PERKTHIME

Tė ēosh autorin tek lexuesi, tė sjellėsh lexuesin tek autori.

William KOTZWINKLE (1938)

 

 

Lindur më 1938 në Scranton, Pennsylvania. Njihet më tepër për shkrimet e tij në fushën e letërsisë fantastiko-shkencore. Ka fituar më 1977 çmimin World Fantasy Award për novelën e tij Doktor Miu si dhe çmimin National Magazine Award në fushën e trillimit.

Pjesa më poshtë është shkëputur nga romani Notari në detin e fshehtë, ku ai tregon, me një saktësi dhe sinqeritet copëtues, një ngjarje të jetës së tij : humbjen e një bebeje. Romani është përkthyer i plotë tashmë.

 

 

 

 

 

- Johnny, më erdhën !

Nga thellësia e një oqeani ëndrrash, Laski u hodh për të gjetur sipërfaqen. Uji ishte i errët, dhe krijesa të manushaqta vinin drejt tij, njëra prej tyre duke shpërthyer befas e duke lënë vetëm një dritë verbuese. Laski u zgjua, u ngrit mbi ndenjësen e tij. Diana, një dorë mbi llampën e shtratit, vështronte njollën e lagësht që zmadhohej mbi çarçafë.

- Erdhi, më në fund, tha Laski. Përgatitu.

Vala e parë e tronditjes përhapej tashmë tek ai : zemra i rrihte më shpejt, befas një i ftohtë iu fut nën lëkurë, duke e bërë të rrënqethet.

- Do të bëja më mirë të shtrij një peshqir, tha Diana. Po lag gjithçka.

Laski i mori krahun dhe e ndihmoi të arrinte shkallët. Diana kishte filluar të dridhej, edhe ajo, dhe kështu të dy në drithërima kaluan përpara dritares nga ku shiheshin drurët e mbuluar me borë. Heshtja e pyllit e qetësoi Laskin ; ai u ndal një çast në krye të shkallëve me Dianën, duke thithur nektarin e qumësht të hënës. Ai nuk dridhej dhe aq shumë tani, por Diana vazhdonte, dhe ai u drejtua me të drejt banjos. Diana ecte gërmuqas, duke mbajtur me duar malin e barkut të saj nga ku kishte ardhur tronditja. Laski e ndihmoi të ulet mbi tualet, shkoi të kërkojë në raft një mbulesë me të cilën e mbështolli, pastaj fërkoi krahët e Dianës nga lart poshtë për ta ngrohur sadopak.

Duke kërcëllitur dhëmbët, Diana ngriti sytë drejt tij. Laski nuk do ta kishte menduar kurrë që kjo do të ndodhte kështu, që të dy ata do të ishin të kapur nga dridhjet, të shkundur si kukulla lecke. Ata i kishin studiuar me kujdes të gjitha manualet e përgatitjes për lindje ; i kishin bërë rregullisht ushtrimet e rekomanduara. Laski kishte thënë me vete që çasti vendimtar do të ishte vetëm përzgjatja e tërë kësaj, por në fakt nuk kishte pasur kurrfarë kalimi të butë : papritur, ishte njëlloj sikur t’i kishin tërhequr zvarrë mbi një shtrat gurësh. Sytë e Dianës ngjanin me ata të një fëmije, të çoroditur dhe të tmerruar, por zëri i saj ishte i qetë, dhe ai e kuptoi që ajo ishte gati, megjithë frikën dhe kërcëllitjen e saj të dhëmbëve.

- Po arrij t’i zotëroj ujërat tani, tha ajo. Mund t’i pengoj të rrjedhin.

- Po shkoj të ngroh kamionetën, tha Laski.

Ai doli në borë. Përtej majave të pishave të humbura në hije, gjysmë kupola e gjerë e qiellit xixëllonte nga yjet, dhe kamioneta ishte mbuluar me kristale vezulluese nën dritën e hënës. Ai hapi derën, kërceu mbi ndenjëse, tërhoqi butonin e starterit dhe rrotulloi çelësin e kontaktit. Motorinoja rënkoi, e kapur ndërmjet gishtave të akullt të Veriut të Madh. "Hë tani !" i dha zemër Laski me zë të ulët, duke i bërë thirrje natyrës së mirë të mekanikës, kamionetës besnike që i ishte përgjigjur gjithmonë. Prapa rënkimit të motorinos, ai përgjonte kollitjen e vogël të zgjimit, dhe kur kjo erdhi, ai shkeli përnjëherë pedalin për ta sjellur plotësisht në jetë motorin. "Je megjithë mend e fortë, bukuroshja ime", tha ai. Në një gjerësi të tillë, kaq lart drejt veriut, cilido motor mund të ngrinte, cilado bateri mund të jepte shpirt në vend, dhe për të kapur makinën më të afërt, duhej përshkuar njëzet e pesë kilometra përmes një pylli të dendur. Laski kishte parë njerëz që ndiznin një zjarr poshtë karterit të makinës, kishte dëgjuar sharje të pabesueshme që përshkonin netët veriore, ndërsa orët kalonin, idetë dështonin, dhe askush nuk shkonte gjëkundi. Ai e la starterin të tërhequr, që motori të rrotullohej shpejt, pastaj ndezi kaloriferin dhe doli në dëborë. Tymi i skapamentos ishte e vetmja re e dukshme përpara diskut të shndritshëm të hënës, dhe Laski kaloi përmes spiraleve të tij për t’u kthyer drejt shtëpisë e cila dukej e vendosur si një fener i vogël në ngërthimin e stërmadh të pyllit.

Në banjo, Diana dridhej ende, këmisha e saj e natës e tendosur nga barku i fryrë. Laski e ndihmoi të shkonte deri tek shkalla dhe pastaj të ngjitej në dhomë, ku ajo filloi të vishej me të njëjtat lëvizje si zakonisht, por pa iu ndalur të dridhurat. Laskit i dukej që kishte dy Diana të veçanta, njëra që dridhej si një gjethe, dhe tjetra që ishte po aq e qetë dhe e vendosur sa një mamie me përvojë. Vetë ai provoi një dyzim të ngjashëm në çastin kur mbërtheu çantën e udhëtimit të Dianës për ta marrë me vete drejt shkallës. Dora e tij dridhej, krahërori po i çahej, por një pjesë tjetër e vetja ishte e qetë, po aq e patundshme sa një rrap i vjetër. Ky shok që nuk turbullohej dukej të rrinte në një pjesë të trupit të tij që Laski nuk arrinte ta gjente. Rropullitë i ngatërroheshin, truri i grafllonte, leqet e këmbëve i dridheshin, por diku tek ai kishte paqësi.

Ai eci në borë. Kamioneta punonte normalisht tani, dhe ai shtypi starterin, derisa motori zuri të uturojë butësisht. Duke u kthyer, ai pa Dianën përmes dritares së katit të dytë, të paraprirë nga barku i saj i stërmadh. Lëvizjet i kishte të kujdesshme dhe të matura, dhe Laski ishte i sigurtë që ajo do të merrte saktësisht rrobat që ajo kishte parashikuar të merrte, duke i gjetur në kohën e saktë kur i duheshin. Kurse jeta e tij ishte veçse një fill rrobash të hedhura grumbull në të gjitha drejtimet, këpucësh që vallëzonin në skutat më të papara, objektesh që nuk ishin kurrë aty ku i kërkonte.

Ai hyri përsëri, duke e gjetur Dianën në banjo.

- Si ndihesh ?

- Tkurrjet kanë filluar.

- E si duken ?

- E pamundur për t’i përshkruar.

Ai e ndihmoi të zbrisnin shkallët, e shoqëroi deri tek dera, dhe hodhi një vështrim rreth e përqark kuzhinës. Ajo ka lënë gjithçka në vend, nuk ka më asgjë për të bërë këtu. Laski e mbylli derën pas vetes dhe e çoi Dianën tek kamioneta. Ajo u fut brenda, dhe ai e mbështolli në një batanije.

Motori ishte i ngrohtë, dhe makina iu ngjit pa vështirësi rrugicës me dëborë, duke kaluar përmes pishash të larta. Në fund të rrugicës, Laski u kthye për t’u futur në rrugën e ngushtë. Tërë dimrin, Diana dhe ai kishin shëtitur këndej, duke u kënaqur me një lojë të vogël që e kishin sajuar vetë : duke imagjinuar që bebja ishte lindur tashmë dhe ngrinte këmbët në mes të dyve, si një akrobat i vogël, i kapur pas duarve të tyre, ata e kishin rrahur këtë rrugë në të dyja kahet, duke e mbajtur beben hopa.

Kamioneta kaloi përreth një fushe të mbuluar me dëborë, nga ku ia behu një qerre e vogël e nisur për askund, që kalbej në vend, me rrotat e saj rrezore të zhytura deri në mes.

Laski ngadalësoi. Të fitoje një minutë, madje dhe dhjetë, kjo nuk ndryshonte gjë. Ne e dimë sa kohë zgjat faza e parë e punës.

Kishte një shtresë akulli nën borë, dhe gomat e makinës nuk kapeshin dhe aq lehtë, por Laski dinte të manovronte mbi këtë lloj sipërfaqeje ; ai futej ngadalë në kthesa, me frena të buta. Nga të dyja anët e rrugës së ngushtë, ishin hapur hendeqe të thella për të kanalizuar, në pranverë, ujërat e rrjedhave. Por ato ishin të mbushura me dëborë, tani, dhe do të ishte dashur një sekondë tërheqje vëmendje për që kamioneta të binte në hendek dhe të ngecej aty për tërë natën. Çdo dimër, Laski ndihmonte udhëtarë të ndryshëm për të nxjerrë makinën e tyre nga hendeku, duke ngritur, tërhequr makinën me sharje dhe rrëshqitje të shumta. Kjo i kishte pëlqyer gjithmonë atij ; por sonte nuk ishte vendi.

Në kthesën tjetër ngrihej shkolla e vogël me një klasë të vetme, e harruar nën dritën e hënës. Laski u zmbraps pak për t’iu qasur kthesës me të dytin, duke menduar për nxënësit e dikurshëm, djem të vegjël në kasketë dhe pantallona të shkurtra, vajza të vogla në fustane pambuku, duke iu ngjitur brinjës për të shkuar në mësim. Pastaj ai doli nga kthesa, duke i lënë prapa fantazmat e vjetra të përshkonin përjetësisht një shekull të varrosur.

Rruga kalonte përmes një pylli në vijë të drejtë. Pishat formonin një mur të lartë nga të dyja anët e asfaltit.

- Plaku Ben ende zgjuar, tha Laski, duke bërë me kokë drejt një ferme të vjetër në mes të drurëve.

Shumica e dritareve nuk kishte xhama, dhe ajo ngjante me të gjitha fermat e braktisura të katundit, vetëm që kishte një dritë luhatëse që digjej brenda, në dhomën e vetme që druvari i vjetër e kishte skutuar mirë për t’u mbrojtur nga era, shiu dhe bora. Diana vështroi në drejtim të dritës. E veçuar ajo vetë, Diana e donte shumë plakun Ben. Në katund, ai kishte emër të keq, për shkak të mënyrës së jetesës, në kundërshtim me modelin e pranuar përgjithësisht. Por ai dinte ta punonte drurin aq mirë sa mund të ndërtonte gjithçka – një violinë, një varkë, lopata këmbësh për të ecur në borë – dhe e kishte kaluar tërë jetën e tij në pyll. Laski pa një siluetë të përshkojë natën – qenin e plakut Ben, duke nuhatur në borë pistën e një gjurme. Pastaj kamioneta iu afrua kthesës tjetër, pranë lumit që ia behte nga terret, me cipën e tij të akullt që vezullonte në kthjelltësinë e hënës. Laski e ndoqi lumin deri tek vendi ku rrëshqiste përsëri mes drurëve, duke tjerrë një fill argjendi ndërmjet degëve të errëta.

Një tjetër lirishtë u shfaq, dhe një kasolle e vogël prej druri. Ishte një bujtinë për "turistët", siç fshatarët kanadezë i quanin Amerikanët që shkonin atje për të peshkuar, gjuajtur, dhe jetuar pranë natyrës për një javë. Laskit iu kujtua një ditë, para shumë kohësh… Babai i tij dhe ai kishin vajtur për peshkim, në Kanada, dhe lundronin në një kanoe me motor, një mëngjes plot diell, mbi një lumë të gjerë me të papritura të shumta. Befas, Laski kishte pasur përshtypjen të ishte njëkohësisht lumi, drurët, dielli dhe era.

Butësisht, ai preku supin e Dianës. Ajo dridhej nën pallton e saj të trashë, dhe ai pati delikatesën të mos e pyeste sesi ndihej.

Bujtina për turistët amerikanë u zhduk në terr, prapa tyre. Në fillim, katundarët e kishin konsideruar Laskin dhe gruan e tij si turistë, sepse dukshëm ata nuk kishin asnjë mjet jetese. Pastaj kishin mësuar që ata ishin artistë. Duke mos patur parë nga afër krijesa kaq të çuditshme, përveç plakut Coleman Johns, shpikësi i çmendur që e kishte ndërtuar vetë mjelësen e tij automatike dhe kishte premtuar që do të shkonte në hënë me një magnet në pantallonat e tij, katundarët i lanë të qetë që të dy. Disa kishin thënë që Laski, me mjekrën e tij të dendur dhe syzet në skelet hekuri, ngjante shumë me plakun Coleman dhe dukej si vëllai i tij binjak. Sa herë që Laski kalonte në makinë përpara gërmadhave të asaj çka kishte qenë shtëpia e Coleman, ai pushtohej nga një mall i çuditshëm, njëlloj sikur shpikësi i çmendur dhe ai të kishin pasur të njëjtin vizion të këtij vendi të gjerë, që i bënte ata të ndërtonin objekte të çuditshme nën hënë.

Skulpturat e Laskit ishin sigurisht të çuditshme. Drurët ishin të mbushur me portrete të Dianës, fytyra e saj me një bukuri të rrallë shfaqej pak nga pak mbi trungje ose shkëmbinj. Drurë të vjetër të vdekur me degë të zhveshura dhe të zymta ishin kthyer në Diana valltare, si shtojzavalle. Me kalimin e kohës, barërat e harlisur që rriteshin papushim iu kishin thurur statujave rroba të blerta, dhe kaçat e kuqe iu zbukuronin këmbë e krahë sikur të ishin perla dhe kopsa. Kjo ishte shenja që ato i përkisnin tani ëndrrës së përjetshme të pishave të dendura.

- Tkurrjet më vijnë çdo dhjetë minuta.

Laski shkeli dhe më tepër pedalin. Bebja ishte me ngut.

Një dritë spektrale u shfaq si vetëtimë përpara Laskit, duke ia behur nga terret e varrezës së katundit ku prehej Coleman Johns, dhe ku dritat e makinës kishin nxjerrë kokën e një guri të vjetër varri. Gomat rrëshqitën në kthesë, pjesa e prapme e makinës përfshiu rrugën si bishti i një kafshe përpara se të drejtohej. Pastaj errësira e gëlltiti varrezën përsëri, dhe rruga qe siç më parë e rrethuar nga një pyll i dendur.

 

- Maternitetin ? pyeti sportelistja me një buzëqeshje. I keni me vete dokumentet ?

Diana i nxori nga çanta e saj e dorës. Një ndihmës infermiere përshkoi sallën e pritjes, duke shtyrë një kolltuk me rrota në të cilin u ul Diana, ende e mbështjellë në pallton e saj të trashë prej lëkure. Laski vështroi sportelisten.

- Do ta ngjitim gruan tuaj lart, zotëri, dhe ju do të mund t’i bashkoheni pas pak minutash. Kam disa formulare për t’i mbushur.

Laski preku dorën e Dianës, dhe ajo ktheu kokën drejt tij, buzëqeshëse por e largët, ndërsa ndihmës infermierja po rrotullonte kolltukun për ta marrë me vete.

Sportelistja futi një fije letër në makinën e saj të shkrimit, dhe i bëri Laskit disa pyetje në lidhje me moshën, adresën, sigurimet – çështje pa jetë që e mbajnë atë të mbërthyer pas ndenjëses së saj.

Një djalë i ri i dehur, me fytyrë të enjtur dhe të prerë, hyri në sallën e pritjes me një ecje arrogante. Vështrimin të mjegulluar, ai iu afrua zyrës së pritjes. Sportelistja ngriti kokën.

- Mund të uleni diku, ju lutem, propozoi ajo me një zë të akullt.

Djali u mbështet mbi banak, por sportelistja nuk ia vuri mendjen, megjithë plagën e tij të hapur, sipër syrit, nga ku rridhte një vijë e hollë gjaku.

Laski u zhyt në vështrimin e djaloshit, duke pritur të gjente aty armiqësi. Ai zbuloi një fëmijë të trembur që donte të binte në sy. Infermieret nuk do të merren me të, mendoi Laski. Pastaj mjeku do t’ia qepë plagën dhe do t’i thonë të shkojë në shtëpi. Por, një ditë, ai ka qenë një bebe duke lindur, dhe të gjithë i kishin sytë vetëm tek ai. Ai ka qenë, edhe ai, heroi i këtij çasti të madh.

Një burrë më i moshuar hyri në sallën e pritjes, vështroi për një çast përreth, derisa vështrimi i tij ndeshi siluetën e djalit. Ai u afrua ngadalë ; ecja dhe qëndrimi i tij të kujtonin ato të djalit të ri.

- Ç’të ka ndodhur ?

- Jo ndonjë gjë e madhe, u përgjigj tjetri, duke marrë pozën e djalit të sigurtë në vete.

- U bënë ca kohë që nuk të kam parë.

- Kisha dalë shëtitje.

- Do të të pëlqente të punosh ?

- Po, sigurisht.

- Mund të fillosh nesër.

- Oh, jo, iu përgjigj djali i ri. (Ai tundi kokën, preku lehtë plagën me majën e gishtave.) Nesër, nuk mund të bëj asgjë.

Dokumentat ishin mbushur. Ndihmës infermierja erdhi, dhe Laski e ndoqi pas në koridor, deri tek ashensori. Pa ndërruar asnjë fjalë, ata u ngjitën në katin e quajtur MATERNITET. Salla përmbante një divan dhe dy kolltuqe prej lëkure. Mbi derën e fundit, një pllakë tregonte :

SALLE PUNE – NDALOHET HYRJA.

Ndihmës infermierja u largua. Laski u ul. Këtu presin baballarët. Ai u ngrit, bëri ecejake në holl. Tani, po ec si një baba i ardhshëm.

Diku në koridor, nga një qoshe që ai nuk mund ta shihte, i erdhi zhurma e një makine që pastron dyshemenë ; gjëmimi i motorit elektrik, kërcëllitja e rrotave afroheshin. Laski zgjati veshin, pastaj paisja u shfaq, e shtyrë nga një punëtor pastrimi në uniformë.

- Atëherë, kjo është mbrëmja e madhe, hë ?

- Po.

Pastruesi tundi kokën dhe vazhdoi punën e tij. Ai i njeh të gjitha këto, tha me vete Laski, ka parë aq shumë njerëz të vijnë dhe të ikin, për çdo natë – dhe të sillen rreth e përqark në dyshemenë e tij të larë.

Një infermiere e moshuar doli nga salla e punës. Laski u kthyer drejt saj, por ajo i lëshoi një vështrim kaq të ftohtë dhe pa ndjenja saqë të gjitha pyetjet i ngecën në grykë. Ai dëgjoi hapat e infermieres të largoheshin në koridor, pastaj iu afrua derës së sallës të punës dhe hodhi një sy përmes dritares së vogël të rrumbullakët. Nga ana tjetër e xhamit, koridori, i ndriçuar dobët, ishte i shkretë.

Laski u kthye mbrapsht, kaloi përpara kolltuqeve prej lëkure. Era e spitalit – alkol dhe ilaçe – mbushte atmosferën. Dyshemeja ishte me pllaka katrore ; ai eci, këmbët njëra pas tjetrës, duke bërë kujdes të mos ecte ndërmjet dy pllakash. Çizmet e tij, të lagura nga bora, nuk kishin pasur kohë të thaheshin. Ai kundroi majat e tyre, të zeza nga lagështia, të vjetëruara, të rrjepura nga pylli, që dukeshin t’i dërgonin vështrimin e tij.

U rrotullua në vend dhe u rikthye mbi hapat e tij, duke përshkuar përsëri pllakat. Dera u hap për herë të dytë. U shfaq një infermiere e re, e buzëqeshur.

- Sapo kemi përfunduar së përgatituri gruan tuaj, tha ajo. Do të mund t’i bashkoheni pas pak minutash. [...]