Por ne duhet të pranojmë gjithashtu se letërsia, të paktën deri tani, përbën jo vetëm një përvojë të mirëfilltë, por dhe një përvojë themelore, duke vënë gjithçka në shkak, përfshirë dhe vetveten, përfshirë dhe dialektikën (…) arti është kundërshtim i pafund.
Maurice Blanchot
Maurice Blanchot, lindur më 1907 në Saône-et-Loire, është një romancier, kritik dhe filozof francez. « Jeta e tij është tërësisht e kushtuar ndaj letërsisë dhe ndaj heshtjes që është e vetja. »
Lindur në një mjedis pa probleme financiare. Ndjek studimet në Strasbourg (gjermanisht dhe filozofi) deri më 1925. Frekuenton Aksionin francez dhe shëtit me një shkop me kokë të argjendtë. Është në Strasbourg që takon Emmanuel Levinas : « tejet i larguar nga unë politikisht, ai ishte asokohe monarkist ». Blanchot do të thotë : « […] Emmanuel Levinas, i vetmi mik – ah, mik i largët – që i flas dhe më flet në njëjës ; kjo ka ndodhur jo ngaqë ne ishim të rinj, por nga një vendim i qëllimshëm, një pakt që shpresoj të mos e shkel kurrë. » Më 1928, përfundon leximin e Qenie dhe Kohë të Martin Heidegger : « Falë Emmanuel Levinas, pa të cilin, qysh më 1927 apo 1928, nuk do të kisha mundur të filloj të kuptoj Sein und Zeit, ky libër shkaktoi një tronditje të vërtetë intelektuale në mua. Një ngjarje e dorës së parë ishte përftuar : e pamundur ta zbus, madje dhe sot, në kujtesën time. » Më 1929, në Paris, kalon Certifikatën e studimeve të larta, pastaj diplomohet në Sorbonne më 1930, duke kryer një punim mbi konceptimin e dogmatizmit tek skeptikët. Atëherë ndjek studime për mjekësi në Spitalin Sainte-Anne, me një specializim në neurologji dhe psikiatri.
Nisur nga viti 1931, bashkëpunon me disa gazeta dhe revista të ekstremit të djathtë : boton tekstin e tij të parë më 1931 në Revue française : « François Mauriac dhe ata që kishin humbur ». Më 1932, fillon shkrimin e Thomas i Errëti, përfunduar më 1940 : Jean Paulhan e pret tek Gallimard. Gjatë Pushtimit, nisur nga maji 1940, Blanchot e braktis gazetarinë politike, por sidoqoftë, që nga prilli 1941 e deri në ditët e fundit të saj (1944), Blanchot do të sigurojë Jounal des Débats, gjithnjë e më vishiste, ultra-mareshaliste, me një kronikë të rregullt letrare. Në nëntor, Blanchot shpëton Paul Levy nga internimi, pastaj do të gjejë një strehë të sigurtë për të shoqen dhe të bijën e Emmanuel Levinas. Do të marrë pjesë në një rrjet ndihme për klandestinët e rajonit të tij të vendlindjes. Në fund të 1940, takon Georges Bataille, si dhe të shoqen e saj Denise Rollin (e cila do të ketë ndoshta një aventurë me Blanchot). Më 1942, pason romani i dytë, Aminadab. Bëhet anëtar i Jurisë së Çmimit të Plejadës.
Më 1944, Blanchot qëndron në Quain ku do të jetojë një nga ngjarjet më dramatike të jetës së tij, të rrëfyer pesëdhjetë vjet më pas në Çasti i vdekjes sime : desh pushkatohet nga ushtarët gjermanë. Që nga ajo ditë, vdekja, si tashmë e kaluar dhe që duhet të rikthehet përsëri, nuk e braktis më.
Pas Luftës, Blanchot bëhet një anëtar i shquar i skenës letrare franceze. Më 1945, është anëtar i jurisë së Çmimit të Kritikëve, pastaj bashkëpunon që nga 1946 me revista të rëndësishme : Arche, numrat e parë të Temps Modernes, revistën e re Critique ku takon Jean Piel. Në fund të 1946, vendos ta braktisë Parisin dhe shpërngulet në Alpes-Maritimes.
Boton romanin e tij të fundit, Le Très-Haut (Tejet e larta), më 1948, dhe më pas do të shkruajë vetëm tregime.
Më 1961, nënshkruan Manifestin e 121-ve të cilët mbrojnë të drejtën e Algjerisë për kryengritje.
Më 1967, takon Jacques Derrida, pastaj Michel Foucault, Gilles Deleuze, Roland Barthes dhe Roger Laporte. Fillon të tërhiqet në heshtje duke takuar fare pak miq.
Duke mos takuar tjetër përveç Jacques Derrida dhe dy-tre miq të tjerë, Maurice Blanchot vdes më 2003, në moshën 96 vjeçare.
Pjesa më poshtë është shkëputur nga romani i tij i fundit, Tejet e Larta.
« Unë jam një kurth për ju. Do ta kem të kotë t’ju them gjithçka ; sa më besnik të jem, aq më shumë do t’ju mashtroj : është sinqeriteti im ai që do t’ju kapë. »
« Ju lutem ta kuptoni, gjithçka që ju vjen prej meje është për ju vetëm gënjeshtër, sepse unë jam e vërteta. »
Nuk isha vetëm, isha një njeri çfarëdo. Këtë formulë, si ta harroj ?
Gjatë pushimeve të mia të sëmundjes, dola të shëtis në një lagje të qytetit. Sa qytet i bukur, thosha me vete. Duke zbritur në metro, u përplasa me dikë, që më foli me një ton të vrazhdë. I thirra : « Ju nuk bëni me frikë. » Grushti i tij u zgjat me një shpejtësi marramendëse, u shemba përtokë. U mblodh një grumbull. Njeriu u përpoq më kot të humbiste në turmë. E dëgjoja tek kundërshtonte i tërbuar : « Ai më shtyu. Më lini të qetë ! » Nuk kisha dhimbje, por kapelja ime ishte rrokullisur në ujë, duhej të isha i zbehtë, dridhedha. (Po dilja nga një sëmundje. Më kishin thënë : asnjë tronditje.) Një polic doli nga turma dhe na ftoi qetësisht ta ndiqnim prapa. Ngjitëm shkallët, të ndarë nga njëri-tjetri nga një grup i tërë. Edhe ai ishte i zbehtë, madje dyll i verdhë. Në komisariat, tërbimi i tij shpërtheu.
- Eshtë fare e thjeshtë, tha polici duke e ndërprerë. Ai e ka sulmuar këtë njeri dhe e ka goditur me grusht nën mjekër.
- Do të ngrini padi ? më pyeti komisari.
- A mund të bëj një apo dy pyetje… ndaj këtij personi ?
U afrova dhe e vështrova.
- Do të doja të di kush jeni.
- Ju hyn gjë në punë ?
- A jeni i martuar ? A keni fëmijë ? Jo, do të doja t’ju kërkoj diçka tjetër. Kur ju më keni qëlluar, ju keni ndjerë se duhej ta bënit këtë, ishte një detyrë : unë ju sfidoja. Kurse tani ju vjen keq, sepse e dini që edhe unë jam njeri si ju.
- Si ju ? Do ta kisha fort vështirë !
- Si ju, po, si ju. Fundja, ju mund të më rrihni. Por të më vrasësh, të më shtypësh, a do ta bënit ? Iu afrova pranë hundës. Nëse nuk jam si ju, atëherë përse nuk më shtypni nën thembër ?
Ai u zmbraps me një nxitim të penguar. Pati një rrëmujë zërash. Komisari më kapi nga mënga. « Po ky është… një i lajthitur », thërriste ai. Polici më tërhoqi pas vetes. Duke dalë, pashë fytyra të ftohta, të ngurta. Qëlluesi im më vështroi me përqeshje, e megjithatë fytyra e tij ishte dyllë e verdhë.
Të kesh një familje, e dija çka do të thoshte. Nganjëherë, nuk kisha asnjë ide për këtë, punoja, isha i dobishëm për të gjithë, ne ishim të afërt me njëri-tjetrin. Por befas, ndodhte diçka : mund të kthehesha prapa. Në sallonin e klinikës, nëna dhe motra ime më prisnin. Ç’sallon i rëndomtë ! Kolltuqe, kanape, qilima, një piano, dhe një dritë e ftohtë, një muzg i përhershëm. E megjithatë, spitali ishte modern. Por kjo ishte një çështje mjedisi, heshtjeje : mjeku ma kishte shpjeguar këtë. Isha i zënë ngushtë. Nuk e kisha parë nënën time që prej vitesh. E ndjeja që ajo më vëzhgonte.
- Nuk dukesh në formë të mirë.
Ajo më pyeti përse kishin vonuar ta lajmëronin kaq me vonesë.
- Sapo kam mundur, ju kam shkruar. Kam pasur ethe të jashtëzakonshme, asgjë tjetër veç ethe. Prisnin shenja të tjera, por nuk kishte. Besoj se kam folur përçart. Në thelb, nuk ndihesha keq. Është më tepër tani që jam i lodhur dhe i këputur.
- Ti jeton në kushte shumë të këqija. Duket se banesa jote është një varr. Përse nuk do të ktheheshe në shtëpi ?
- Banesa ime ? Po, banesa ime ka fort gisht në këtë punë. Keni takuar mjekun ?
- Jo, kishte ikur, por kemi takuar infermieren.
- Më duhet t’i futem punës. Nuk mund të rri jashtë jetës së përbashkët. Në zyrë ku jam, më zëvendësojnë. Por puna më mungon.
Që të dyja më vështruan.
- Eshtë qesharake, e di. Kam një vend pune fare të parëndësishëm. Por a ka rëndësi kjo ? Më duhet të mbaj rolin tim.
Nënës iu desh të bëjë një vërejtje të këtij lloji : « Varet vetëm prej teje nëse dëshiron një gjendje më të mirë. » Atëherë pata një ndjenjë të mundimshme : ne gënjenim të dy. Nuk gënjenim, ishte edhe më keq. Unë thosha çka duhej, por befas isha i shkëputur nga ai çast. Kuptoja se e tërë kjo do të ksihte mundur të ndodhte dikur, para mijëra vjetësh, njëlloj sikur toka të hapej dhe unë të fundosesha në këtë të çarë. Sinqerisht, nëna po bëhej e pakëndshme. Isha i çoroditur, dhe në të njëjtën kohë e kuptoja mirë përse ajo tregohej kaq e largët, përse kisha pushuar së takuari për vite me rradhë, përse… Kjo vinte nga dikur. Nëna ime ishte tani dikush tjetër, një person monumental, që mund të më tërhiqte në gjëra krejt të çmendura. Kjo ishte familja. Kujtimi i kohërave të mëparshme ndaj ligjit, një klithmë, kujtimi i fjalëve të vrazhda të ardhura nga e kaluara. E vështrova nënën, ajo më shikonte ngultazi me një lloj zënie ngushtë.
- Kthehuni në shtëpinë tuaj, thashë unë. Shihemi nesër.
- Po ti, ç’ke kështu ? Ne sapo mbërritëm.
Ajo zuri të qajë. Lotët e saj më pështjelluan më tej. Kërkova falje.
- Ti je bërë kaq mospërfillës, thoshte ajo duke qarë, kaq i huaj.
- Jo, jo. Është jeta ajo që bën të duket kështu. Duhet punuar, i duhet dalë çdo dite në krye. Epemi ndaj të gjithëve, jemi të ndarë nga të vetët.
- Eja pra në shtëpi, derisa të marrësh veten.
- Ndoshta.
- Je dobësuar shumë. Kjo sëmundje më shqetëson. E ke ndjerë duke ardhur ? A ndiheshe gjë i lodhur ?
E vështrova nënën pa iu përgjigjur.
- Lëre, mami, tha Luiza me një ton të thatë. Mos e mundo më.
Në mesditë, e haja drekën në restorantin e vogël të një rruge fqinje me bashkinë. Tavolinat ishin të rreshtuara përballë njëra-tjetrës, përgjatë një koridori tejet të ngushtë. Në mungesë vendi, u ula në një tavolinë ku dikush hante tashmë.
- Ka ndonjë gjë të re në mungesën time ? e pyeta unë shërbyesen. Sidoqë të jetë, menyja nuk paska ndryshuar.
- E vërtetë, nuk të kemi parë këto ditë. Keni qenë me pushime ?
- Jo, kam qenë sëmurë.
Ajo bëri një shprehje habie.
- Më falni, i thashë fqinjit tim, ju kam vënë re disa herë, jeni një i zakonshëm këtu. Punoni diku rrotull ?
- Diku rrotull, jo dhe aq. Ai më vëzhgoi një çast. Para ca vitesh, isha shitës në një dyqan të kësaj lagje. Kam ndërruar lagje, por vazhdoj të vij shpesh këtu.
Kishte mjaft zhurmë, një zhurmë sendesh të përplasura, lugësh që kruanin fundin e pjatave, lëngu që rridhte në gota. Përballë meje, dy gra flisnin nga një tavolinë në tjetrën. « Ajo më spiunon, më përndjek. » I dëgjova qartësisht këto fjalë. Haja pa u ngutur.
- Sidoqoftë, ushqimi nuk është dhe aq i mirë.
Ai dridhte një cigare.
- Nuk është shtrenjtë, ka mjaft.
Pjata që më kishin sjellë përmbante ca perime dhe një copë të madhe mishi të zier.
- Përbërësit aty janë, thashë unë duke goditur lehtë me pirun mbi mish. Por e çojnë dëm.
- Ehh… Një supë e mirë duket dhe për sonte. Ai vazhdoi ta mburrë këtë restorant. Po ju ? pyeti ai. Ku punoni ?
Ai ishte një burrë i vogël, por i mbajtur mirë. Shprehej me autoritet. « Po folini pra sinqerisht, thoshte gruaja përballë. – Ah, jo, nuk do t’i flas më me gojë. »
- Jam i punësuar në bashki.
- Funksionar ? Ka të mirat e veta dhe kjo.
Ai deshi të shtojë diçka. Por gruaja kishte filluar të qajë, u ngrit me nxitim nga tavolina dhe eci drejt fundit të sallës.
- Po çfarë ka pra ? e pyeta shërbyesen. Pa m’u përgjigjur fare, ajo hoqi pjatën time, dhe shtyu drejt meje një ëmbëlsirë të vogël. Ajo dukej të thoshte : E çfarë doni që të jetë ? S’është puna ime.
- Ajo punon në një rrobaqepësi. Them se ajo nuk merret vesh me përgjegjësen.
- Po ju, a merreni vesh me eprorët tuaj ?
Ajo ngriti supet, buzëqeshi.
- Shumë mirë, tha ajo duke u larguar.
Fqinji im kishte dëgjuar tërë vëmendje, por sapo qemë vetëm, ai u fundos në leximin e gazetës së tij. Gruaja u rikthye, fytyrën të qetë dhe të shndritshme.
- Ç’lajme kemi ?
Në faqen që më zgjati, lexova këta tituj : Një grua bie aksidentalisht nga kati i pestë. Rregullore e re në shërbimet e higjienës. Ende dhe një zjarr në lagjen Perëndim (ishte lagja ime). Një rritje e… Po provoja njëfarë padurimi, njëfarë zjarrmie.
- E keni lexuar këtë lajm : Rruga e Qendrës, një grua bie ?...
- Po, e kam lexuar.
- Sipas jush, është një aksident apo një vetëvrasje ?
- Nuk di gjë. Një aksident, po të besoj titullin.
- Por, thashë unë me të shpejtë, një vetëvrasje është gjithashtu një aksident. Lexojeni këtë histori. Sipas dëshmisë së mjekut, gruaja vuante ca. Vuante nga stërlodhja, dhe inspektori i punës së saj i kishte dhënë një pushim. Vërejeni mirë këtë : një pushim. Nuk ka pasur gabim nga ana e drejtorisë. Sapo që një e punësuar tregon shenja lodhjeje, mjeku i rekomandon pushim, i lëshon ilaçe, sistemi funksionon për mrekulli. Por duket se e sëmura ka marrje mendsh, ka nevojë për ajër. Ajo del në dritare dhe i erren sytë. Tani, çfarë ndodh ? Përse bie ajo ? Përse bie ajo pikërisht nga krahu ku është më e vështirë dhe më e rrezikshme të biesh ? Dhe pastaj, ndoshta ajo është hedhur vullnetarisht në zbrazëti, sepse… sepse ndihej sëmurë, sepse i vinte turp që nuk punonte, e ku ta di unë ? Mund t’i mendojmë këto, dhe mjaft gjëra të tjera. Përfundimisht, kush është përgjegjës ? Autori i artikullit lë me dije se mjeku nuk e ka bërë mirë detyrën e tij, se ai do të ishte dashur ta dërgonte në spital.
- Hë ? tha burri që, i mbështetur përballë meje, më vështronte me ngulm.
- Eshtë e qartë.
- Ç’është e qartë ?
- Nuk e di, thashë unë duke ndjerë ca lodhje. Para pak ju më keni qortuar, sepse bëja kritika. Ju mendoni se nuk duhet të kritikojmë ?
- Kush, unë ? Unë ju kam qortuar ?
- Në lidhje me restorantin.
- Jeni i këndshëm. Më është dukur se ky restorant nuk ishte i keq, në krahasim me shumë të tjerë. Por nuk kam ndonjë interes këtu.
- Por, ngulmova unë me zell, të kritikosh ? Hë, kjo nuk ju pëlqen juve. Të kritikosh mbarë e mbrapsht, ju mendoni se kjo çon në vajtje dëm, në rrëmujë, që dyshimi infekton mendjet, që kjo është një praktikë dashalige, e prapambetur. Në profesionin tuaj, ju bëni kritika, por vetëm përballë shërbimeve kompetente, sipas metodash të parashkruara. Ju më mbani inat ngaqë e shpreha hapur se në këtë restorant punonin shkel e shko, ashtu siç ju keni inat atë gruan që ankohej për përgjegjësen e saj. Është kështu, apo jo ?
E vështrova : ndonëse të formuluara me gjysmë zëri, kisha ndjesinë që shpjegimet e mia ishin të pavendta.
- Më falni. I ndjej thellë këto gjëra. Nuk është se nuk jam dakort me këndvështrimin tuaj. Por, shikoni, artikulli e mbështet. Autori nuk ka thënë : faji është i askujt. Përkundrazi, ai nuk nguruar të padisë dikë, do të ketë një hetim, e që këtej do të dalë një reformë. Nuk kam dashur të them gjë tjetër.
Burri rimori gazetën dhe lexoi me vëmendje. Pastaj, e palosi.
- Ju mund të kritikoni sa të doni. Për veten time, aq më bën. Nuk doni të lexoni më ? shtoi ai duke më ofruar gazetën. U ngrit, thirri shërbyesen. Di po aq mirë sa dhe një tjetër të shoh çka nuk shkon, tha ai me një pamje të ngrysur. Edhe unë e kam të folurën të sinqertë. Por unë nuk qahem përpara çdokujt, në një mënyrë të papërgjegjshme, pranë njerëzish të papërgjegjshëm. Nuk mungojnë kokat e dobëta.
Ai bëri një shenjë me dorë siç për të thënë : mjaft me këtë çështje. Shërbyesja ia ktheu kusurin. « Do të shihemi sonte ? e pyeti ajo. – Po, pikërisht : sonte. Po jua bëj dhuratë këtë gazetë. » Kërkova dhe unë llogarinë. Kishte ende shumë njerëz. Ca klientë prisnin në këmbë, të nënshtruar dhe të plogësht, duke vështruar me durim tavolinat. Shërbyesja nuk po vinte. « Zonjushë ! » thirra unë. Ajo më kalonte pranë duke bërë sikur nuk më dëgjonte. « Çfarë restoranti ! » thashë me zë të lartë, dhe shkova në banak për të paguar. [...]