DITET E HUMBURA
Disa ditë pasi kishte marrë çelësat e vilës së tij madhështore, Ernst Kazirra, duke u kthyer në shtëpi, pa nga larg një njeri që dilte, me një arkë mbi shpinë, nga një derë e dytë të murit rrethues, dhe që e ngarkoi arkën në një kamion.
Ai nuk pati kohë ta kapte. Atëherë, e ndoqi me makinë. Dhe kamioni eci gjatë, deri në të dalë të qytetit ku u ndal poshtë një lugine të vogël.
Kazirra zbriti nga makina dhe shkoi të shohë. I panjohuri shkarkoi arkën, dhe pasi bëri disa hapa, e hodhi poshtë në rrëpirë, e cila ishte plot me mijëra e mijëra arka të tjera të njëjta.
Iu afrua njeriut dhe e pyeti : « Të pashë ta nxirrje këtë arkë nga parku im. Ç’ka brenda ? Dhe ç’janë gjithë këto arka ?
Tjetri e vështroi dhe buzëqeshi. « Kam dhe shumë të tjera në kamion, për t’i hedhur. Nuk e di ti ? Janë ditët e tua. »
« Çfarë ditësh ? »
« Ditët e tua. »
« Ditët e mia ? »
« Ditët e tua të humbura. Ato që ke humbur. Ti i prisje, apo jo ? Kanë ardhur. Ç’ke bërë me to ? Shikoji, të paprekura, ende të plota. Dhe tani… »
Kazirra i pa. Ato formonin një grumbull të madh. Zbriti poshtë dhe hapi njërën.
Brenda, kishte një rrugë vjeshte, dhe në fund të rrugës Graziella, e fejuara e tij, që ikte përgjithmonë. Dhe ai as që e thirrte.
Hapi një tjetër. Ishte një dhomë spitali, dhe mbi shtrat vëllai i tij Josue, i sëmurë, që e priste. Por ai ishte në udhëtim biznesi.
Hapi një të tretë. Në grilën e shtëpisë së vjetër të mjerë mbahej Duk, qeni i tij besnik që e priste prej dy vjetësh, kockë e lëkurë. Dhe ai nuk mendonte të rikthehej.
Në stomak, diçka e kapte pick dhe e shtrëngonte. Njeriu ishte në këmbë në buzë të luginës, i palëvizshëm si një gjykatës.
« Zotëri ! » thirri Kazirra. « Dëgjomëni mua. Më lini t'i marr të paktën këto tre ditë. Ju lutem, ju përgjërohem. Të paktën këto të trija. Jam i pasur. Do t’ju jap ç’të dëshironi. »
Njeriu bëri një gjest me dorën e djathtë, siç për të treguar një pikë të paarritshme, siç për të thënë që ishte tepër vonë dhe që kishte marrë fund. Pastaj ai u avullua në ajër, dhe në të njëjtin çast u zhduk dhe grumbulli i stërmadh i arkave të mistershme. Dhe hija e natës zbriste.
NJE TROKITJE NE DERE
Tak tak kush është aty ? Plaku i Vitit të Ri me dhurata në shpinë ?
Tak tak kush është aty ? Giorgio ? Oh Zot, po ta marrin vesh prindërit e mi !
Tak tak kush është aty ? Ai duhet të jetë, vë bast.
I ka qejf këto Giorgio im, nuk ka ndryshuar fare.
Tak tak kush është aty ? Tonino, po në këtë orë futesh brenda ti ? Ah, këta fëmijët !
Tak tak. Duhet të jetë era… Apo shpirtrat ? Apo kujtimet ? E kujt i ka shkuar ndërmend të vijë të më shohë ?
Tak tak tak.
Tak tak.
Tak.
SHEFI
Ai është drejtor i një industrie të madhe, i ka kaluar të gjashtëdhjetat, ngrihet çdo mëngjes në orën gjashtë, në verë ose në dimër, në orën shtatë është tashmë në uzinë ku qëndron deri në orën tetë të mbrëmjes dhe përtej. Edhe të dielën ai shkon të punojë, edhe pse repartet dhe zyrat janë të mbyllura ; por shkon një orë me vonesë, çka këtë e konsideron si një ves. Ai është njeriu serioz par excellence. Qesh rrallë, nuk qesh kurrë. Verës i lejon vetes, por jo gjithmonë, një javë pushime në vilën e tij mbi liqen. Nuk ka asnjë dobësi, nuk pi duhan, nuk pi as kafe as alkool, nuk lexon romane. Nuk duron asnjë dobësi tek të tjerët. E mendon veten të rëndësishëm. Është i rëndësishëm. Tejet i rëndësishëm. Thotë gjëra të rëndësishme. Ka miq të rëndësishëm. Bën vetëm telefonata të rëndësishme. Edhe shakatë e tij në familje janë tepër të rëndësishme. E mendon veten të domosdoshëm. Është i domosdoshëm. Varrimi do të kryhet nesër në orën 14.30, kortezhi do të mblidhet në shtëpinë e të ndjerit.
EMRA PERKEDHELES
« Engjëlli i jetës sime ! »
« Gjumë, vogëlush i bukur ! »
« Mjaft, ngatarraq ! »
« Me ju po flas, idioti i rreshtit të tretë ! »
« Budalla ! »
« Kjo është ora që kthehesh, thesari im ? »
« Jo, ju lutem, zotëria im i ri, mos më prekni ! »
« Ngrihu në këmbë, përtac ! »
« Ç’dreqin bëni këtu, sergjent ! »
« Përgëzime, profesor i ri ! »
« Çfarë po mendon, arushi im ? »
« Dhe a ka shpresë, zoti Avokat ? »
« Mjaft tani, djall ! »
« Ai nuk do t’ju ketë shpëtuar, kolegu im i shkëlqyer… »
« Shpejt një puthje, komandanti im i dashur ! »
« Ma kruan pak shpinën, babi i vockël ? »
« Ju preferoni një kompromis me të mirë, zotëri ? »
« Këndej, ju lutem, zoti Deputet ! »
« Më duhet të të lë vetëm tani, maçoku im i bukur ! »
« Nëse më lejoni, zoti President… »
« Po ma bën dhuratë, gjyshi ? »
« Si ia çon, plako ? »
« Ndoshta ju kujtohet, avokat… »
« Po nëse shtyp këtu, Shkelqësi, ju dhemb ? »
« Paqja qoftë me ty, vëllai im në Jezu Krisht ! »
« Sa i ri ka ikur, i gjori ! »