Lindur më 1907 në Hokkaido – ishulli më verior i Japonisë –, i biri i një mjeku ushtarak, Inoué ka qenë rritur nga gjyshja e tij Nui, e cila e mbajti derisa ajo vdiq. Pastaj, dymbëdhjetë vjeç, ai kaloi ca kohë në shoqëri të prindërve, futet në një tempull zen ku qe një nxënës i rëndomtë, dhe më pas përcolli një jetë të gjatë studentore në Kyoto, duke mos lënë pas dore dhe xhudon – ai e praktikonte thjesht si një ushtrim shpirtëror, pa e ditur se më vonë do t’i hynte në punë kur të përballej me tapetin e fletës së bardhë. Pasi merr pjesë në luftën e Kinës, ai bëhet gazetar dhe më 1949 boton romanin "Luftim demash", roman i cili fiton çmimin më të madh japonez, çmimin Akutagawa.
Inoué ka vdekur më 1991 nga një kancer, pa arritur të ketë çmimin Nobel.
Pjesa më poshtë është shkëputur nga romani "Çiftja", një roman i përkthyer në mbarë botën.
Një ditë, më ndodhi t’i jap revistës Shoku i Gjuetarit (revistë modeste e botuar nga Shoqata e Gjuetarëve të Japonisë) një poemë të titulluar Çiftja.
Kjo do të mund të linte për të menduar që unë jam pak a shumë i dhënë pas gjuetisë, por e vërteta është që kam qenë rritur nga një nënë e cila urrente çdo dhunë dhe që nuk kam mbajtur asnjëherë ndër duar qoftë dhe një pushkë me ajër. Në fakt, shpjegimi është fare i thjeshtë : ai djali që drejton revistën Shoku i Gjuetarit ishte një shok im i klasës në gjimnaz, dhe ose ngaqë kështu iu tek, ose, them unë, për të shprehur me delikatesë keqardhjen e tij për mënyrën me të cilën miqësia jonë ishte ftohur, ai më kërkoi t’i dërgoja një poemë. Ndonëse eci përpara në moshë, nuk mund të rri mospërfillës ndaj revistave të specializuara dhe shkarravis ende ndonjë poemë sipas qejfit të frymëzimit tim. Sidoqoftë, meqë Shoku i Gjuetarit nuk bënte pjesë në hallet e mia, në rrethana të tjera do ta kisha refuzuar ofertën e drejtorit të saj. Por sapo isha frymëzuar nga përqasja që kisha bërë ndërmjet një çifte gjuetie dhe ndenjes vetëm të një qenie njerëzore ; kështu vendosa të shkruaj një poemë mbi këtë temë.
Një natë të akullt fundi nëntori, kam ndenjur i ulur në tavolinë deri në mesnatë ; shkrova një poemë në prozë sipas mënyrës sime, dhe të nesërmen ia dërgova drejtorit.
Meqë kjo poemë ka një lidhje me historinë që do të rrëfej, kam vendosur ta përfshij këtu :
Llullën e trashë prej detari në gojë,
Një qen që vrapon përpara tij në bar,
Burri ngjiste me hapa të mëdhenj, në atë fillim dimri,
Shtegun e malit Amagi,
Dhe ngrica e bardhë kërciste nën shollat e tij.
Njëzet e pesë mbushje në brez,
Një xhup lëkure, të kuqërremtë të mbyllur,
Një çifte dyshe Churchill…
Po nga ku i vinte shpërfillja vallë,
megjithë armën e tij prej metali të bardhë dhe të shndritshëm,
Për të marrë jetë krijesash ?
I hutuar nga shpina e gjerë e gjuetarit,
E vështroja, e vështroja.
Qysh nga ajo kohë,
Në stacionet e qyteteve të mëdha,
Ose natën në lagjet ku argëtohemi,
Nganjëherë ëndërroj,
Do të doja të kisha jetën e tij…
Të qetë, të shtruar, shpërfillëse.
Ndërro për pak skenën e gjuetisë :
Nuk është më i ftohti në hyrje të dimrit mbi malin Amagi,
Por një shtrat i tharë përroi, i bardhë dhe i zbehtë.
Dhe çiftja vezulluese,
Duke rënduar me tërë peshën e saj mbi supin e vetmuar,
Mbi shpirtin e vetmuar të një mesoburri,
Rrezaton një bukuri të çuditshme dhe të egër,
Që ajo nuk e tregoi kurrë,
Kur ishte e drejtuar përkundër një krijese.
Kur e mora në dorë numrin e revistës, poema ime gjendej aty dhe zinte disa faqe. Mendova, për herë të parë, pa u ndalur gjatë, që megjithë titullin e saj me njëfarë lidhje, ajo nuk ishte në vendin e vet. Binte në sy që ajo ndeshte « kodin e gjuetisë », « frymën sportive », « sportin, faktor shëndeti », etj., të gjitha këto shprehje që shfaqeshin rregullisht në faqet e tjera. Për më tepër, vendi ku e kishin shtypur, përbënte siç dukej një zonë veçan, të dalluar nga artikujt e tjerë, një lloj vendi të huaj.
Ajo ç’kisha thënë në poemë apo dëshiruar të shfaqja, ishte domethënia simbolike e një çifte, ashtu siç kjo më kishte ardhur ndërmend, përnjëherë, dhe nuk kisha pra pse të ndihesha me turp (përkundrazi, ndjeja njëfarë krenarie), dhe nëse krijimi im do të ishte shfaqur në një tjetër revistë, nuk do të kishte pasur asnjë problem. Por ky botim i përkiste Shoqatës së Gjuetarëve të Japonisë, e cila i kishte vënë vetes për qëllim të përhapte ushtrimin e gjuetisë, të konsideruar si një sport burrëror dhe të shëndoshë. Në një revistë të këtij lloji, imazhi që unë i mvishja gjuetisë ishte pak a shumë një herezi dhe poema ime nuk do të duhej të ishte pranuar. Kur e shoshita mirë e mirë, e kuptova në çfarë bezdie e kishte zhytur mikun tim leximi i këtij dorëshkrimi, dhe e çmova vlerësimin e tij kundrejt meje ngaqë kishte guxuar ta shtypte këtë tekst, megjithë ngurimet që i ishte dashur të kalonte. Mjaft kohë më pas, kisha ende njëfarë ndjenje fajësie.
Për ca kohë, prita të marr letra kundërshtimi nga një apo dy anëtarë të Shoqatës së Gjuetarëve, por shqetësimi im vinte thjesht nga mburrja ime e tmerrshme, sepse kaluan javë të tëra dhe askush nuk u ankua në lidhje me poemën time. Fatmirësisht apo fatkeqësisht, ajo kishte qenë trajtuar me një përçmim të heshtur nga gjuetarët e Japonisë. Ose më saktë, askush nuk e kishte lexuar ndonjëherë.
Kaluan nja dy-tre muaj, dhe e kisha harruar këtë çështje, kur një ditë mora një letër nga njëfarë Josuke Misugi, që nuk e njihja fare.
Para disa shekujsh, një historian duke komentuar mbishkrimet e gdhendura mbi monumentin e Taishanit, deklaroi që ato ngjanin me rrezet e kthjellta të diellit pas shirash të vjeshtës në dalje. Mbase po e teproj pak, por shenjat e hequra mbi zarfin e gjerë prej letre të bardhë më dhanë një përshtypje të tillë. Ne nuk e dimë bukurinë e vërtetë dhe stilin e mbishkrimeve të Taishanit, sepse gurët e monumentit kanë rënë në rrënoja dhe nuk ekziston asnjë riprodhim, por mund t’i përfytyrojmë. Shenjat e hequra nga Josuke Misugi, tepër të mëdha, dukeshin sikur donin të kërcenin përtej zarfit ; ato ishin të mëshuara, të bukura dhe të lirshme. Por, ndërsa i kundroja, nga secila prej shenjave vinte një si përshtypje hiçi, dhe m’u kujtua ç’kishte thënë historiani në lidhje me monumentin.
Misugi e kishte ngjyer penën e tij në bojë indiane, dhe padyshim që duke shkruar ai e mbante zarfin me dorën e majtë, sepse mu duk sikur puna ishte kryer në ngut e sipër. Vizat, vura re, ishin çuditërisht të ftohta dhe nuk shprehnin asgjë, që të gjitha të ndryshme nga ato të cilat dëshmojnë mendjekthjelltësinë e një njeriu të pjekur. Pata ndjenjën që ai i cili i kishte hequr këto viza, nuk donte të vinte në pah shkathtësinë e tij dhe se nuk kishte kërkuar gjatë siç bën kështu një ekspert në bukurshkrim.
Sidoqoftë, letra ishte shkruar me një luks dhe një bukuri të tillë që kutia e rëndomtë postare e shtëpisë sime m’u duk e padenjë për ta mbajtur brenda. Sapo e hapa zarfin, e kuptova që dërguesi kishte përdorur një letër kineze të gjatë prej më shumë se gjashtë këmbësh, dhe që secili prej rreshtave të letrës përmbante vetëm pesë ose gjashtë shkronja të trasha, të ngjashme me ato të zarfit.
« Merrem pak më gjueti, shkruante Misugi, dhe tani vonë kam pasur rastin të lexoj poemën tuaj. Jam një njeri pa shije dhe nuk jam aspak i prirur për poezi. Ç’është e vërteta, ishte hera e parë që lexoja një poemë. Më falni që ju them se nuk e njihja emrin tuaj. Por kam ndjerë një tronditje siç kurrë më parë. »
E lexova dhe një herë këtë paragraf të parë dhe ndjeva zemrën të më ngushtohet ndërsa sillja ndërmend poemën që e kisha harruar fare. Mendova që më në fund kishte pasur një kundërshtim, një kundërshtim nga një gjuetar jo fort i zakonshëm. Por, duke vazhduar leximin, pashë që përmbajtja e letrës ishte krejt ndryshe nga ç’prisja. Misugi shkruante gjëra që nuk i kisha menduar kurrë. Megjithatë, fjalët e tij ishin gjithmonë të sjellshme, dhe toni i tij i butë shprehte njëfarë bindje, si dhe një shpërfillje të ngjashme me atë që zbulohej dhe në shkrimin e tij.
« Ç’do të thonit ju nëse ju them që njeriu për të cilin keni folur në poemën tuaj nuk është tjetërkush sesa vetë unë ? Me siguri që ju më keni vënë re me pamjen time paksa të ngathët, në fshatin rrëzë malit, kur nisesha të gjuaja në shpatet e Amagit. Qeni im laraman, i zbutur posaçërisht për të trazuar fazanët, dhe Churchilli, që profesori im i mrekullueshëm ma kishte dhuruar në Londër, madje dhe llulla ime e parapëlqyer kanë tërhequr vëmendjen tuaj. Të gjitha këto hollësira, sigurisht, më tregojnë mua. Dhe fakti që gjendja ime shpirtërore, e cila është fort larg çdo spiritualiteti, t’ju ketë dhënë frymëzimin e nevojshëm për të shkruar një poemë, ja çka më bën të provoj një ndjenjë krenarie dhe turbullimi. Sot, për herë të parë, e admiroj thellësisht këtë vështrim të mprehtë aq të veçantë të poetëve. »
I mbërritur në këtë pikë të leximit tim, u përpoqa të kujtohem për gjuetarin që e kisha ndeshur pesë muaj më parë, ndërsa shëtisja mbi shtegun e ngushtë plot lakeleqe, midis bredhave, fare pranë, në fakt, fshatit të vogël termal të gjendur në rrëzë të malit Amagi në gadishullin Izu. Por nuk gjeta asgjë për t’u shënuar në kujtimet e mia, në mos përshtypjen e turbullt që, nga ky gjuetar i shikuar nga shpina, çlirohej një ndjenjë e çuditshme vetmie. Përsa iu përket hollësirave fizike dhe të veshjes, ato nuk më kujtoheshin dhe aq me saktësi.
Veç kësaj, unë nuk e kisha parë atë me një vëmendje të veçantë. Thjesht më kishte rënë në sy që burri i cili vinte drejt meje në acarin e atij mëngjesi dimri në hyrje, çiftja mbi sup dhe llulla në gojë, ndryshe nga të gjithë gjuetarët e zakonshëm, mbarte mbi tërë personin e tij diçka admiruese. Pa e kuptuar, unë isha kthyer për ta vështruar, pasi qemë kryqëzuar, dhe e kisha parë tek linte shtegun, tek merrte shtërmangët në drejtim të malit të mbuluar në lisa dhe tek fillonte t’i ngjitej shpatit të pjerrët, duke bërë kujdes të peshonte çdo hap, njëlloj sikur të kishte frikë të mos rrëshqiste. Dhe pikërisht në këtë çast, duke vështruar këtë hije që largohej, është kjo që kam ndjerë, siç e kisha shkruar më vonë, një përshtypje veçimi. Njohuritë e mia ishin të mjafta për të njohur tek qeni, një racë të mrekullueshme angleze ; përkundrazi, nuk e dija emrin e çiftes, duke pasur parasysh që nuk isha marrë asnjëherë me gjueti. Ekzistencën e çiftes Richard dhe Churchill (të njohura si më të mirat në Angli) e kisha mësuar po atë mbrëmje që kisha vendosur të shkruaja poemën, dhe i kisha dhënë liri vetes ta pajisja heroin tim me një Churchill. Vetëm rastësia kishte dashur që Misugi të kishte vërtetë një çifte të tillë. Dhe kjo është arsyeja që Josuke Misugi i vërtetë, megjithë ngjashmërinë me gjuetarin tim, dhe ndonëse të ishte në burim të frymëzimit tim, mbetej ende i panjohur për mua.
Letra e tij vazhdonte kështu : « Ju keni të drejtë të keni dyshime mbi ekuilibrin mendor të një njeriu që kërcen papritur si pleshti, në fjalë pa lidhje. Kam këtu tre letra që m’i kanë dërguar dikur. Kisha ndërmend t’i hidhja në zjarr, por, pasi e kam lexuar poemën tuaj të mrekullueshme, më është dukur se duhet t’jua tregoja. E di që do ta qortoj veten ngaqë po ju turbulloj qetësinë, por megjithatë do t’jua dërgoj një herë tjetër. Do të isha i lumtur që ju t’i lexonit për kënaqësi. Nuk ju kërkoj tjetër përveçse t’i lexoni. Nuk dëshiroj asgjë më tepër. Do të doja që ju ta dinit se « shtrati i tharë i përroit të zbehtë » është ai që kam kundruar. Më duket se një njeri është krejt i çmendur nëse ai dëshiron që të kuptohet nga një tjetër. Nuk e kisha provuar këtë ndjenjë kurrë më parë, por, duke mësuar që ju interesoheni për rastin tim, kam vendosur të mos ju fsheh asgjë. Pasi t’i keni lexuar, shpresoj që ju do të keni mirësinë t’i digjni këto tre letra. Takimi ynë në Izu ka ndodhur pak pasi i kisha marrë ato. U bënë kohë që merrem me gjueti, por, ndërsa sot jam kthyer në një vetmitar, para ca vitesh, kur ngjallja respekt tek të gjithë, sa në aktivitetet shoqërore ashtu dhe në jetën time private, të kishe një çifte mbi sup më dukej një detyrim. Më lejoni që me këtë hollësi të rëndësishme, ta mbyll dhe letrën time. »
Dy ditë më pas, më erdhën të treja letrat. Zarfi mbante emrin JOSUKE MISUGI dhe adresën e tij, një hotel në Izu, e njëjta adresë siç në zarfin e parë. Secila prej letrave i kishte qenë dërguar nga një grua e ndryshme. I kam lexuar dhe… Jo ! I mbërritur në këtë pikë, nuk dua të kaloj nën heshtje përshtypjen që ato më lanë. Do t’ju sjell tekstin e plotë. Por, përpara se ta bëj këtë, duroni dhe vuajtjen që të shtoj këtë : meqë Misugi zinte dukshëm një vend të mirë në shoqërinë e lartë, e kërkova emrin e tij në Who’s Who, pastaj nëpër vjetare, e kahmos tjetër. Por qeshë i paaftë për ta gjetur. Padyshim, ai kishte një pseudonim. Kështu, duke i kopjuar këto letra, sa herë që jam gjendur përpara një prej vendeve të shumta të fshira ku duhej të ishte shkruar emri i tij i vërtetë, jam mjaftuar të shkruaj emrin me të cilin ai është njohur prej meje. Në të njëjtën mënyrë, kam përshkruar nën pseudonime dhe personat e përmendur nga letërkëmbyeset e atij që vazhdoj ta quaj ende dhe sot, Josuke Misugi. […]