Pjesa më poshtë është shkëputur nga romani "Qeni im budalla" (West of Rome – titulli origjinal), 1985.
NJE
Ishte janar, bënte ftohtë dhe errët, binte shi. Isha i lodhur dhe i mërzitur, fshirëset e xhamave nuk punonin dhe gjuha më ishte trashur pas një mbrëmje të gjatë alkooli dhe diskutimesh me një realizator milioner i cili donte të më bënte të shkruaja skenarin e një filmi mbi një çift gangsterësh « tip Bonny and Clyde, të zgjuar dhe me klas. ». Nuk ishte parashikuar asnjë pagë. « Do të jemi ortakë, gjysmë për gjysmë. » Ishte propozimi i tretë i këtij lloji që më bënin në gjashtë muaj, një shenjë e keqe kjo për kohërat që po vinin.
Ecja ngadalë me njëzet e pesë në orë mbi rrugën e bregdetit, kokën të nxjerrë në dritare, fytyrën e lagur qull ; shqyeja sytë për t’u përpjekur të ndiqja vizën e bardhë, dhe çatia në vinil e Porshit tim 1967 (katër muaj të papaguar, organizmi i kredisë ulërinte) për pak sa nuk u shkul nga shiu rrëke kur më në fund degëzova drejt oqeanit.
Ne banonim në Point Dume, një rrip toke që zgjatej në det si një gji në një film porno, në veri të harkut të gjirit Santa Monica. Point Dume është një lloj blloku pa ndriçim bashkiak, një zgjatim kaotik i mbuluar me një rrjet aq të dendur rrugësh dhe rrugicash saqë, megjithëse banoja aty prej njëzet vjetësh, humbisja në to sapo të binte shi apo të kishte një mjegull, dhe shpesh endesha kuturu nëpër rrugë që gjendeshin më pak se dy blloqe larg nga shtëpia ime.
Siç dhe e kisha parashikuar nga kjo mbrëmje shtrëngate, jam futur në Bonsall në vend të Fernhill, pastaj kam filluar rutinën e gjatë të dëshpëruar që qëndron në gjetjen e shtëpisë. E dija se me kusht që të mos më linte benzina, do ta gjeja më në fund rrugën e bregdetit dhe dritën e zbehtë të kabinës telefonike të qëndrim-autobusit, nga ku mund të thërrisja Harriet për t’i thënë që të vinte të më tregonte udhën për në shtëpi.
Dhjetë minuta më pas, ajo ka ardhur mbi kodrinë ; dritat e gjata të makinës së saj break shponin puse drite në shtrëngatë, pastaj ato janë ndalur mbi mua dhe mbi makinën time të parkuar pranë kabinës telefonike. Ajo i ka rënë borisë, ka kërcyer nga makina, dhe pastaj ka vrapuar drejt meje me një mushama të bardhë. Shqetësimi ia kishte zgurdulluar sytë.
« Do të kesh nevojë për këtë. »
Dhe befas, ajo ka nxjerrë nga poshtë palltos revolverin tim kalibër 22 dhe ma ka zgjatur nga xhami i ulur i Porshit. « Ka diçka të tmerrshme në kurt.
- Çfarë ?
- Një Zot e di. »
Nuk e doja këtë derr revolver. Kam refuzuar ta marr. Ajo ka përplasur këmbën.
« Merre, Henry ! Do të të shpëtojë ndoshta jetën. »
Ajo e ka tundur para hundës sime.
« Po hë moj, fol, çfarë ka ?
- Them se është një ari.
- Ku ?
- Mbi bar. Nën dritaren e kuzhinës.
- Ndoshta është njëri nga fëmijët.
- Me gëzof ?
- Çfarë lloj gëzofi ?
- Gëzof ariu.
- Ndoshta është i ngordhur.
- Merr frymë. »
Jam përpjekur ta shtyj revolverin drejt saj. « Dëgjo, nuk kam dëshirë të vras një ari në gjumë me një kalibër 22 ! Thjesht do ta zgjoj. Dhe do të thërras sherifin. »
Kam hapur derën, por ajo e ka mbyllur menjëherë.
« Jo. Shikoje në fillim. Ndoshta nuk është asgjë. Kushedi, mund të jetë dhe një gomar.
- Eh, eh, tani na doli një gomar. I ka veshët e gjatë ?
- Nuk ia kam parë. »
Kam psherëtirë dhe kam ndezur motorin. Ajo është rikthyer drejt makinës së vet duke vrapuar, pastaj e ka kthyer makinën mbrapsht. Meqë nuk kishte vizë të bardhë për mesi, kam qëndruar prapa dritave të saj të pasme duke vozitur ngadalë përmes litarëve të shiut.
Shtëpia jonë ngrihej mbi një truall toke prej katër dynymësh, nja njëqind metra nga gremina dhe nga oqeani që ziente poshtë. Ishte ajo çka quhej një « ranch » në formë Y, ndërtuar brenda një muri çimenti që i vinte shtëpisë rreth e përqark. Njëqind e pesëdhjetë pisha të mëdha rriteshin përgjatë këtij muri dhe ato na jepnin një përshtypje sikur të jetonim në mes të pyllit. E tërë kjo ngjante me atë çka ajo nuk ishte - banesa e një shkrimtari të suksesshëm.
Por gjithçka ishte e paguar, deri në kokën e fundit të spërkatesve të ujitjes, dhe po vdisja nga dëshira t’i shisja të gjitha këto e t’ia mbathja diku jashtë. Do të duhet së pari të më kalosh mbi trup, më sfidonte Harriet, aq mirë saqë shpesh argëtohesha duke e përfytyruar gruan time të shtrirë në një pellg gjaku mbi dyshemenë e kuzhinës ndërsa unë gërmoja varrin e saj afër vathës, dhe pastaj kërceja në një avion të Alitalia në drejtim të Romës me shtatëdhjetë mijë dollarë në xhepat e xhinseve dhe me një jetë të re mbi Piazza Navona në shoqëri të një zeshkane, sa për të ndryshuar.
E megjithatë, Harrieti im ishte e adhurueshme : që prej njëzet e pesë vjetësh ajo më rrinte pranë ; më kishte dhënë tre djem dhe një vajzë, të cilët do t’i kisha ndërruar me dëshirë secilin prej tyre, madje që të katërt, me një Porsh të ri, ose dhe me një MG GT ’70.
DY
Harriet është futur në rrugicë, pastaj jam ndalur bri saj në garazh. Ne kemi qenë befasuar kur zbuluam aty makinën tjetër, një Packard 1940, një lashtësi e vërtetë që i përkiste Dominicut, djalit tonë të madh, trapi i parë i familjes. Nuk e kishim parë që prej dy javësh. Rikthimi i tij në një natë të tillë shtrëngate nënkuptonte që ai ose kishte halle, ose nevojë për këmisha të pastra. Kam hapur derën e pasme të Packard. Qelbej era marihuanë. Harriet është përkulur drejt ndenjëses dhe, me një ngërdheshje, ka mbërthyer një palë mbathje të vogla blu, të cilat i ka vërtitur përsëri në makinë krejt e pështirosur.
Kemi dalë nga garazhi. Shtëpia xixëllonte si një parking makinash rasti ; kishte dritë në të gjitha dritaret, deri dhe prozhektorët e vegjël të derës së pasme dhe të garazhit ishin të ndezura, dhe që e mbysnin barin e lagur me një dritë blu të zbehtë.
« Eshtë ende aty », ka thënë Harriet me një zë mëdyshës duke vështruar derën e pasme. Atëherë e kam parë dhe unë, një grumbull i madh dhe i errët, i palëvizshëm dhe i kërleshur si një sixhade. I kam thënë Harrietit të ruajë gjakftohtësinë.
« Revolverin.
- E kam lënë në makinë. »
Ajo është kthyer ta kërkojë, pastaj e ka vënë në dorën time.
« Qetësohu, pra », kam thënë unë.
Grumbulli ishte nja pesëmbëdhjetë metra nga garazhi në drejtim të derës së pasme, nën rrugicën e mbrojtur nga shiu nëpërmjet një strehe e cila e tejkalonte çatinë dhe shërbente si një hajat. Dora e Harrietit është mbyllur mbi një cep të palltos sime. Armën të drejtuar nga kafsha, kam bërë përpara në majë të gishtave, i tmerruar, duke u përpjekur të përshtatesha mbi atë sendin e turbulluar nga shiu.
Pak nga pak është formuar një imazh. Ishte një dele. Nuk ia dalloja kokën, por shpina dhe barku i saj i leshtë dukeshin fare qartë. Befas, era ka ndërruar kah, duke ndryshuar dhe drejtimin e shiut dhe duke e shndërruar kafshën. Kam mbajtur frymën. Nuk ishte një dele. Madje kishte një krifë.
« Eshtë një luan », kam thënë unë duke bërë prapa.
Por Harriet kishte një shikim të shkëlqyer.
« Sigurisht që jo. » Në zërin e saj nuk ndihej asnjë frikë. « Eshtë thjesht një qen. » Ajo ka bërë përpara me një hap të vendosur.
Bëhej fjalë pikërisht për një qen, një qen tejet i madh me qime të dendura, kafe dhe të zi, i pajisur me një kokë të madhe dhe me një turi të zi të rrafshuar, një kokë melankolike tip turiri ariu. Pa vajtje-ardhjen e lehtë të gjoksit të tij të gjerë, do ta kishim marrë lehtësisht për të ngordhur, sepse sytë e tij të pjerrët ishin të mbyllur. Buzët e tij të zeza të varura fërgëllinin lehtë me ritmin e frymëmarrjes. Dukej kjo, ai ishte i pavetëdijshëm ; shiu ia lagte gëzofin.
Ndërsa po matesha t’i flisja, Harriet është futur në shtëpi, pastaj ka dalë me një çadër. Ne jemi strehuar nën të, pastaj jemi përkulur mbi kafshën. Harriet ka përkëdhelur turirin e tij të lagur.
« I gjori qen. Pyes veten përse është në këtë gjendje. »
Me dorë, kam lëmuar veshët e tij të zinj të trashë dhe të fortë.
« Ja një qen i sëmurë », kam thënë unë kur gishtat e mi kanë hasur një rriçkë sa një kokërr fasule, aq të ngopur me gjak saqë është rrokullisur në pëllëmbën time si një saçme. E kam hedhur në bar.
« Ç’bën ai këtu ?
- Ky qen është një qen endacak, jam përgjigjur unë. Një individ shoqërisht i papërgjegjshëm, një i arratisur.
- Por ai është i sëmurë.
- Nuk është i sëmurë. Por është tepër përtac për të kërkuar një strehë. » Me majën e këpucës, e kam prekur në brinjë. « Ik që këtu, përtac. » Por ai nuk ka lëvizur dhe as hapur sytë.
« Oh Zot ! ka thirrur Harriet duke bërë prapa, duke më marrë me vete dhe mua. Mos e prek. Ndoshta është i tërbuar ! »
Kjo më ka tmerruar. Për asgjë në botë nuk do të doja të merresha me një qen të tërbuar. Kemi hyrë brenda me vrap dhe kemi mbyllur derën. Isha bërë qull, uji pikonte mbi dyshemenë e kuzhinës. Ndërsa hiqja rrobat e mia të lagura, Harriet ka vajtur të kërkojë robdishamin tim. Ma ka sjellë bashkë më një burbon, pastaj jemi ulur në tavolinë për të reflektuar mbi problemin.
« Nuk mund ta lëmë jashtë, ka thënë ajo. Do të ngordhë.
- Vdekja është fati ynë i përbashkët », jam përgjigjur unë duke rrëkëllyer gotën e dytë.
Ajo e ka humbur durimin.
« Bëj diçka. Thirr dikënd. Gjej çfarë bëhet me një qen që ka tërbimin. »
Ora e furrës lajmëronte nëntë e gjysëm. I kam telefonuar Lamsonit, veterinerit të Malibusë. Hipokrit i korruptuar, mjek i qenve të vipave, Lamson ngjante me rriçkën që e kisha hequr nga veshi i qenit : ai ngopej me gjakun tim prej vitesh të tëra, dhe unë isha i pafuqishëm sepse ai zotëronte të vetmin spital për qen në veri të Santa Monica.
Më është përgjigjur roja e tij. Doktori dhe zonja Lamson nuk ishin në shtëpi. Ata ishin mbi jahtin e tyre në Catalina. Kur e kam ulur telefonin, buzët e mia mërmërisnin një lutje të shkurtër ndaj San Gennaro, shenjtori mbrojtës i Napolit, të cilin e lusja që ta përmbyste jahtin bashkë me Lamsonët në të.
Pastaj kam thirrur zyrën e sherifit duke e ditur saktësisht ç’do të më thoshte serxhenti roje, dhe ashtu ka qenë : thërrisni pra depon e kafshëve të rajonit. Më ka mbytur dëshpërimi kur kam formuar numrin e depos. Isha i sigurtë se do të bija mbi një shirit të regjistruar, dhe ashtu ka qenë : ata ishin mbyllur deri nesër në orën nëntë paradite.
Shiu i zhurmshëm është shndërruar në një mërmërimë para se të ndalet. Harriet ka parë qenin nga dritarja.
« Them se ka ngordhur. »
Kam rrëkëllyer një gotë tjetër duke shijuar qetësinë pas stuhisë. Nga krahu verior i shtëpisë sime në formë Y vinte poterja e magnetofonit të Dominic, ritmet çmendëse të Mothers of Invention. Kisha arritur deri atje sa ta urreja paturpësinë e papërshkrueshme të kësaj zhurme. Kam ngritur sytë drejt San Gennaro dhe i kam thënë : Edhe sa kohë më duhet të vuaj, O Gennaro ? Për fillim, Presley dhe Fats Domino, pastaj Ike dhe Tina Turner, pastaj një përjetësi Beatles dhe Grateful Dead, Monkees, Simon dhe Garfunkel, The Doors, Rotary Connection, që të gjithë pa përjashtim kanë dhunuar intimitetin e shtëpisë sime, e tërë kjo barbari e ndyrë ka pushtuar vatrën time vit pas viti ; tani, ky bir kurve ishte njëzet e katër vjeç dhe ishte ende një shkërdhatë gërricës.
Të kujtohet ty, O Gennaro, qysh ma ka shkatërruar ai atë T-Bird që kam patur ? E ke harruar ti atë fundin pikëllues të Avanti-t tim ? Le të mos harrojmë dhe ditën kur ai është kapur duke pirë hashash, më ka kushtuar njëmijë e pesëqind dollarë, çka kjo nuk i ka penguar policët ta nxjerrin para gjyqit, dhe pastaj ai qelbësirë fle herë pas here me zezake, çka kjo ia copëton zemrën nënës së vet, dhe vetë unë jam vazhdimisht i munduar nga dyshimi se mos ndoshta është pede. Në djall vaftë, O shenjtor i fort-dashur. Dhe nëse fati do që një qen i tërbuar të kafshojë një nga anëtarët e familjes sime, eh mirë, le ta kafshojë atë, vetëm atë ! Harriet është dridhur kur kam përplasur grushtin mbi tavolinë.
« Ç’pate ?
- Djali yt Dominic ! » Kam drejtuar mbi të një gisht kërcënues. « Le të merret ai pra me qenin ! »
Kam pirë një burbon tjetër, pastaj kam zbritur koridorin me hap të shpejtë dhe kam trokitur fort në derën e Dominic. Muzika është ndalur.
« Kush është ?
- Babai yt. Henry J. Molise. »
Ai ka rrotulluar çelësin në bravë, dhe e kam zbuluar në mbathje, djalosh i ri shtatmadh me shpatulla të gjera dhe me këmbë tërë muskuj.
« Njatjeta, Ba. Ç’kemi ndonjë të re ?
Kam hyrë në dhomë.
« Ku ke qenë që prej dy javësh ?
- Këtu rrotull.
Sapo ishte rruar, binte era limon, flokët e tij të gjatë ishin krehur me kujdes përsipër veshëve. Jam ulur mbi shtrat ndërsa ai vishte një palë pantallona me viza të gjera. Ky djalë krejt i paparashikueshëm e kishte lënë universitetin për t’u futur në Navy. Tani si mekanik, ai fitonte dhjetë mijë dollarë në vit, çka kjo nuk ia përmbushte nevojat, edhe sikur t’i shpenzonte të gjitha për veten e tij, kështu që herë pas here iu kërkonte para prindërve të vet. I vetmi tregues që lejonte për të shpjeguar shpenzimet e tij ishin xhetonat e pokerit të klubeve të Gardena që Harriet ia gjente nëpër xhepa para se t’i fuste në lavatriçe. Kam shquar dy xhetona midis monedhave dhe çelësat e makinës mbi komodinën e shtratit. Kishte gjithashtu dhe një pako prezervativësh.
« A s’mund të jesh pak më i fshehtë ? » i kam thënë unë me një tundje koke drejt kapotave angleze : « Nëna jote dhe motra jetojnë këtu edhe ato. »
Ai ka buzëqeshur. « Mund të të tregoj një shishëz të tërë me pilula kontraceptive në banjon e vajzës tënde. »
Përsipër raftit, mezi e dukshme për shkak të llampës së arkitektit të drejtuar nga poshtë, kishte një foto të ngulur në mur. Kam ndryshuar drejtimin e llampës dhe kam ndriçuar murin. Ishte zmadhimi i një zezake lakuriq me një perruke bjonde, këmbët e hapura të shqyera, mbi një stol banaku bari.
« Ku e ke gjetur këtë ?
- Të pëlqen ?
- As që më lëviz qerpiku. E ka parë nëna jote ?
- Sapo e ngula.
- Domethënë, ti do që nëna jote të pësojë një krizë kardiake ?
- Eshtë thjesht pornografi e mirë. Kam plot nën shtrat, ajo është në dijeni. Merr edhe ti kur të duash. »
I kisha vëzhguar tashmë këto dokumente joshëse. « Jo, faleminderit, po lexoj Camus këto kohë.
- Camus ? Super. »
E kam vështruar një copë herë.
« Hej Zot, po ç’dreqin ke kundër femrave të bardha ? »
Ai është kthyer me një buzëqeshje duke përfunduar së mbërthyeri pullat e këmishës.
« Ca pëlqejnë mishin e bardhë, e ca të tjerë mishin e kuq. Secili shijet e veta, apo jo ?
- E ti nuk ke pra asnjë krenari raciale ?
- Krenari raciale ! Po kjo është një shprehje e fortë, Ba. Vë bast që e ka sajdisur vetë. E pabesueshme… S’është për t’u habitur pastaj që ti je një shkrimtar kaq i madh. » Ai ka ecur deri tek tavolina, ka marrë një laps dhe ka shkarravitur mbi një zarf : « "Krenari raciale." » Po e shënoj që të mos ta harroj.
Çfarë idioti ! Çdo dialog me të ishte i pamundur, ai nuk mungonte asnjë rast për të më gërricur. Do të kisha mundur t’i vija në dukje që kisha punuar si qen mbi skenare të mjera për t’i ofruar atij një rini të këndshme, që fatura e kirurgut-dentist për dhëmbët e tij xixë shkonte deri në tremijë dollarë, pa folur për mijëra dollarë që ai më kishte kushtuar në makina, motorrë, varka me vela të shpartalluara, dhe në pagesa siguracionesh. Por ai do të më kishte akuzuar atëherë që unë po qahesha e po qurravitesha, madje me të drejtë. Jeta ishte kaq e padrejtë. Fëmijët duke u rritur, e juve duke u zvogëluar, dhe pastaj, ju nuk mundeni madje as t’ua jepni një shuplakë turinjve. Hera e fundit që ia kam dhënë një të nxehtë, ka qenë tre vjet më parë, kur e kisha zbuluar të dehur për vdekje në një makinë të parkuar. Ai kishte pasur atëherë një krizë të qeshurash histerike.
E kam ndryshuar rrjedhën e bisedës mbi qenin e çuditshëm në kurt ; sytë e Dominic kanë shndritur atëherë, sepse ai i adhuronte qentë dhe dikur kishte pasur një beagle që kishte fituar disa çmime në konkurse. Jemi ngritur dhe i jemi bashkuar Harrietit në kuzhinë përpara se të drejtohemi nga prapa kurtit.
Stuhia ishte qetësuar, yjet xixëllonin në një qiell blu. Qeni rrinte i shtrirë në të njëjtin vend si më parë. Të mbledhur përreth, ne kemi dëgjuar ritmin e ngadaltë dhe të thellë të frymës së tij. Duke menjanuar me një ngritje supesh paralajmërimet e Harrietit në lidhje me tërbimin e tij, Dominic është përkulur të ledhatojë kokën e tij të stërmadhe të heshtur. Nuk kisha parë kurrë qen më të trishtë, më të pangushëllueshëm. […]