PERKTHIME

Tė ēosh autorin tek lexuesi, tė sjellėsh lexuesin tek autori.

Ruben Gonzalez GALLEGO (1968)

 

 

Ruben Gonzalez Gallego, lindur në Moskë më 1968, paralizuar nga të katër gjymtyrët. Jetim, ai është i dënuar të endet nga jetimorja në jetimore në një vend ku sakatët nuk duhet të duken. Disa fëmijë kthehen në familje për pushime, marrin pako ; por Ruben, vetëm, fillikat. Në jetimore, tetot duhet të merren me kujdesin ndaj tyre. Zemërmira, nuk ka dhe aq shumë : « Nëna jote, kurvë zezake », « I gjori ti, për ty do të ishte më mirë që të vdesësh sa më shpejt ». Natën, mos u lodh kot të thërrasësh, askush nuk vjen. Djali i vogël mëson të rrëzohet vetë nga shtrati ; sigurisht që i dhemb, por të paktën mund të zvarritet.

Që në moshën 10 vjeç, Rubeni kupton që ata të cilët nuk mund të ecin janë të dënuar për në azilin e pleqve, me fjalë të tjera, vdekimore. Pak rëndësi nëse je më i miri i klasës : Rusia e Brezhnjevit i rradhit sakatët fizikë në të njëjtën kategori me debilët. Ai i shpëton njëherë azilit në moshën 15 vjeç. Drejtori nuk pranon ta marrë fëmijën, me motivin që ai nuk do të mbijetonte as dy muaj. Mirëpo ai ka të drejtë të varrosë vetëm individë më shumë se 18 vjeç… E ku do ta vendoste ai tërë këtë kohë ? Frigoriferët e tij janë të prishur !

Më 1990, gjatë perestrojkës, një grua e re ia arrin ta nxjerrë Rubenin nga azili. Më vonë, ai do ta marrë vesh të vërtetën. E ëma, e bija e një funksionari të lartë komunist spanjoll, klandestin, ishte shtatzanë me binjakë. Foshnja e parë vdes. Rubeni, i prekur nga një paralizë cerebrale, mbijeton, jeton një vit e gjysmë mbyllur me të ëmën, dhe pastaj i ndajnë. Së ëmës i thonë që ai ka vdekur.

Ruben Gonzalez Gallego është një i mbijetuar. Të gjithë shokët e tij të jetimores kanë vdekur.

 

 

 

 

 

FALENDERIME

 

Falemnderit Evës, nëna e tërë njerëzimit, që ka kafshuar mollën.

Falemnderit Adamit për pjesëmarrjen.

Falemnderit veçanërisht Evës.

 

Falemnderit gjyshes sime Espérance që ka lindur nënën time.

Falemnderit Ignacios për pjesëmarrjen.

Falemnderit veçanërisht gjyshes sime.

 

Falemnderit nënës sime që më ka sjellë në botë.

Falemnderit Davidit për pjesëmarrjen.

Falemnderit veçanërisht nënës sime.

 

Falemnderit nënës sime që ka lindur motrën time.

Falemnderit Sergios që ka ndihmuar.

Falemnderit veçanërisht nënës sime.

 

Falemnderit mësueses sime të letërsisë e cila, një ditë, më solli supë pule kur isha sëmurë, që na sillte reçel në klasë, ne e hanim dhe ishim krejt të lumtur. Ajo më vlerësonte me notën më të mirë kur i bëja detyrat, një zero kur nuk i bëja.

Falemnderit Sergios për rileximin e teksteve të mia të para dhe botimin e tyre.

Falemnderit veçanërisht mësueses sime për reçelin.

 

Falemnderit dy bashkëshorteve të mia për ekzistencën e tyre.

Falemnderit dy vajzave të mia që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë.

Falemnderit veçanërisht dy vajzave të mia për ekzistencën e tyre.

 

Falemnderit të gjitha femrave, vajza të vogla dhe gjyshe, të reja dhe të vjetra, të bukura dhe më pak të bukura.

Falemnderit të gjithë burrave.

Falemnderit veçanërisht të gjithë burrave për pjesëmarrjen e tyre.

 

Dhe falemnderit edhe njëherë nënës sime.

 

 

 

 

Parathënie

 

MBI FORCEN DHE MIRESINE

 

 

Nganjëherë, njerëzit më pyesin nëse kjo që shkruaj ka ndodhur me të vërtetë. Nëse heronjtë e mi janë të qenësishëm.

Përgjigjem që po, që kjo ka ndodhur vërtetë, që personazhet e mi janë të qenësishëm, aq sa s’mund të bëhet më. Sigurisht, heronjtë e mi janë personazhe të krijuara duke u nisur nga kaleidoskopi i pafund i jetimoreve të mia të shumta. Por ajo çka shkruaj është e vërtetë.

E vetmja gjë që në veprën time shmanget nga e përjetuara ime e vërtetë, dhe që shkon nganjëherë deri ta kundërshtojë atë, vjen nga vështrimi im si autor ndoshta tejet i prirur drejt sentimentalitetit dhe madje drejt pathosit.

Jam i bindur që ka tashmë tepër sterrë në jetë dhe në letërsi. Fati ka dashur që të kem parë mizorinë dhe urrejtjen për të cilën është e aftë qenia njerëzore. Të përshkruash neverinë e rrëgjimit njerëzor dhe të poshtërsisë së tij shtazore nuk do të bënte gjë tjetër veçse të shtojë një hallkë më tepër në zinxhirin e pambarueshëm të pulsioneve të këqija. Nuk dua kështu. Flas për të mirën, për fitoren, për gëzimin dhe dashurinë.

Flas për forcën. Forcën shpirtërore dhe fizike. Forcën që është në secilin prej nesh. Forcën që, fitimtare, përmbys të gjitha pengesat. Secili prej rrëfimeve të mia tregon një fitore. Edhe djali i vogël i rrëfimit paksa të trishtë të titulluar "Topthi", fiton në fund. Dy herë. Hera e parë, kur ai nxjerr nga një grumbull rrëmujë diturish të panevojshme dy fjalë që i shërbejnë si thikë që nuk e ka, dy fjalë që e arrijnë kundërshtarin e tij. Hera e dytë, kur ai vendos të hajë topthat e mishit, domethënë kur ai vendos të jetojë.

Fitojnë gjithashtu ata për të cilët e vetmja dalje fitimtare është për ta braktisur jetën vullnetarisht. Oficeri që vdes përballë armikut më të madh në numër, që vdes në përputhje me kodin e nderit, është fitimtar. Përulem para këtyre njerëzve. Por kjo është njëlloj, thelbësore tek ky njeri janë pellushët. Jam i bindur se të qepësh arushë dhe lepurushë të vegjël tërë jetën është njëqind herë më e vështirë sesa të presësh një qafë me një të rënë. Jam i bindur se fëmija e cila merr si dhuratë një lodër të re peshon pesëmijë herë më shumë në peshoren e vlerave njerëzore sesa çfarëdo fitore ushtarake.

Ky është një libër mbi jetën time. Një fëmijëri e egër, e tmerrshme, por një fëmijëri sidoqoftë. Për të ruajtur në vete dashurinë për botën e jashtme, për t’u rritur dhe u bërë një madhor, një fëmijë ka nevojë për vërtetë pak gjëra : një copë sallam, një fetë bukë, një grusht hurmash arabie, qiell blu, disa libra dhe ngrohtësinë e një fjale njerëzore. Kjo është e mjaftueshme, më shumë se e mjaftueshme.

Heronjtë e këtij libri zotërojnë një forcë të madhe, një forcë vërtetë të madhe. Njeriu ka shpesh nevojë të jetë i fortë. Dhe i mirë. Jo çdokush mund t’ia lejojë vetes të jetë i mirë, jo çdokush është i aftë të kapërcejë pengesën e moskuptimit të përgjithshëm. Mjaft shpesh, njerëzit e marrin mirësinë për dobësi. Kjo është e trishtë. E vështirë të jesh një qenie njerëzore, mjaft e vështirë por plotësisht e mundshme. Për t’u bërë e tillë, nuk është aspak e domosdoshme të bësh të bukurin. Aspak e detyrueshme. Jam i bindur.

 

 

 

 

E BARDHE MBI TE ZEZE

 

Asgjë më tepër sesa shkronja,

Shkronja në tavan, mbi sfondin e zi, ngadalë,

Të bardha, zvarriten.

Ato fillojnë të shfaqen natën pas çdo ngushtimi të ri kardiak.

Mund t’i zhvendosja mbi tavan,

Të formoja fjalë dhe fjali. Në mëngjes nuk më mbetej më

Veç t’i shkruaja në kujtesën e kompjuterit tim.

 

 

 

 

HEROI

 

 

Jam një hero. Është e lehtë të jesh një hero. Kur nuk ke as krahë as këmbë – ti je ose një hero, ose ke vdekur. Kur nuk ke prindër – mbështetu tek krahët dhe këmbët e tua. Dhe përpiqu të jesh një hero. Nëse nuk ke as krahë as këmbë dhe veç kësaj ti je kallaisur që të vish jetim në këtë botë – këtu ia ke arritur. Ti je i dënuar të jesh një hero deri në ditën e fundit. Ose të ngordhësh. Jam një hero. Thjesht ngaqë nuk kam zgjedhje tjetër.

 

Jam një djalë i vogël. Është natë. Dimër. Kam nevojë të shkoj në banjo. Të thërras tetën, kjo nuk do të shërbente për asgjë.

Nuk kam ç’bëj, më duhet të zvarritem deri tek banjot.

Fillimisht, më duhet të dal nga shtrati. Ka një mënyrë, e kam shpikur vetë. Rrëshqas ngadalë deri tek cepi i shtratit, kthehem në shpinë dhe bie përtokë. Përplasje. Dhimbje.

Zvarritem deri tek dera që të nxjerr në koridor, e shtyj me kokë dhe dal nga salla pak a shumë e ngrohtë në të ftohtë dhe terr.

Natën, të gjitha dritaret janë të hapura. Bën ftohtë, shumë ftohtë. E unë, jam lakuriq.

Duhet zvarritur një copë udhë. Kur kaloj para dhomës ku flenë tetot, përpiqem t’i thërras në ndihmë, godas me kokë derën e tyre. Askush nuk lëviz. Bërtas. Askush. Ndoshta nuk bërtas dhe aq fort.

Deri në të mbërritur tek banjot, tashmë jam përfundimisht i ngrirë akull.

Edhe këtu dritaret janë të hapura, ka borë mbi parvaz.

Arrij uturakun. Prehje. Më duhet të mbushem në frymë para se të ndërmarr rrugën e kthimit. Ndërsa prehem aty, urina në uturak fillon të mbulohet me një cipë të hollë akulli.

Rikthehem duke u zvarritur. Tërheq me dhëmbë mbulesën e rënë përtokë të shtratit dhe mbulohem si të mundem. Përpiqem të fle.

Dhe të nesërmen, do të më veshin dhe do të më çojnë në klasë. Në orën e historisë do të recitoj trimërisht tekstin që flet mbi tmerret e kampeve naziste të përqëndrimit. Do të kem notën më të mirë. Marr gjithmonë nota të mira në histori. Marr nota të mira në të gjitha lëndët. Jam një hero.

 

 

 

 

BAJONETA

 

 

Një bajonetë është një armë e mrekullueshme, mund të kemi besim në të. Mjafton një goditje dhe armiku është përtokë. Një bajonetë e shpon trupin e armikut tejpërtej. Ajo nuk ju tradhton kurrë, godet gjithmonë aty ku duhet. Plumbi është qorr, plumbi ska mend. Ai mund të prekë rrëshqanthi një trup ose të qëndrojë brenda dhe të shkatërrojë një jetë njerëzore nga brenda. Një bajonetë nuk është një plumb, një bajonetë është një armë e ftohtë, një nga mbetjet e fundit të shekullit të XIX-të.

Mbi kapakun e librit të parë të Nikolai Ostrovski[1] ka një bajonetë në reliev. I verbër, i paralizuar, shkrimtari nuk mund ta rilexonte më librin e vet. Atij nuk i mbetej më veçse të përkëdhelte, ende dhe përsëri, tehet e thikës. Thika më e sigurtë në botë – ajo e bajonetës prej letre.

Vikingët e hershëm ishin luftëtarët më të mirë në botë. Luftëtarë trima, pa frikë, shpirtra të fortë. Një Viking i rënë në luftë nuk ishte megjithatë i dalë jashtë luftimi. Një Viking i rënë në luftë, sa kohë që i mbetej dhe një frymë jete, i qepej me gjithë dhëmbët e vet këmbës së kundërshtarit. Të vdesësh ngadalë duke mallkuar jetën tënde të fëlliqur, duke prishur dhe helmuar jetën tënde dhe atë të të afërmve përmes sharjesh të përjetshme në lidhje me fatin tënd të keq – ky është fati i të dobtëve. Ushtari në luftë nuk merakoset për çështjen e përjetshme e cila mundon Hamletin. Të jetosh duke luftuar dhe të vdesësh në luftë është e njëjta gjë. Të jetosh apo të vdesësh përgjysmë, për asgjë, kjo është e neveritshme, e ulët. Më e mira që mund të shpresojë një i vdekshëm është të vdesë duke luftuar. Më fatlumët, me një fjalë ata që janë lindur me këmishë janë ata që vdesin në fluturim të plotë. Vdekja më e mirë është kur ju vdisni duke shtrënguar frerët e kalit tuaj apo komandat e avionit tuaj gjuajtës, shpatën apo mitralozin, çekiçin e farkëtarit apo mbretin e shahut. Nëse keni humbur një dorë në luftë, ska gjë. Ju mund ta kapni thikën në fluturim me dorën tjetër. Nëse jeni rrëzuar – nuk ka humbur gjithçka. Ju mbetet dhe një mundësi, një mundësi e fundit – të vdisni si një Viking me nofullat tuaja të shtrënguara në thembrën e kundërshtarit. Pak vetë e kanë këtë fat. Homeri dhe Beethoveni janë përjashtime që vërtetojnë rregullin. Por duhet luftuar, nuk ka mënyra të tjera, të gjitha mënyrat e tjera janë të pandershme dhe të pavlera.

Kam qarë mbi librin e Ostrovskit. Librat, njëlloj siç njerëzit, janë të ndryshëm. Nëse e mendojmë pak, por mjaft seriozisht, librat vizatimorë janë gjithashtu libra. Libra të bukur me figura të bukura. Lodra argëtuese. Në letër me lustër, librat vizatimorë kanë një përparësi të madhe mbi librat e tjerë – fëmijët nuk qajnë mbi to. Fëmijët e vegjël të gëzuar nuk kanë asnjë nevojë të qajnë mbi libra. Çështja "të jesh apo të mos jesh" nuk shtrohet fare për ta. Ata nuk janë tjetër veçse fëmijë, thjesht fëmijë dhe është tepër herët që të mendojnë gjëra të thella. Kurse unë, kur lexoja një libër, lexoja dhe qaja nga pafuqia dhe zilia. Doja të shkoja atje, doja të shkoja në luftim, por kjo më ishte ndaluar. Nuk kisha të drejtë për asgjë. Isha mësuar me këtë por përsëri qaja. Ka libra që ju ndryshojnë këndvështrimin tuaj mbi botën, libra pas së cilëve ju keni dëshirë të vdisni ose të jetoni ndryshe.

Nëse duam të kuptojmë diçka, duhet të pyesim njerëzit dhe librat. Librat janë gjithashtu njerëz. Ashtu si njerëzit, librat mund të sjellin ndihmë dhe, njëlloj si njerëzit, ato mund të tregojnë gënjeshtra.

Nuk lexoja për të lexuar – doja të kuptoja si ishte ndërtuar bota. Doja të mësoja si duhet të jetoja në këtë botë. I pyesja njerëzit – nuk më përgjigjeshin. E kërkoja përgjigjen në libra – librat më përvidheshin. Librat më rrëfenin në imtësi, me mjaft hollësira sesi jetohet kur ju është dhënë gjithçka. Heronjtë e librave vuanin dhe unë habitesha. Unë, qenie e vërtetë prej mishi dhe gjaku, nuk i kuptoja këto krijesa librash, dhe nuk i ndjeja vuajtjet e tyre në letër. Ata ishin të shtirë, njëlloj si mësuesit e shkollës. Mësuesit më këshillonin të lexoja libra, e unë lexoja. Lexoja ç’të më binte në dorë, lexoja gjithfarë përshkrimesh të pafundme dhe të mërzitshme individësh të marrë, të dobët dhe përtacë. Mësuesit i quanin këta heronj – por unë nuk e kuptoja ku qëndronte heroizmi i tyre.

D’Artagnan – një hero ? Po me ç’të drejtë kështu, nëse ai kishte këmbë dhe duar ? Atij i ishte dhënë gjithçka – rinia, shëndeti, bukuria, një shpatë dhe arti i përdorimit të saj. Ku qëndronte heroizmi i tij ? Një hero, ky frikacak, ky tradhtar, që gjatë gjithë librit kryente marrëzira në emër të lavdisë dhe parasë ? E lexoja librin pa e marrë vesh as gjysmën. Që të gjithë, të rriturit dhe fëmijët, thoshin që "tre musketjerët" ishin heronj. Nuk diskutoja, të diskutoja nuk kishte kuptim. Sidoqoftë, ata nuk mund të më shërbenin për model.

E kam rilexuar disa herë këtë vëllim të trashë. Kam lexuar gjithashtu vazhdimin e epopesë së lavdishme të këtyre tre trimave musketjerë. Vazhdimi nuk më ka zhgënjyer. Ky përbindsh i mjerë – Z. Coquenard – bëri atë çka duhet të bëjnë heronjtë e vërtetë – ai vdiq. Vdiq, duke ia lënë gruan dhe paratë e veta Porthosit. Nuk kisha asnjë simpati për Z. Coquenard. Do të kisha qenë në anën e këtij plaku të gjorë nëse ai do të kishte pasur guximin dhe zgjuarsinë të hidhte helm në gotën e verës së Porthosit. Por nuk ka mrekullira. Fatkeqi sakat kishte shkuar ngadalë deri në fund të një jete të qelbur, hija e karrikes së tij me rrota duke theksuar veprimet e bujshme të heronjve të vërtetë. I gjori.

Të tjerët nuk vlenin më tepër. Xhuxha të mjerë që të ngjallnin përbuzje. Insekte që nuk kishin asgjë njerëzore përveç emrit. Thasë muti, të padenjë për parajsën si dhe për ferrin. Luftëtarë të paaftë për të jetuar dhe për të vdekur. Vetëm disa prej tyre kishin të drejtë për respekt nga ana ime. Porthos, për shembull. Porthos më pëlqente shumë më tepër se Coquenard. Të paktën, Porthos kishte qenë i aftë të vdiste si një burrë.

Gwinplen ishte një budalla që vuante për cikërrima. Gjoja i shpërfytyruar ai, eh mirë, mirë ! Cyrano sillej në një mënyrë pak më të zgjuar. Me dy krahë të fortë dhe një shpatë të mirë të mprehur, çështja e bukurisë shtrohet ndryshe. Një shpatë është një argument jo i papërfillshëm. Por edhe Cyrano më kishte zhgënjyer. I fortë në marrëdhëniet e tij me burrat, ai nuk dinte tjetër veçse të qahej dhe të qurravitej përballë dashurisë.

Lakmoja Quasimodo. Njerëzit e vështronin siç më vështronin mua, me pështirosje dhe mëshirë. Por ai kishte duar e këmbë. Kishte tërë katedralen, tërë Notre-Dame, për vete.

Heronjtë e librave nuk ishin heronj, ose fare pak. Më të mirët ndër ta silleshin nganjëherë si burra, me pahir, do të thoshim. Vetëm pak minuta para se të vdisnin, ata i lejonin vetes të jetonin. Nuk më pëlqenin tjetër përveç në këtë çast. Vetëm një vdekje e denjë i pajtonte me një jetë të pakuptimtë.

Më ndodhte rrallë të qaja duke lexuar. Kisha tashmë mjaft arsye për të qarë dhe s’kisha nevojë të kërkoja ndihmën e një fatkeqësie imagjinare nëpër libra. Ndërsa ky libër këtu ishte një libër autentik. Ky libër nuk gënjente.

Pavka Korçagin[2] fluturonte mbi kalë dhe e përdorte shpatën po aq mirë sa musketjerët. Pavka Korçagin ishte një djalë i fortë dhe i guximshëm. Ai luftonte për një ide, dhe nuk kishte nevojë për tituj dhe para. Budionovka[3], ky kapuç i mjerë në pëlhurë, imitim qesharak i kaskës së kalorësve të Mesjetës, nuk mund ta mbronte nga plumbi i poshtër armik. Tehu i shpatës së tij nuk mund të bënte asgjë kundër një gryke pushke. Edhe pse e dinte këtë, ai hidhej përsëri në sulm. Shkonte përpara, përsëri e përsëri. Përsëri e përsëri, ai vraponte atje ku beteja ishte më e ashpër. Luftonte dhe dilte fitimtar, gjithmonë fitimtar. Falë armës dhe fjalës. Kur trupi i tij e la në udhë, kur dora nuk qe më në gjendje të mbante një shpatë, ai ndryshoi armën, e la tehun për penën. Qe i aftë për këtë. Kalorësi i fundit i armës së bardhë. Vikingu i fundit i shekullit të XX-të.

Ç’i mbetet njeriut kur nuk i mbetet më pothuaj asgjë ? Me çfarë ta justifikojë gjysmë-ekzistencën e tij të mjerë prej gjysmë-kufome ? Përse të jetohet ? Këtë nuk e dija as atëherë e as nuk e di sot. Por, njëlloj si Pavel Korçagini, nuk dua të vdes para vdekjes sime. Do të jetoj deri në fund. Do të luftoj. Shtyp ngadalë mbi butonat e tastierës së kompjuterit tim, i bëj shkronjat të shfaqen njëra pas tjetrës. Farkëtoj me kujdes bajonetën time – librin tim. E di që nuk kam të drejtë përveçse një goditje, që nuk do të më japin një rast të dytë. Përpiqem, përpiqem shumë. E di që bajoneta është diçka e sigurtë. Një send i mrekullueshëm, mund të mbështetesh në të. [...]



[1] Dhe çeliku qe kalitur, botimet EFR, 1957.

[2] Pavel, emri përkëdhelës Pavka, Korçagin, heroi i Dhe çeliku qe kalitur i Nikolai Ostrovskit.

[3] Kapuç i përdorur në kavalerinë e Budienit, hero sovjetik i luftës civile.