PERKTHIME

Tė ēosh autorin tek lexuesi, tė sjellėsh lexuesin tek autori.

Antoine CHOPLIN (1962)

 

 

Antoine Choplin, lindur më 1962 në Chateauroux, Francë, është një shkrimtar disi i çuditshëm. Sipas vetë atij, ai pëlqen të lërë të panjohura nëpër shkrimet e tij. Madje, edhe në këtë roman që pjesë të të cilit do të lexoni më poshtë, fundi nuk merret vesh mirë. Ç’ka ndodhur ? Ndoshta duhet lexuar dy-tre herë. Stili gjithashtu është disi i veçantë. Fjali të shkurtra ku, ç’është e vërteta, nuk ka rrëfim të pastër romanesk, por më tepër një përshkrim situatash përmes mendimeve dhe ngurimeve të personazheve. Kam përshtypjen që më shumë kuptojmë nga ngurimet dhe nga gjërat e pathëna sesa nga ajo ç’thuhet.

Romani është përkthyer i plotë, dhe do të doja vërtetë të botohet sepse jam i bindur që do të sillte diçka të re në letrat shqipe.

 

 

 

 

 

I

 

 

Ai do ta kapërcente Loirën në Saumur. Do të merrte të njëjtën urë të ngarkuar me fëmijëri. Ishte e njëjta rrugë gjithashtu, drejt Berry të gjyshërve të tij, pushimeve të para, kushërinjve të largët dhe garave me karrocë dore, qershiave të nxira nga pjekja që i hanin zogjtë.

Kur e mendon, Luisi.

 

Është mbrëmje tashmë. Ai vozit që prej gati tre orësh. Nuk ndjen lodhje fare.

Megjithatë, ka qenë ngarkimi, që s’mbaronte kurrë, nga depot sartuaze të Louvigny, Chèreperrine, Aillières dhe La Pelice. Plani « dallëndyshe », pikë për pikë. Dy ditë e dy netë, pothuaj papushim. Mbështjellje, qindra arka të kaluara dorë më dorë, shpejtësi dhe kujdes që nuk shkonin dhe aq mirë bashkë.

Gjermanët jo larg, nuk dihet ku pikërisht. Të iket sa më shpejt, kamionët e mëdhenj në fillim, drejt destinacionesh të tjera më në jug.

 

Më vonë hë, jepi, shko Luis dhe rrugë të mbarë. Dhe telefono të na thuash.

 

Drita bie.

Shpejt do të duhet parashikuar nata. Megjithatë të flesh disa orë, drejt Mirebeau ose Vouillé.

Kamioni uturon por me një rregullsi të bukur. Ngarkesa e ngjeshur mirë tashmë, dhe e lidhur fort, nuk shalakatet më. Luisit i pëlqen të bredhë. Ai e shijon këtë ikje, sidomos bashkë. Të shtijnë frikën, këta kamiona të vënë bashkë për udhë me thesarët e tyre, si shpuzat e një fishekzjarri. Dhe ai, njëra prej tyre.

 

Ai micrron pak ç’kanë përgatitur vajzat e Muzeumeve kombëtare. Sallam, biskota të thata, djathë, verë të kuqe. Është i lumtur, Luisi. Ka bërë një copë udhë të mirë. Nesër mbrëma, do të duhet të mbërrijë. Pastaj, vetëm të presë instruksionet.

 

●●●

 

Natë e zezë. E zezë dhe e kthjellët, e butë. Vera, diku në ajër.

Mbi rrugën e rrafshtë dhe të drejtë, dritat e gjata të kamionit lëshohen larg në kupolën e errët të drurëve.

 

Përpara, një siluetë.

 

Ajo e një gruaje që ecën.

Tre-katër kilometra megjithatë, përtej Neuville, fshatit të fundit.

Kamioni që afrohet dhe gruaja që ecën, gjithmonë njëlloj, përgjatë kësaj rruge të drejtë, rreth mesnatës, me të njëjtin qëndrim, kokën të përkulur drejt përpara. Gjithashtu, flokë të gjatë të lëshuar. Ajo nuk kthehet. Por as nuk fshihet. Është aty, fare pranë tani, në dritën e kamionit. Nuk kërkon asgjë, nuk bën asnjë shenjë. Këmbëzbathur, me këpucë në dorë. E veshur korrekt.

Luisi nguron. Të ndalet apo jo. Në kohë normale, sigurisht që po, të ndalet, të zgjatet drejt dritares së djathtë, ta hapë dhe, pa zbritur, të propozojë ndihmë ose thjesht një copë udhë.

Por këtu, me misionin e tij. Këshilla të rrepta. Të mos merret asnjë rrezik. Dhe sidomos, asnjë njeri në kabinë.

Frenon. Pastaj shkel gazin. Ecën kështu nja dy-treqind metra.

Dhe pastaj jo. Del në qoshe të rrugës, motorin ndezur, pret gruan. Një pyetje e thjeshtë që ai do ta bëjë me një zë të gëzuar, të lehtë. Kurse ajo, asgjë nuk e pengon të bëjë pak pushim para se të arrijë kamionin. Luisi do të kuptojë mirë, do të ikë.

Sekonda, minuta. Sikleti, frika të ngjallë frikë, tundimi për t’u rinisur.

 

Gruaja më në fund, fytyrën të pashqueshme, përbri dritares që ai e ka ulur. Luisi, menjëherë, gjithçka mirë ?, orë e çuditshme për të bërë shëtitje në këmbë. Ajo nuk flet. Heshtja përzgjatet. Sigurisht, tani, do të duhet t’i propozojë të ngjitet, ta zbresë dikund. Ajo, përsëri asgjë. Më në fund, thjesht një dorë që mbërthen dorezën e derës. Siç për një pikëmbështjetje, për të çmpirë këmbët.

Duhet thënë diçka. Vini nga fshati, nga Neuville ? Ajo e mbushur në frymë, por jo dhe aq. Ku po shkoni ? Asgjëkundi. Ju po shëtisni pra, hë, kështu ?

Ajo nuk përgjigjet. Thotë që ka uri. Dhe pastaj përnjëherë, a mund të ngjitem pak. Po, po, sigurisht.

Ajo ulet, mbath këpucët pasi ka fërkuar shputën e këmbëve.

Dhe ai i jep një copë bukë me sallam, dhe djathë.

Ajo ha pak, thotë falemnderit.

Ai, kërkon t’i shohë fytyrën, por dritat e makinës nuk mjaftojnë.

Zëri i një gruaje të re. Një zë mirë keq, me muzikë të çuditshme.

Ajo çliron aroma pylli ndoshta, të Poitou, ajrin e jashtës, jo ndonjë gjë të madhe nga vetvetja.

Ka përfunduar së ngrëni çka i ka dhënë Luisi. Nuk thotë asgjë, rri e palëvizshme, vështrimi drejt përpara.

Luisi, duke provuar bisedën : çfarë bëjmë ? Ku shkon zonja ? Ajo është përgjigjur : atje, përpara. Ai, seriozisht, ju e dini, kur ju pashë, po matesha të ndalesha për natën, gjoja për të fjetur pak. Ajo ka thënë : ide e mirë. Ai : po, e ju ? Ajo ka thënë unë gjithashtu, besoj që do të më bëjë mirë të ndalem pak.

Jo, jo, e kisha fjalën të flija disa orë në kamion, thjesht kështu. Ajo : po, e kuptova mirë. Eh mirë, nëse nuk të bezdis, do të doja dhe unë, të flija disa orë në kamion, thjesht kështu.

 

Tekefundit.

 

Luisi mendon është e çuditshme si i thotë ajo gjërat. Si shfaqen ato befas të ndara nga motivet e tyre, nga nevojshmëria e tyre. Të zhveshura nga çdo synim, nga çdo strategji. Kështu nuk është më kaq e rëndësishme për të sqaruar, kuptuar gjithçka.

Ka vetëm të jetosh, të kalosh nga këto çaste. Të takosh një grua në rrugë, t’i japësh një copë bukë, të ndjesh pa e ditur të papriturat e një fati, të ndash natën me të. Një natë lufte. Një natë kështu, ndërmjet një burri dhe një gruaje në një kamion, mbi ndenjësen e një kamioni, me thjesht premtimin e orëve të errëta për t’u kaluar së bashku.

Ai është i dehur nga kjo gjë e thjeshtë, kaq njerëzore. Dëshirë e marrëzishme për t’i thënë asaj, menjëherë. Heq dorë. Vështron tërë këtë në heshtje.

 

Çështja e ngarkesës.

Tepër vonë sidoqoftë. Do të reflektojë.

Ai thotë thjesht : do të gjej një qoshe. Dhe ndez makinën.

Ta pret mendja, Luisi ka shtruar ca pyetje sidoqoftë, ngadalë. Gruaja ka qëndruar e largët, jo, ajo nuk kishte uri, as të ftohtë, nevojë për asgjë. E strukur, e palëvizshme, përkundër derës.

Luisi ka menduar për ngarkesën. Ka vendosur që nuk do të flinte. Hiç mendja, ai i ka futur megjithatë çelësat e makinës në xhep, nuk dihet kurrë.

Ka nxjerrë makinën mënjanë rrugës, në buzë të pyllit.

Bën terr i zi.

Luisi pi ca gllënka verë, në shishe. Doni pak ? Jo falemnderit.

Çudi që të dy kanë folur për nevojë për t’u prehur. Tani, ata duken të rrinë zgjuar, kokëfortësisht.

 

Kalon një orë, ndoshta.

Luisi mendon që ajo qan, tani, pa mundur ta dallojë. Madje ai nuk ka më fjalë për të thirrur zërin e saj dhe për të parë nëse qan, nga tingulli i zërit.

Ka ngritur xhamin. Ajo e gruas ka qëndruar e hapur. Nata futet brenda, tingujt e saj, freskia, aromat e saj të lagështa. Luisi ka ftohtë, nuk guxon të thotë asgjë. As dhe të veshë trikon e tij që duhet të jetë andej nga mesi i të dyve, nga frika se mos ajo është ulur në njërin cep dhe që gjithçka pastaj të bëhet e ndërlikuar.

Luisi thotë me vete koha ecën shpejt. Kjo është thjesht ngaqë është shpresa ajo që sjell minutat e ardhshme. Diçka që do të ndodhte, që do të thuhej. Thjesht një lëvizje ndoshta. Ai e di tani që vetë nuk do ta thyejë këtë heshtje mes tyre, në asnjë mënyrë. Ajo le ta bëjë. Por asgjë nuk nxiton. Nuk ka më shtrëngim. Ngazëllim më tepër, i gëzuar dhe i përmbajtur, në pritje të atij fakti të vogël që nuk e dimë nëse do të jetë i papërfillshëm apo nëse fatet do të lëviznin nga kjo.

 

Një orë e dytë.

Luisi mendon ka diçka të shkruar. Të gjithë karvanët e organizuar që prej dy javësh, me dy vetë në çdo kamion. Ai me Rajmondin. Dhe pastaj pak para se të nisen, Rajmondi që shpjegon që jo, më vjen keq. Nëna e tij po jep shpirt. Bisedojnë. Fillojnë së kërkuari një tjetër, së thënuri që nuk do t’i shkelim rregullat e vendosura, dy për kamion. Dhe pastaj Luisi ngulmon, me njohjet e tij në mekanikë dhe në motora. Kamionin e vogël të shtëpisë Aget, edhe në rast vështirësie, ai do të mund ta rregullojë vetëm, në çdo rrethanë. Dhe me kohën që nxiton, drejtori i departamentit të pikturave që më në fund thotë po, hajt po e provojmë.

Kështu është që Luisi është i vetmi shofer kamioni që nuk është i shoqëruar. Një kamion mesatar, e vërtetë, por prapëseprapë.

 

E tani, është kjo grua.

Përsëri, për Luisin, kjo dëshirë për të folur. Vetëm që gjithë kjo kohë heshtjeje e mbledhur do ta bënte pa vend. Përveç nëse gjen diçka njëherësh të domosdoshme dhe të vogël, që do të tingëllonte mirë si kujdes ku po i vendosni këmbët, është plot graso. Jo fort ide, Luisi. Ai e di që gjumi po i vjen rrotull. Gjithçka përzihet nga pak, çudia e situatës së çastit, një kënaqësi e turbullt, pak frikë gjithashtu, ngarkesa e tij e shpëtuar, Saumur i përshkuar për pak, tashmë i shkatërruar nga aviacioni italian. Gjithë këto njerëz mbi rrugë. Sidoqoftë, çfarë trapi ky Mussolini. Të vish të shkatërrosh deri dhe gjurmët e Rilindjes të ardhur nga krahu i etërve të tij prej shekujsh. Ç’themi dhe ne, i etërve të tij.

 

Gruaja ka lëvizur. Tani, ajo është në profil, fytyrën pak të kthyer drejt Luisit, gjunjët të sjella mbi ndenjëse, dy duart mbi bark. Ky vrull drejt tij që ai ndjen befas nuk është ndoshta veçse një pamje e mendjes së vet. Ai rregullon pak pozicionin e tij, siç për të treguar që po, ai e dëgjon këtë vrull. Jo, ai nuk fle. Po, ai do të donte që ajo t’i thotë diçka. Emrin, për shembull. Kurrë, ai nuk do të guxonte ta pyeste. Duke u mbështetur mirë pas derës, Luisi është larguar nga ajo, çka kjo e autorizon ta kthejë kokën më mirë në drejtimin e saj. Luisi mendon që ajo i ka sytë hapur dhe që ka pushuar së qari.

Nuk do të kishte gjë të madhe për të bërë që ajo të rrëshqasë deri tek gjoksi i tij, që ai të hedhë një krah rreth saj. Do të flinin kështu. Luisit i duket që kështu ata nuk do të kishin vërtetë nevojë të flisnin, që gjithçka do të ishte thënë.

Luisi, nuk do të guxojë asgjë.

E ka zënë gjumi. Është i shqetësuar për shkak të ngarkesës dhe pranisë së gruas.

E vërtetë që sikur të mund ta shtrëngonte në krahët e tij.

 

Lodhja, imazhe poshtë e lart.

Saumur shkrumb e hi.

Gruaja duke ecur nën kupolën e drurëve.

Tek dera, fytyra e saj në mungesë.

 

●●●

 

Më quajnë Sarah.

Ajo ka folur në një mërmërimë por, për Luisin, kjo duket si një ulëritje. Zemra i rreh fort. Ai flinte. Gruaja, Sarah pra, ka qëndruar në profil, e kthyer drejt tij.  Ajo nuk është afruar, as larguar. Ka thënë që më quajnë Sarah pa qëllim tjetër përveçse t’i tregojë Luisit si e ka emrin. Një lloj mirësjellje. Duke folur, ajo nuk e ka ngritur trupin.

Sarah, ky emër i pëlqen Luisit. Ia thotë këtë.

Emër i bukur Sarah.

Ajo : ju nuk flini ?

Ai, gënjeshtar : jo. Thjesht po pushoj. Madje do të nisem pas pak. Kam shumë udhë përpara.

Ku po shkoni ?

Në jug. Shumë larg.

Ja të dy të zënë ngushtë nga kaq fjalë të shqiptuara. Marrin frymë. Heshtja fillon të shtrohet ngadalë.

Gjatë kësaj kohe, diçka ndryshon. Jashtë. Nata ndoshta, që lëshon pe. Në një ngadalësi të pafund aq herë të përsëritur, premtimi i ditës fillon të mblidhet.

Ata përgjojnë. Drurët fillojnë të shquhen. Së shpejti, do të jenë fytyrat.

Unë, jam Luis. Më quajnë Luis.

Ajo bën : ah po.

Dhe ata vështrojnë drurët.

Pas një kohe të gjatë, ajo thotë : po ju paralajmëroj, fytyra ime është e trishtë. Me siguri dhe pak e papastër.

Luisi thotë : edhe zëri yt, i trishtë gjithashtu. Një zë paksa i braktisur mund të themi. Kështu që, detyrimisht, përgatitemi për një fytyrë të trishtë. Të braktisur. Shkojnë bashkë.

Që të dy, rrëmojnë në fjalët e thëna. Ska gjë. Ai mund të hiqte dorë, Luisi, prandaj ai thotë ska gjë. Por kështu, është pothuaj tepër e fortë. Për më tepër, me drurët që fillojnë të shquhen.

Tani bën më shumë ftohtë.

Nuk mbërdhini me xhamin ulur ?

Po, pak.

Ajo e ngre.

Luisi thotë : së shpejti do të dalë drita.

Po.

Ngjan me një këmbanë. Deri në agim, lihet të veprojë magjepsja, ajo e heshtjeve të pranuara, e kohëve të varura pezull. Kur dita të jetë ngritur, do të duhet vënë për udhë. Të flasësh me vete, të shpjegohesh, të vendosësh padyshim. [...]