Në lidhje me Romain Kacew, Shatan Bogat, Fosco Sinibaldi apo Romain Gary, e vetmja gjë që dimë me siguri është dita e lindjes : 8 maj 1914 në Vilnius, dhe dita e vdekjes : 2 dhjetor 1980 në Paris. I martuar me aktoren e njohur amerikane Jean Seberg, e cila ka vrarë veten (me gëlltitje barbiturikësh) në shtator 1979. Asokohe, ata ishin të ndarë. Një vit më pas, Romain Gary i jep fund jetës me një plumb në kokë. Por vetëm pas vdekjes u mësua që Romain Gary ishte dhe autori i katër romaneve të tjerë me pseudonimin Emile Ajar. Një ndër këto romane, Jeta përpara vetes, pati fituar çmimin më të lartë letrar francez, Goncourt, 1975. Por Romain Gary e kishte fituar tashmë këtë çmim, 1956, me romanin Rrënjët e qiellit. Rregullorja e këtij çmimi e ndalon kategorikisht dhënien dy herë të njëjtit shkrimtar. Atëherë ai paraqet kushëririn e tij Paul Pavlovitch për t’u hequr si Emile Ajar. Kjo është marrë vesh vetëm pas vetëvrasjes së Gary, në një copë letër të lënë nga ai ku zbulonte të vërtetën.
Me origjinë çifute, gjatë Luftës së Dytë botërore ka shërbyer në Forcat e Lira Ajrore Franceze, dhe ka qenë mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i gjeneral de Gaulle. Pas luftës, ai fillon një karrierë diplomati në shërbim të Francës. Emërohet konsull i përgjithshëm i Francës në Los Angeles (Kaliforni).
Disa nga romanet e tij janë përshtatur për kinema, veçanërisht Dritë gruaje (1979) të Costas Gavras, me Yves Montand dhe Romy Schneider në rolet kryesore, dhe Jeta përpara vetes (1977) të Moshe Mizrahi, film i cili fitoi çmimin Oscar për filmin e huaj më të mirë, dhe ku në rolin e Zonja Rozës, Simone Signoret fitoi çmimin César si aktorja më e mirë.
Pjesa që do të lexoni më poshtë është kapitulli i parë i romanit Dritë gruaje, të cilin e kam të përfunduar tashmë dhe pret dritën jeshile të botimit.
I
Po zbrisja nga taksia, dhe duke hapur derën u përplasa me të, ajo me çanta ndër duar : bukë, vezë, qumësht, u shpërndanë mbi trotuar – dhe ja kështu jemi takuar, nën një shi të imët e të mërzitshëm.
Ajo duhej të kishte moshën time, aty rrotull. Një fytyrë që dukej të kishte pritur flokët e bardha për të arritur atë çka rinia dhe hijeshia e trajtave nuk kishin bërë gjë tjetër veçse përvijuar diçka si një premtim. Ajo dukej e mbushur në frymë, njëlloj sikur të kishte qenë vonë dhe të kishte vrapuar. Nuk iu besoj parandjenjave, por ka shumë kohë që e kam humbur besimin në mosbesimet e mia. Këto « nuk besoj më » janë ende siguri dhe nuk ka asgjë më mashtruese sesa kjo.
U përpoqa të mbledh ç’kishte mbetur nga ushqimet dhe desh u rrëzova. Duhej të ngjaja tepër qesharak.
- Ska gjë…
- Më vjen keq, më vjen… Më falni…
Ajo qeshte. Rrudhat thelloheshin përreth syve, dhe vitet shtroheshin, vinin të merrnin vendin e tyre.
- Nuk është thyer ndonjë gjë e madhe, mos u bëni merak. Ka edhe më mirë…
Tashmë, ajo kthehej nga unë, dhe këtu ishte tërë frika ime : të mos isha « ashtu siç duhet », të mos respektoja sjelljet e duhura në këto raste.
Qe shoferi i taksisë ai që na shpëtoi. U përkul drejt meje, një buzëqeshje të vogël në buzë :
- Më falni, zotëri, rrugën Bourgogne, ju lutem ?
- Por… ne aty jemi.
- Një bar të vogël, në cep të rrugës Varenne, e njihni ?
- Këtu është.
- Atëherë çfarë prisni të më paguani ?
Kërkova nëpër xhepa. Nuk kisha më asnjë frang. I kisha këmbyer të gjitha në aeroport, dhe kur desha t’ia hedh me dollarët e mi, menjëherë m’u tërhoq vëmendja që « këtu jemi në Francë ». Nuk dija ç’të bëja, dhe ajo më erdhi në ndihmë, një grua me flokë të thinjur e të ngatërruar, e veshur me një pallto gri, e cila rregullonte ushqimet e derdhura dhe kthehej drejt meje me më shumë ironi sesa përkujdesje :
- Nuk duket mirë puna…
E megjithatë besoja që, parë nga jashtë, nuk isha fort i dukshëm. Nuk mbaja uniformën e pilotit, por kisha ditur të ruaja, në sytë e pasagjerëve dhe ekuipazhit, pamjen e qetë të atij që është i rënduar në shpirt dhe që e ka zakon të rikthehet nga larg. E kisha fizikun, siç thuhet : shpatulla të forta dhe një vështrim ngulitës. Për çdo minutë që kalonte, mbetej gjithnjë e më pak nga vetja ime, por sot ka goma të çara që mund të bëjnë ende njëmijë kilometra.
- Po, zonjë, kjo është një nga ato çastet ku, në romanet e vjetra, kërkojmë ndihmën e një prifti, mundësisht të panjohur, thashë unë.
Nuk arrita ta bëja të buzëqeshte. Sytë e mi lypnin dhe ajo duhej ta ndjente këtë. Nuk isha ndjerë kurrë më në hall. Kur i kërkova më vonë Lydias çfarë mendonte ajo gjatë atyre çasteve të para, ajo iu shmang pyetjes. « Mendoja që i kisha dhënë njëqind franga një tipi krejt të dehur dhe që nuk do t’i shihja më. » E vërteta është që jeta na kishte hedhur në ferra, si mua dhe atë, dhe kjo është gjithmonë ajo çka quhet një takim.
- Dëgjoni, do t’jua kthej paratë…
- Nuk ka ndonjë rëndësi, vërtetë.
- Do t’ju bëj një çek, nëse më lejoni…
Po rikthehesha nga aeroporti i Roissy. Kisha vajtur me taksi në aeroport nga fillimi i pasdites për të marrë avionin për Caracas, siç ishte parashikuar. Isha ulur në një cep, kapelen mbi sy, përballë murit, dhe kam qëndruar aty, duke dëgjuar lajmërimet e fluturimeve. Pas shtatëmbëdhjetë vjet në Air France, isha i njohur nga shumica e ekuipazheve, dhe doja t’i shmangia takimet dhe pyetjet miqësore. « Ç’bën ti këtu, si udhëtar ? Shiko, shiko, gjashtë muaj pushime, o po ti ke dalë mendsh ! Po Yannik ? Pra kështu ti, tani shkon me pushime pa të, hë ? » Isha në një gjendje të atillë turbullimi saqë të gjitha vendimet zbatohen përnjëherë me veprime të kundërta. Dëgjova thirrjen për Caracas, përshkova hollin, mora një taksi dhe i dhashë adresën tonë, rruga Vaneau. U përmenda në kohë dhe e luta shoferin të më lerë përballë barit, aty në cep. Ishte fare afër, ne banonim në këtë lagje prej shumë vitesh, dikush do të kishte mundur të më njihte. « Në ç’orë e keni braktisur ? – Në orën tre pasdite. Po nisesha për Amerikë të Jugut dhe avioni im… - Ju kanë parë në rrugën Varenne në orën shtatëmbëdhjetë e njëzetë. – Po, jam rikthyer. – Dhe pastaj nuk jeni futur në shtëpi ? E megjithatë e kishit veçse dy hapa larg. – Jo, jam ndalur në çastin e fundit. Dhe pastaj, kishim rënë dakort… - Çfarë pra ? – Nuk kam asgjë për të më qortuar. Nuk kishte më asgjë për t’u bërë. – Në këto raste, zotëri, nuk jemi aq të ulët sa të qëndrojmë në jetë. Jemi më elegantë dhe ia heqim një plumb vetes. » E kisha tepruar gjithmonë me ironinë, në raportet e mia me vetveten. Por nëse më duhej të zgjasja ende dhe ca vite të tjera, më mirë të mësohesha shpejt e shpejt me këto pyetje. Nuk shkonte të ndalesha. Megjithatë, e vetmja gjë që mund t’i qortoja vetes ishte që nuk kisha marrë avionin. Nuk isha një kriminel që rikthehej të bridhte në vendin e krimit, vetë vendi është një kriminel tejet i moçëm, qyshkur ai rrotullohet rreth diellit.
Ne ishim në këmbë nën shi, midis ushqimeve.
- Tashmë, nuk po arrijmë të ndahemi, i thashë unë.
Ajo qeshi dhe mbi fytyrë pati edhe ca rrudha të tjera siguridhënëse.
Kafeneja quhej Chez Arys. Në banak, një burrë mjaft elegant me një pallto bezhë, një Borsalino në kokë, mbante në dorë lakun e një qenushi gri, të qethur si një kopsht i Le Nôtre. Nga njëra prej atyre rastësive për të cilat nuk jemi asnjëherë të sigurtë që të jetë një e tillë, dhe as nëse është për tallje apo për mirësjellje, në një juke-box, një adoleshent krejt në punë të vet, dëgjonte një shopinatë.
- Do të ishte më mirë sikur të flasim, sepse pa këtë, gjërat shkojnë shumë shpejt asgjëkundi dhe pastaj, do të duhet të rikthehemi… « Nuk di pse jam në këtë kafene me dikë që s’e njoh », kështu ?
- Po, kështu.
Kamarieri kishte ardhur të merrte porosinë.
- Dy kafe, thashë unë, dhe u ktheva nga ajo :
- Ja, kështu kemi një arsye të jemi këtu.
Pak ironi në buzëqeshjen e saj.
- Unë po pres çekun tim, dhe kaq.
- Mos…
Nxora bllokun e çeqeve nga çanta e udhëtimit.
- Në ç’emër ?
- Shënoni : prurësit…
- Sidoqoftë do të doja ta njihja emrin tuaj, nuk i dihet…
- Lydia Towarski.
Njeriu me qenush bëri përpara drejt meje.
- Më falni, zotëri… zonjë…
Ai e ngriti dhe e uli kapelen e tij me një lëvizje të kyçit.
- … Jam zbutës qensh dhe… kam përshtypjen…
- Las Vegas, 1975, thashë unë.
Ai u duk i ngazëllyer.
- Ju bënit një numër me… ?
- Isha barman në Sand’s.
- Ah po, tani më kujtohet.
Ai më zgjati kartën e tij. Señor Galba, dhe adresa agjencish në New York, Paris dhe Londër.
- Kur udhëton papushim, fillon të mos njohësh askënd…
Nuk flisja. Ai e kuptoi, u duk të kishte humbur gjithë ç’kishte në ruletë, hoqi dhe vuri përsëri kapelen dhe e shoqëroi qenushin në banak.
- Ç’bënit ju si barman në Las Vegas më 1975 ?
- Asgjë. Nuk isha atje. Por ai kishte nevojë të njihte dikë…
Ajo më pa me kureshtje dhe jo pa njëfarë ftohtësie.
- Kur e zbulojmë kaq shpejt vetminë tek i panjohur…
- Nuk do të lëshohemi në konfidenca të këtij lloji, zonjë, i thashë unë, kokën lart e plot dinjitet.
Ajo filloi të qeshë dhe përreth meje pati më pak fantazma.
- … Thashë « zonjë » për të vënë në dukje që nuk afrohem shpejt… Ne nuk njihemi, zonjë, dhe më besoni që nuk e zmadhoj fare rëndësinë e dy kafeve… Jam përplasur me ju para pak, duke dalë nga taksia, dhe kaq…
- Eshtë e sjellshme të bësh shaka.
- Sikur të mund t’ju bëja të qeshni pak, do të ndihesha më mirë : të bësh për të qeshur, nuk ka asgjë më bujare. Po tek ju, gjithçka mirë ?
Prapa xhamit kalonin makina – e sigurtë kjo, ishte një rrugë njëdrejtimshe – dhe dita po mbyllej. Zbutësi i qenve po dehej shpejt në bar dhe së shpejti nuk do të kishte më nevojë për askënd. Qenushi i tij e vështronte me ankth, sepse nuk është e lehtë të kuptosh një burrë.
Ne heshtnim dhe kjo na shkonte më së miri : heshtja nuk po kthehej e padurueshme. Ajo më dukej pak e çoroditur, por ndoshta kisha thjesht nevojë për shpresë.
- Më falni, thashë unë. Nuk jam… Jam…
- Po, e shoh. I njoh pak shenjat e dëshpërimit. E kam studiuar kodin, që ta merrni vesh ju. Kam humbur burrin dhe vajzën e vogël në një aksident makine para gjashtë muajsh. Mirë, them se tani mund të ndahemi.
Ajo më zgjati një dorë në dorashkë.
- Gajret. Ndoshta do të rregullohet.
- Me siguri që do të kthehem në Francë nga fillimi i vitit dhe nëse më lejoni…
- Sigurisht. Jeni për larg ?
- Caracas.
Ajo rrëmoi gjatë në çantën e vet dhe nuk gjeti as laps as letër. Shkova të marr një Bic në banak dhe ajo shkroi « Lydia Towarski », një adresë dhe një numër telefoni mbi fishën rozë 6,30 Franga, përfshirë shërbimi. Letrën e futa në xhep.
Ajo më buzëqeshi mirësjellshëm, për të gjitha, dhe iku. Nuk isha i sigurtë që ia kisha mbajtur mend fytyrën dhe e ndoqa në trotuar. Ajo u kthye dhe priti.
- Asgjë, thashë unë. Është thjesht për t’ju njohur, herën tjetër…
Ajo i mbante flokët e saj të bardha tejet të gjata, deri në supe, dhe nuk e dija nëse kjo ishte ngaqë ajo mendonte me kohën apo ngaqë i kujtohej tashmë vetvetja. Mollëzat e faqeve ishin të larta, të kërcyera, dhe sytë e zinj dukeshin kështu çuditërisht të larguar, të zhytur në thellësi, të fundosur në mbretërinë e tyre të hijes ; vetullat tejet të drejta mbartnin në mes një rrudhë të thellë, të strukur si një zog.
Një çast, ajo prehu dorën mbi krahun tim, një gjest miqësor.
- Do të duhej të ktheheni në shtëpi dhe të flini. Më telefononi një ditë, kur të kthehemi që të dy nga vende tejet të largta nga ku gjendemi tani, në këtë çast…
Një taksi kaloi dhe gjithçka përfundoi.
Ia kisha dalë mbanë të vrisja gjysmë ore.
Jam rikthyer në kafene. Karrikja ishte gojëshqyer bosh. Kishte një tavëll duhani. Miku im i Las Vegasit ishte ende në banak dhe u ngrita të shkoj t’i paguaj diçka për t’i rritur moralin. Një raki, të fortë. Palltoja me jakë të ngritur, Borsalinoja e vjetër me strehë të gjerë e anuar mbi syrin e djathtë, flokët e lyer me kujdes për të lënë një gri të bukur në tëmtha, kishin tridhjetë vjet më shumë se kujtimet e mia : Bugatti, Delage, dhe në kinema, Gina Manès dhe Jean Murat. Hunda ishte jo e vogël, mefistofelike, dhe mbulonte dy vrimëza të shkëlqyera. Sytë ngjyrë ulliri të zi ku lexohej nuk e di çfarë pleqërie Kazanove, dhe, në kontrast me ankthin e vështrimit, hunda dukej të zgjatej përpara siç për të kërkuar ndihmë. Ai bënte një numër cirku në Clapsy’s dhe të nesërmen ikte me trupën e tij – një ndihmës, një shimpanze, tetë qenushë – për Meksikë dhe Amerikë të Jugut.
- Një numër i njohur botërisht. Vite të tëra përpjekjesh… Vepra e një jete. Mjerisht, halle me sigurimet. Këtu…
Ai preku zemrën.
- Tre infarkte. Smrt.
- Më falni ?
- Në serbisht, vdekja, kështu thuhet : smrt. Flas shtatë gjuhë, por janë Sllavët ata që kanë ditur të gjejnë emrin më të mirë, tingullin më të vërtetë, për këtë gjë… Smrt, në serbisht, smiert, në rusisht, śmierć, në polonisht… Gjarpërore, zvarranike… Kurse tek ne, në Perëndim, kemi tinguj mjaft fisnik : mort, muerte, todt… Por smrt… Do të thoshim një pordhë e paturpshme që rrëshqet nga këmba e pantallonave… më helmuese sesa një akrep helmues. Në përgjithësi, mua më duket se ne e nderojmë si tepër vdekjen.
- Death, edhe kjo është mjaft fishkëllyese, thashë unë.
- E saktë. Po ju, ku bëheni qysh nga ajo kohë në Las Vegas ?
- Nuk kam qenë asnjëherë në Las Vegas.
- A përnjëmend, paska qenë dikush tjetër pra, diku gjetkë. Por ska gjë, njëlloj është. Ejani më shihni sonte në Clapsy’s. Do të porosis t’ju ruajnë një tavolinë. Nuk takohemi përditë… Ose ejani për darkë pastaj. Hë, si thoni ? Ja karta.
- Ma keni dhënë një herë.
- Banoj në Quillon, rruga e Arteve të Bukura. Shfaqja e parë në dymbëdhjetë e gjysëm pas mesnate, në skenë jam në njëmbëdhjetë dhe kaloj edhe një herë në orën një. Me siguri që atje do të kemi miq të përbashkët…
- Do të marr avionin pas pak.
- Për… ?
- Caracas.
Përbri nesh kishte një djalë të ri që kërkonte një xheton telefoni. Por nuk mund të bëhej fjalë për të telefonuar. Nuk mund të pohoja që isha aty, fare pranë, që nuk kisha ikur.
- Ishte e lezetshme, ajo para pak. Nuk dua t’i fus hundët… por më dukej si një prishje.
- Keni sy të hollë.
- Oh, nuk ishte e vështirë. Menjëherë kam thënë me vete : është duke marrë fund.
- E saktë. Cheers.
- Për shëndetin tuaj. Çuno, edhe një herë të njëjtën gjë. Kam njohur aq shumë gra, në jetën time, saqë të them kështu, kam qenë gjithmonë vetëm. Tepër, është asnjë.
- Vërejtje shumë e thellë.
- Dhe madje kështu më ka ardhur ideja e numrit tim… Do ta shikoni.
- Ndonjë ditë, thashë unë.
- Fatkeqësisht, së shpejti do të jem i detyruar të mos dal më në skenë. Sigurimet, kjo është vërtetë diçka që ta mërzit shpirtin. Ju lënë në mes të rrugës, pa pyetur fare. E vetmja gjë që më intereson aty është Matto Grosso.
Qenushi mbretëror ngriti veshët picurr dhe përveshi turirin e tij të zhveshur gri.
- Ju e keni vënë re ndoshta që ai nuk m’i ndan sytë ? Do të thoshim që ma di hallin.
- Smrt, thashë unë.
- Pikërisht. Ka frikë të rrijë vetëm. Qentë bëhen shumë merak. Shikoni, ka gjasa që ai të vdesë para meje, me moshën që ka… Mbush katërmbëdhjetë vjet.
- Jo more ! Dhe jeni bashkë prej shumë kohësh ?
- Trembëdhjetë vjet. I përkiste një gruaje që e kam dashur shumë. Ka ikur me një kaskador njëzet e dy vjeç – grave iu pëlqen shumë të ndihmojnë fillestarët, ju e dini – dhe ma ka lënë Matto Grosson që të mos ndihem shumë i vetmuar… ai nuk bën pjesë në trupën time, nuk është një profesionist, por thjesht miqësi. Kam tetë qenushë dhe një shimpanze. Sa keq që ju do të niseni…
Ai kërkoi në kuletën e tij, nxori edhe një kartëvizitë tjetër…
- Ma keni dhënë tashmë, përsërita unë.
Ai shpeshtonte provat e ekzistencës.
Psherëtiu. E lashë të paguajë. Dhe shtrënguam duart gjatë.
- Ndoshta andej-këndej, nëpër botë… Shumë i gëzuar që ju pashë përsëri.
- Edhe unë.
Dola dhe eca deri tek stacioni i taksive. Mora pusullën në xhep dhe ia dhashë adresën shoferit. Kishte çaste paniku dhe boshi, jehonash të qeshurash, përflakjesh kujtimesh, lodhja rrëmonte në kanalet e thella të kujtesës dhe nxirrte në sipërfaqe grimca lumturie. Pjesa tjetër ishte angushti dhe brejtje ndërgjegje. Çdo minutë që kalonte, dukej e shkulur nga një kohë e fosilizuar. Në fillim e kisha hequr orën e dorës dhe e kisha futur në xhep, por kjo ishte më keq. E kisha vënë përsëri në dorë. Ora ishte tetëmbëdhjetë. Madje as që nuk e dija nëse kishte filluar apo mbaruar. Në këtë çast, do të duhej të kisha qenë larg përsipër Oqeanit, dhe do të kisha kapur tashmë atë çka pilotët e quajnë pika e mos-kthimit.
Një ndërtesë e vjetër në rrugën Saint-Louis-en-l’Ile. Mbi kutinë postare, emri i saj dhe kati i tretë majtas. U ngjita. Kishte një moket të kuq dhe bimë të trasha.
Ajo më hapi derën dhe më pa ftohtë.
- E prisja diçka të këtij lloji. Hyni.
Salloni ishte i ndriçuar mirë. Gështenjat ngjiteshin në dritare. Lule që nuk ishin buqeta dhe që ajo duhej t’i kishte blerë vetë. Një melodi fyelli në dhomën tjetër griste vetminë. Melodi e mbytur, e lodhur, që dukej të dilte nga një sanatorium. Ajo mori mushamanë, çantën, kapelen time dhe shkoi t’i lerë diku. Vështrimi im u end mbi mure, por ajo duhej t’i ruante fotot më pranë vetes. U ula mbi një kolltuk gri. Të kadifenjtë. Ajo erdhi dhe u ndal në këmbë.
- Nuk mbani qen ? pyeta unë. Jini e qetë, nuk është një kandidaturë. Qentë kanë shumë sukses këto kohë. Nuk kanë qenë asnjëherë më të kërkuar. E kam lexuar këtë në një gazetë.
Ajo më vështronte më vëmendje, të themi si doktor. Ishte një kureshtje e ligjshme, kur presim një të panjohur që paraqet të gjitha shenjat e jashtme të një përmbytje. Ajo duhej të pyeste veten nëse ka të mbijetuar të tjerë.
- Ju keni pamjen e dikujt që ka qenë nën pyetje tërë natën në Quai des Orfèvres. Dhe natyrisht, ju nuk keni alibi. Nuk është kështu, sigurisht, por pak a shumë e njëjta gjë. Ju jeni… i ndjekur.
- E saktë.
- Ju kam bërë një konfidencë para pak, në kafene. Dhe ju kërceni mbi fatkeqësinë e parë që ju paraqitet. E keni parë mirë. Edhe tek unë, nuk është për të qeshur. Nëse kjo mund t’ju ngushëllojë.
Ia kisha ngulur sytë moketit blu mes këmbëve të saj. Kisha dëshirë të pohoja gjithçka.
- Ju kujtohet miku im i Las Vegasit, në bar ? Me qenushin e vjetër gri ? Ai quhet senor Galba dhe koleksionon infarkte. Bëhet merak për qenin. Nuk do që ai të ngelet vetëm. Dhe qeni nuk e ndan nga sytë, njëlloj sikur ta dinte. Atëherë, senor Galba dehet tapë dhe qeni e vështron me ankth… Mendoja se kjo do të mund t’ju interesonte.
- Keni qëlluar mirë. Kam një dyqan kureshtjesh, rruga Bourgogne. Por nuk kam vend ku t’ju vë. Do të zinit shumë vend.
Kur ajo buzëqeshte, ishte një tjetër jetë që shfaqej : duhej të kishte qenë e lumtur para shumë kohësh.
Ajo kaloi në dhomën ngjitur, vuri të njëjtin disk dhe ngriti vëllimin e zërit, siç për të më larguar nga vetja, pastaj u kthye.
- Në serbisht, thuhet smrt dhe do të thotë pothuaj të njëjtën gjë me fyellin tënd. Është senor Galba që ma ka bërë këtë zbulim, sepse ai është dhe poliglot. Tani që ju i dini të gjitha, mund të largohem…
Prita, por ajo nuk thoshte asgjë.
- Nuk jam i dehur. Dhe dashuroj një grua… Siç mund ta dashurojmë… nganjëherë. Mendoj se nuk ka shpjegime për t’ju dhënë, ju e dini : ne kemi pothuaj të njëjtën moshë…
- Jam dyzet e shtatë vjeçe.
- Dyzet e tre, thashë unë.
E kam parë pothuaj të skuqet.
- E nga dreqin e dini… ?
- I shtojmë gjithmonë. Fillojmë të mendojmë që ka marrë fund. Dëgjojmë një melodi të lodhur fyelli. Jetojmë vetëm, për t’i provuar vetes që mundemi. Por një të huaj e vështrojmë njëlloj sikur të ishte ende e mundur. Dhe do t’ju vija në dukje që di edhe këtë : nuk mjafton të jesh fatkeq i ndarë për të qenë i lumtur bashkë. Dy dëshpërime që takohen, kjo mund të bëjë një shpresë, por kjo vetëm sa provon që shpresa është e aftë për gjithçka… Nuk kam ardhur këtu për të lypur…
Po gënjeja, dhe kjo ishte ende një mënyrë të lypuri. Ajo shkoi tek dera dhe unë e ndoqa pas. Mora plaçkat. Më zgjati dorën.
- Shpresoj se do të shihemi sidoqoftë, thashë unë, me mjaft mirësjellje.
- Shpresoj dhe unë.
- Ju detyrohem një shpjegim…
- Nuk më detyroheni asgjë. Dhe madje, këtë do ta lexoj nesër nëpër gazeta.
Isha përjashta. Ajo më vështroi dhe e dija që ishte gati në lotë.
- Megjithatë, ju nuk më dukeni një tip i keq, tha ajo me një zë të thyer dhe mbylli derën.
Do të ishte dashur të ngulmoja. Ndoshta ajo do të më kishte dhënë diçka.