i bisedës ndërmjet poetëve. Ka letra të Hugo ndaj Lamartine, por kjo mbetet mjaft egocentrike. Ndërsa ndërmjet të gjithë poetëve rusë të asaj kohe, ka një dialog të vërtetë artistik, i cili formon çimentin e kulturës.
Por ky është gjithashtu një brez i thyer. Këta poetë janë burgosur, varur, dëbuar, dhe përfundojnë gjithnjë shumë keq. Edhe Pushkini, ndër të tjerë.
Po, kjo është Rusia. Kjo është dhuna e Rusisë. Çfarë dëmi ! Pushkini vdes 36 vjeç. Lermontovi, 26. Dhe që të dy, në një mënyrë apo tjetër, e kanë kërkuar vdekjen. Gjë që tregon se veçoria e Terrorit sovjetik, nuk është terrori. Është industria. Domethënë, në vitet 20-30, sistemi lejonte të vriteshin më shumë njerëz. Por tradita ishte aty. Terrori është një tipar i shtetit në Rusi. Kur Pjetri i Madh ndërton Shën Petersburgun, ai vret qindra mijëra vetë. Këtë thotë dhe Pushkini. Dhe kur ai iu pret mjekrat fisnikërisë, janë me qindra mijëra fisnikë që zgjedhin më tepër të digjen të gjallë, sesa të heqin mjekrën.
Dhe kjo e bën ende më të bukur poezinë ruse, sepse është gjithmonë në teh ?
Poezia ruse nuk ka vetveten në qendër. Nuk ka grafomani. Kur shkruan dikush, kjo është ngaqë ka vërtet diçka për të thënë. Dhe ai e vë jetën e vet në rrezik. Poezia nuk shërben të thuash : shikoni ç’di të bëj. Poetët shkruajnë vërtet përballë vdekjes. Një vdekje që nuk është metaforike, por e mirëqenë. Poezia ruse është një akt besimi.
Dostojevski juaj pati ngjallur një kundërshtim të fortë nga ana e disave.
Ka pasur ca zëra në fillim, por pastaj njerëzit janë mësuar. Problemi është se ndikimi i Dostojevskit ka qenë tejet i ndjeshëm mbi tërë mendimin francez të fillimshekullit të XX-të. Pra, prekja e Dostojevskit ishte pak a shumë si të prekje Camus. Kurse Pushkini, është ndryshe, këtu askush s’e njeh.
Nuk keni dëshirë të arratiseni nga lëmi rus ?
Po, kam, për shembull kam rënë në dashuri me poezinë kineze. Që madje e kam lexuar gjithmonë, edhe pse nuk flas kinezçe. Përkthej fjalë për fjalë dhe duke u bazuar në përkthimet frëngjisht, anglisht dhe rusisht. Marr tre përkthime të të njëjtit tekst, dhe përfundimi del krejt ndryshe. Vërtet diçka tërheqëse. Pothuaj si poema të miat. Në rastin e Pushkinit, e respektoj deri më një mënyrën me të cilën shkruan. Ndërsa në poezinë kineze, nuk ka ngjashmëri të mundshme. Çdo ideogramë ka disa kuptime. Pra duhet dhënë diçka tjetër.
Çfarë ju ka tërhequr në poezinë kineze që përktheni ?
Një enigmë. Kam kuptuar se në vitet e mëdha të poezisë klasike kur shkruanin Li Po dhe Wang Weinrowski, ka pasur një luftë civile. Kina, nga 60 milionë banorë që kishte më 750, kalon në 16 milionë më 764. Mbase asokohe statistikat nuk ishin aq të besueshme, por vlerësohet se ka pasur të paktën 20 milionë të vdekur. Për shkak të urisë, sëmundjeve, terrorit. Të flasësh për poezinë Tang, që ka një pamje aq delikate, është pra si të flasësh për shekullin e XX-të.
Ju përktheni gjatë gjithë kohës ?
Jo, të paktën jo natën. Ditët e mia ndahen kështu : në mëngjes, përkthej prozë në kompjuter. Shkoj në kafene nga ora dhjetë e gjysmë. Dhe aty përkthej me laps, vetëm poezi. I tërë « Dielli i Aleksandrit » është përkthyer vetëm me laps.
A shkoni shpesh në Rusi ?
Jo. E urrej këtë vend.
E urreni ? Duket e pabesueshme.
Rusia është një vend i vrazhdë, thellësisht nacionalist. Dhe pabarazitë e sotme janë thelluar shumë. Diçka vërtet e pështirë. Arsyeja tjetër është se s’më pëlqen të udhëtoj. Françoise Morvan [bashkëshortja, edhe kjo përkthyese] dhe unë e kemi këtë fat, që s’kemi marrë asnjëherë pushime. Lodhemi kur s’punojmë. Për shembull, kur udhëtojmë. Pra lëvizim sa më pak e mundur.
© Didier Jacob, gazetar në Nouvel Obs.
© Nerguti, 2011, për këtë përkthim.
Categories: None
The words you entered did not match the given text. Please try again.
Oops!
Oops, you forgot something.