PERKTHIME

Tė ēosh autorin tek lexuesi, tė sjellėsh lexuesin tek autori.

Kaye GIBBONS (1960)

 

 

Kaye Gibbons është ndër shkrimtaret më të talentuara të brezit të vet. E lindur më 1960, në Karolinën e Veriut, ajo është jetime që në moshën nëntë vjeçe. Dhe kjo përvojë do ta shënojë njëherë e përgjithmonë. Rrëfimet e saj janë pothuaj gjithmonë në vetën e parë, dhe ngjarjet në Karolinën e Veriut.

Ellen Foster është romani i saj i parë, i pritur mjaft mirë nga kritika dhe publiku. Sot është e martuar dhe ka pesë fëmijë.

 

Këtu më poshtë, mund të lexoni kapitullin e parë të këtij romani. Për mua, një roman që nuk të shqitet nga dora.

 

 

 

 

I

 

 

Kur isha e vogël, sajoja lloj-lloj mënyrash për të vrarë tim atë. E sajoja një, pastaj edhe një tjetër, dhe e provoja në kokën time derisa kjo të bëhej e lehtë.

Mënyra që parapëlqeja ishte për të rrasur një merimangë helmuese në shtratin e tij. Ajo e pickonte, dhe hop ! ai ishte i vdekur, i enjtur gjithandej, dhe kur unë e gjeja në atë gjendje, rrënqethesha. Atëherë sigurisht që lajmëroja policinë, ndihmën e shpejtë, iu thosha ejani shpejt, shpejt, i ka ndodhur diçka babait tim. Kur ata mbërrinin, unë isha aty, gati e pamundur për të folur, duke lëkundur krahët, dhe pastaj ishin dhe ata dy Zezakët e mëdhenj që e mbartnin tim atë të vdekur mbi një karrocë spitali. Qëndroja e ngulur mbi pragun e derës, për të treguar mirë që isha duke u dridhur.

Por nuk e kam vrarë unë babain tim. Ai ka pirë aq shumë saqë ka vdekur vetë, një vit pasi asistenca publike më pati hequr nga ai. Më kanë treguar sesi e kanë gjetur në shtëpi, të vdekur e me të gjitha. Pas kësaj, pa e zgjatur më, ja ai i varrosur, dhe shtëpia e dhënë me qira një familjeje prej katër vetësh.

Unë, gjithçka që kisha bërë, është që, herë pas here, e kisha dëshiruar megjithë shpirt vdekjen e tij. Ajo çka është e sigurtë, është që gjërat shkojnë për mua shumë më mirë tani sesa kur ishte gjallë.

Banoj në një shtëpi tullash mjaft të pastërt, dhe shumicën e kohës më lënë rehat. Kur filloj të bie erë të keqe, shkoj dhe bëj një banjo dhe njerëzit thonë shikoni sa e lezetshme është.

Këtu ka ç’të duash për të ngrënë dhe kur mungon diçka, hop ! shkojmë në dyqan dhe blejmë. Për mëngjes kam bërë një sanduiç me vezë të ziera, me majonezë poshtë dhe sipër. Ndoshta do të shkoj të bëj dhe një tjetër për drekë.

Para dy vjetësh, nuk kisha pothuaj asgjë. Them se ska ardhur ende koha për t’u zhytur në luks, por kur autobusi i shkollës vjen të më marrë në mëngjes, le ta themi, kam një pamje të mirë. Jam aty duke e pritur para shtëpisë, e mbajtur mirë, e veshur mirë, me barin e kopshtit të gjelbër dhe kaçubet e gardhit të prera drejt.

Them se ia kam hedhur paq po ta krahasoj me pjesën tjetër të familjes, duke pasur parasysh që të tjerët janë të gjithë ose të vdekur ose të dalë mendsh.

Për çdo të martë, është një zotëri që vjen të më kërkojë në mes të orës së edukatës morale, dhe shkojmë në një zyrë për të folur mbi të gjitha këto.

Javën e kaluar, ai ka hapur ca figura lakuriqësh nate të shtypur që unë t’i thosha ç’mendoja. Dhe unë, në vija të trasha, shihja ca lakuriqë nate të shtypur. Dhe pastaj kam filluar të shoh ca vrima të mëdha të zeza në të cilat mund të bije brenda. Vrima të mëdha të zeza, të thella, që përshkonin tavolinën dhe dyshemenë. Atëherë ai ka hequr syzet, e ka ngjitur fytyrën e vet përkundër simes, dhe më ka thënë ti ke frikë nga diçka.

Më përpara, po, kisha frikë, por tani jo, ja si jam përgjigjur. Më ndodh të jem pak e shqetësuar, por nuk kam vërtetë kurrë frikë.

Më kujtohet një kohë kur kisha frikë, kjo po. Gjithçka shkonte mbrapsht, është njëlloj sikur dikush të kishte zhvidhosur një vidhë, dhe e tërë familja ime ishte tronditur, tronditur, deri në rraskapitje. Siç tek lojrat, dhe ai që merret me cirkun që rrotullohet është larguar të shëtisë, atëherë ne jemi aty për ta rrotulluar si të çmendur, tund andej e shkund këndej, dhe në fund del nga binarët. Që të dy kanë vdekur kështu, ngaqë duke i dhënë shpejt e shpejt, kjo i kishte shterruar, i kishte kthyer krejt të sëmurë. S’është nevoja ta themi, kjo është megjithatë një mënyrë e çuditshme për të vdekur. Në fund, ata nuk kanë pasur më forcë të përballojnë vorbullën, dhe era i ka çuar ku ka dashur.

Mami im, edhe lëkura e saj dukej se nuk kishte më kurajo të përmbante dikë aq të dobët sa ajo. Ajo mbështetej tek frigoriferi dhe vështronte babin i cili ndalej së rrotulluari përreth tavolinës duke sharë të gjithë ata që i kishin bërë dëm. E ajo, ajo dukej e trishtë, ama aq e trishtë, njëlloj sikur e gjitha kjo të ishte për fajin e saj.

Që ajo të ishte e sëmurë, kjo s’ishte faji i saj, por askush nuk e kishte detyruar të martohej me të. Në fakt, kur ajo ishte e vogël si unë, ajo ka kapur një romantizëm, më duket se kështu quhet, dhe qysh atëherë, zemra e saj nuk ka qenë kurrë aq e fortë.

Herë pas here, ajo kthehet nga spitali. Të kisha qenë në vend të saj, do të kisha ndenjur atje. E shtrirë për bukuri në shtrat me ajër të kondicionuar dhe me njerëz që ju prekin mbi kokë dhe ju sjellin shporta me fruta.

Eh mirë, jo, duhet që ajo të kthehet, ai nuk e le të qetë. Grindet, gjen sherr për gjithçka. Është kruspullosur në kolltukun e tij të madh si pasha. Më sill mua këtë, më sill atë.

Ende nuk e ka mbyllur derën ajo, dhe ai e pyet çfarë ka për darkë. Hë, ç’ka parashikuar ajo ? Po me mua, e interesonte të dinte ç’kisha parashikuar unë ? Ajo e vështron në fytyrë, duke mos parë sytë apo gojën e tij, jo, por fytyrën e plotë, dhe tërë atë shëmti që del nga ai. Dhe ai vazhdon të hungërojë për darkën, ose ngaqë në kopsht janë shtuar barërat e këqija. Për besë, bën be se është një fëmijë i keq, ky tip, dhe aspak një i rritur.

Unë kam valixhen e saj në dorë, të mamit, dhe e sjell në dhomë. Por në të njëjtën kohë, i dëgjoj ata, ai që flet dhe ajo që nuk përgjigjet fare. Ajo është midis televizorit dhe Zotërisë që bën tekat e veta, dhe ajo e vështron ndërsa ai vazhdon të llomotisë.

Për besë, ky tip s’është burrë, është lolo. Ai nuk e meriton vërtetë që t’i përgjigjemi, edhe pse është babi im. Kurse ajo, është tepër e dobët, ka tepër dhimbje gjithandej për të marrë pak frymë dhe për të formuar ca fjalë për t’i thënë që ta qepë gojën. Ajo qëndron e ngulur aty dhe e lë të derdhë tërë helmin e tij mbi të.

Ec në kuzhinë më bëj për të ngrënë. Është dashur që t’i futem kuzhinës sa kohë që ti nuk ishe këtu, i thotë ai asaj.

Çka kjo është një rrenë me bisht. Është marrë me kuzhinën, po po, fol kot. Kur nuk isha unë ajo që bëja darkën për të dy, shkonim në qytet dhe blinin pula të gatshme me të gjitha. Nga një anë, nuk do të më kishte ardhur keq po të fillonim të hanim për së mbari, por sigurisht që nuk do t’ia thoja këtë.

Mua, po të më kishin pyetur, do të kisha thënë që babi dhe unë le të hanim vetëm bukë me djathë. Dikush që sapo është operuar ka nevojë të rrijë në shtrat pa pasur një burrë mbi krye tërë ditën. Por ajo nuk ka shkuar në dhomën e saj, ka bërë thjesht një gjysmë kthesë dhe drejt e në kuzhinë. Gjithçka që më mbetej të bëja ishte të kapja gjërat që ishin tepër lart për të. Kam vënë mbulesën e tavolinës, dhe ai, më hipte një dëshirë e çmendur t’i pështyja në lugë.

 

Këtu, askush nuk i bërtet askujt për t’i thënë të bëjë kështu apo ashtu. Mami im i ri vendos pjatat mbi tavolinë dhe secili mbush për vete. Pastaj hamë, dhe të gjithë janë të kënaqur. Kafshata të vogla apo biskota të kripura me çka të duam e kur t’i duam. Vezë të përgatitura në të gjitha mënyrat e mundshme. Misër të zhveshur po atë ditë që e hamë. Nuk i vendos bërrylat mbi tavolinë dhe e fshij gojën si një zonjë e vërtetë. Këtu, askush nuk bërtet, askush nuk pjerdh gjatë ngrënies, askush nuk u jep të hanë qenve poshtë tavolinës. Kur kanë mbaruar të gjithë, mami im i ri vendos pjatat në një send ekspres, mbyll kapakun, shtyp mbi një buton, dhe ja, ato janë të pastra.

 

Mami im nuk është ankuar asnjë sekondë që të jetë e lodhur apo të ketë dhimbje. Duke mbërritur në shtëpi, ajo ka pyetur kush e kishte mirëmbajtur kaq mirë shtëpinë, dhe ai ka thënë që ishte ai. E kush do ta besonte këtë, ja po ju pyes juve. Unë e dija mirë që ai gënjente, por edhe mami e dinte. Ajo kishte pyetur kështu thjesht, sa për të thënë diçka.

Mami ka vënë darkën mbi tavolinë dhe ai më ka pyetur : ç’po shikon ashtu ? Je ti ai që po shikoj, hundën në pjatë, a thua se do të t’i hiqnin copat nga goja. Derr i ndyrë. Por nuk ia kam thënë.

Përse nuk ha, pyet ai.

Sepse s’kam uri, përgjigjem unë.

Të këshilloj të hash. Sepse duke parë çehren e nënës tënde, kam përshtypjen që nuk do të kesh një darkë tjetër për kaq shpejt.

Ai kujton se është aq gazmor saqë qesh me vete.

Gjatë gjithë kësaj kohe, e vështroj dhe pyes veten sesi është e mundur që ai e urren atë në këtë pikë. Ndërsa ai nuk më shikon, e shoh me një sy të shtrembër. Mami duket të ketë veçse një dëshirë, të fusë kokën nën tavolinë për të qarë.

E kemi lënë fare vetëm në tavolinë, atë dhe karakterin e tij të keq, dhe kemi shkuar të flemë. Ajo kishte dhimbje në tërë gjoksin, dhe kishte shenja mavi në qafë. Nuk mund ta vështroja, doja t’i hidhja sytë gjetkë.

Të dyja, e kemi hequr fustanin nga koka dhe kemi vënë një lloj këmishe që ajo të ishte mirë brenda për të fjetur. E kam ndihmuar të shtrihet dhe pastaj jam futur në shtrat pranë saj. Ajo ka zhytur kokën në jastëk.

Qëndroj me ty. Qëndroj me ty, asgjë më shumë sesa kohën e një gjumi të vogël.

Tani, tek mami im i ri, rri në shtrat tërë mëngjesin, dhe vështroj shiun që bie. Nuk ka asgjë që të më detyrojë për t’u nxituar të bëj gjëra.

Kam një plasmas bonbonesh ku fus dorën herë pas here.  Një nga një. E zgjas kohën. Gjithçka që më mbetet të bëj pastaj, kjo është të shkoj të ha darkë, dhe pastaj të bëj tualetin tim.

Vështroj dhomën time. Një dhomë aq e bukur.

Kur të kem vënë mënjanë aq para, ajo çka do të bëj është që të shkoj të blej një nga ato sendet e qelqta gjithfarëlloj ngjyrash që e varim para dritares dhe që luhatet. E shtrirë mbi shtratin tim, përfytyroj si do të jetë. Kam tashmë perde të rozta me katrore e me toptha. Është mami im i ri ajo që m’i ka bërë. Ajo më ka bërë gjithashtu dhe këllëfët e jastëkut që shkojnë bashkë, e në të cilët ngjesh jastekët e mi çdo mëngjes.

Këtu gjithçka është e kombinuar. Sa bukur, sa pastër.

Kur të kem mbaruar së qëndruari në shtrat me bonbonet e mia me mente, do të rregulloj mbulesën e shtratit dhe do të ndreq pak vendin. Pastaj, ndoshta do të shkoj të luaj me të tjerët. Por mundet gjithashtu që të pres qetësisht të më piqet pula derisa të marrë një erë të mirë për ta ngrënë.

Nuk e di nëse ajo e dëgjon kur ai del nga prapa. Meqë nuk lëviz fare, ndoshta ajo fle. Ai shkon në kamionetë, gjoja sikur ka diçka për të rregulluar. E dimë mirë ju dhe unë që ai ka dalë për të pirë. Pastaj ai sjell tërë këtë në shtëpi, duke u hequr gjoja si plaku i Vitit të Ri. E ul pakon e tij mënjanë kolltukut, zë vend në të dhe kështu. Dhe pastaj çirret që duhet dikush, domethënë unë, për t’i ndezur televizorin. Per besë, do ta haja të gjallë.

Duke e dëgjuar të bërtasë, mami zgjohet rrëmbimthi. Edhe pse më parë flinte, kjo e ka zgjuar vrazhdësisht. Ajo kërcëllin dhëmbët sa herë që e dëgjon të shajë diçka apo tjetër. Sa më shumë që pi, aq më shumë flet kot.

Kur vjen ora e rezultateve të garave, ai është i shtrirë mbi pllakat e banjos dhe nuk mund të ngrihet. Më duhet të shkoj në banjo, kështu që përpiqem ta shkund. Kështu ndodh çdo të shtunë. Mami im ka nevojë për këtë, po besa, shumë, që të gjejë një derr të trashë të shembur përkundër sifonit të banjos.

Ngrihem, shkoj atje, dhe i them ngrihu, ka njerëz që kanë nevojë të shkojnë në banjo. Le të shkojë ai në kamionetën e vet.

Ai s’di tjetër veç të godasë dhe të përpiqet të më kapë kaviljen. Del huq.

Çohu pra, ec, i përsëris unë. Nuk duhet lëshuar pe kur ai është kështu. Po t’i hapja rrugë, ai do të kalbej aty, kështu që e shtyj me këmbë. Më mirë të mos e prek me duar. Veç ta shohësh sesi kapet pas sifonit të banjos për t’u ngritur, dhe kjo më bën të vjell. Ai përshkon dhomën e ndenjes duke u shalakatur, dhe do të thoshim që ia del më në fund : nuk e dëgjoj të rrëzohet kur zbret shkallët.

Po ajo, nga del kështu ajo ? Ajo është aty mbi pragun e derës duke vështruar tërë këtë.

Shko shtrihu prapë, i them mamit.

Nuk është dhe aq e vështirë të kujdesesh për mamin. Ajo kthehet në dhomën e vet. Asnjë problem. Thjesht është e vështirë ta bësh që të lëvizë, aq e ngurtë është. E rishtrij në shtrat, dhe i them që ai ka dalë për natën. Ajo fillon të qajë ngadalë, atëherë i them që nuk ka pse të vajtojë. Mirë e kam, ajo do të shterrohet ndonjë ditë duke qarë kështu.

Do të duhej ta mbyllja derën me çelës që ai të mos hyjë më.

Një burrë në moshën e tij, do të duhej të ishte ai që t’i sillte asaj gjëra të vogla për të ngrënë, libra me figura. Por jo, gjithçka që ai gjen të bëjë, kjo është që ajo të kujdeset për Zotërinë. A thua se ajo nuk është e sëmurë, apo nuk është e familjes së vet.

Po vërtitet një stuhi. Do të rri shtrirë pranë mamit tim, duke pritur që gjoksi i saj të ngrihet rregullisht, që të ngrihet dhe të ulet, thellë, larg tipit që është atje poshtë në kamionetën e vet.

E ndjej erën e stuhisë, dhe e shoh ajrin krejt të rënduar nga shiu që ia mbërrin.

Atë, kjo nuk do ta pengojë të flejë, n’daç stuhia n’daç shiu. Oh sa e dëshiroj, me gjithë zemër, që t’i bjerë rrufeja në kokë. Por nuk jam unë ai që i kontrollon retë dhe as bubullimën.

Zoti i rregullon punët e veta si t’i teket atij. [...]