PERKTHIME

Tė ēosh autorin tek lexuesi, tė sjellėsh lexuesin tek autori.

André LAUDE (1939-1995)

 

 

Lindur më 1936 në Aulnay-sous-Bois (pranë Parisit). E ëma, Olga Katz, çifute polake do të zhduket në Auschwitz, kurse mbi të atin, nuk dihet pothuaj asgjë. André Laude është quajtur gjithashtu dhe "ylli i zi i poezisë". Ka bashkëpunuar me mjaft revista letrare por personaliteti i tij ka qenë mjaft i vështirë për t’u kapur. Bënte mjaft kujdes që të mos linte asnjë gjurmë nga ekzistenca e tij. Vitet e fundit të jetës së tij kanë qenë mjaft të vështira dhe në një skamje të plotë.

Laude kishte vetëm një pasion : poezinë. Dinte përmendsh me mijëra vargje dhe ishte në vetvete një antologji e tërë.

Ja çka thoshte për poezinë :

 

Për mua, aktiviteti poetik ka qenë gjithmonë i lidhur me përvojën e jetuar. Synimi im ka qenë gjithmonë që të përafroj përvojën e jetuar me tekstin e shkruar. Nuk mund ta mendoj poezinë që të jetë thjesht sajesë e një aktiviteti mendor. Ajo është përftim i një aktiviteti të përgjithshëm që vë në pikëpyetje mendjen, shqisat, seksin, lëkurën, dhe gjithashtu historinë e individit, historinë kolektive. E tërë përvoja ime poetike lidhet rreth kësaj ideje : poezia duhet të ndryshojë jetën.

 

Një poet i veçantë. André Laude ka vdekur më 1995 në një dhomë të vogël pariziane, në një vetmi të thellë dhe i harruar pothuaj nga të gjithë.

 

 



KRIMBI NE FRUT

Eci përmes hullisë së gjatë që çon tek të vdekurit memecë.
Ëndërroj për borën, për kuajt prej zjarri,
për dimrin e fjalëve.
Shoh drurë të djegur, anije që mbyten,
pulëbardha të zëna nga ngrica.
Eci përgjatë lumit prej gjaku dhe lotësh
që përshkon rrënojat shqetësuese.
Ndjej erën e predatorëve, urinën
e hienës, jashtëqitjen e bebeve të vogla.
Shkruaj i nisur nga një bërthamë nate.
Shkruaj i nisur nga një hendek i mbytur në baltë.
Shkruaj me lak në fyt.
Kurthi tashmë lëviz nën këmbët e mia.
Eci përgjatë mermerit të ftohtë që të jep të dridhura
dhe këndoj një këngë të vjetër dhe të çuditshme,
që thotë se sot e përgjithmonë
krimbi është në frut.

 

 

***



ME QUAJNE ASKUSH

E urrej veten dhe dua të vdes. E urrej veten
dhe dua të vdes.
Mbyllini sytë. Mendoni për herë të fundit
profilin tim prej poeti grek,
në ishullin më të shkretë.
Do të jem, nisur nga kjo ditë, qiell, qiell, dhe qiell.
Qiell përtej çmendurive tuaja vrastare.
Do të jem qiell. Do të jem i përjetshëm.

 

 

***

 


BOJE DHE GJAK

E bëj jetën time përnatë një grumbull plehrash.
E bëj jetën time një kronikë të mjegullt.
E bëj natën time një kryqëzim fantazmash.
E bëj gjakun tim një lumë të gjatë
që rreh në tëmthat e mi.
E bëj frikën time një zog bardh e zi
E bëj një zog të ngordhur, të kalbur,
fëmijën që do të kisha mundur të jem.
E bëj fëmijën një zjarr të çmendur, një pirg hiri.
E bëj vdekjen time të ardhshme një gosti gjarpërinjsh.
E bëj një gjarpër litar për të varur veten.
E bëj një heshtje të gjatë, të thellë, testamentin
e gjithçkaje që qe shkatërrim, tmerr, mërzi,
ndarje dhe çirrje të pafundme.
Urinoj bojë dhe gjak.
Urinoj bojë dhe gjak.
Këndoj mbi turrën e ndëshkimeve.

 

 

***

 

 

RRETH MENGJESIT TE QERSHIAVE

 

kurrë më nuk do t’i kthej sytë

drejt një fluturimi pëllumbash

kur dikund do të rrihet

një fëmijë para nënës së vet

 

kur do të ngrihen armët

kundër zhurmës adoleshente

të përhapur nëpër rrugë

për të thënë çka të tjerët mendojnë

 

kur do të pushkatohet një popull

në një gjëmim gojësh

dhe gjoksesh të pafajshëm

kur do të gënjehet në gazeta

 

kurrë më nuk do ta dua poezinë poetike

sa kohë që të ketë dritë të burgosur

sa kohë që të ketë një foshnjë të uritur

tashmë të mbërthyer nga dhëmbët e hiçit

 

megjithë qarjet e nënës

megjithë ulërimat e babait

megjithë zogjtë dhe qiellin

dhe farën që këndon nën dheun e dashuruar

 

kurrë më nuk do të mund t’i vështroj përballë

ata që shkojnë me sytë të lidhur

përmes epokës mizore

të shpaguar nga gjaku i atyre që luftojnë

dhe që nganjëherë larg të gjithëve

dhe gjithçkaje qetësisht vdesin

 

 

***

 

 

FERRI JESHIL

 

Në ferrin jeshil kam ndërtuar një shtëpi

lutjesh dhe kundërshtimesh.

Natën dëgjoj tinguj të çuditshëm.

Vallë janë Engjëj,

djaj të errët të përpara Kolombit.

Në ferrin jeshil mbart skeletin tim të vjetër.

Luaj poker. Kam gjithmonë tre asa.

Tymos puro kubaneze

dhe pi alkol ethesh.

Shtyp miza të mëdha

pirëse gjaku mbi buzët e mia.

Kam ndërtuar një shtëpi ajri dhe uragani.

Kam shtruar shtratin martesor për femrën e femrave.

Revolveri është aty, ulur mbi tavolinën prej druri të egër.

Nën një hënë të ftohtë pres krim dhe ndëshkim.

 

 

***

 

 

CORRIDA

 

Ngjitem pas vdekjes sime si ylli pas qiellit.

Jeta mizore

ka vrarë në mua mjaft ar

dhe fëmijë që kanë qarë në cep të buzëve.

Ka ardhur koha

të ndahen gjërat.

Lamtumirë orë e verës, lamtumirë orë e dimrit

tani është ora e shtegtimit të bardhë dhe e keqardhjeve.

Tashmë fundosem në tokë

qiriun të fikur.

Si matador i gjallë dhe i shkathtë

përvijoj një shmangie.

E për çfarë shërben të sfidosh kapë të kuqe dhe kapë të zezë.

Poezia është e thjeshtë si një mirëmbrëma

në mes të një arene rëre dhe gjaku. Kokëprerë.

 

 

***

 

 

QARK I KUQ

 

Sa dema të egër në lagjet e dashurisë.

Sa dema nëpër rrugicat e bredhjes

ku unë kërkoj Marie-Juana me fytyrë fëmijërie të gërrithur

nga marinarët e Sydney, Vancouver dhe Brest-Recouvrance.

Sa krimba në varrin e errët ku prehet miku im.

Sa gozhda të ngulura në këtë qark të kuq zemra ime.

Sa profetë dhe magjistarë dhe zbulues burimesh në fund të shkretëtirave.

Kërkoj Marie-Juana një femër pa moshë,

ajo është magjistare e botës së legjendave të vendeve të gjelbëruara.

Ajo është kafshata e bekuar e priftit mbi buzët e mia

dhe llampa me vaj në fund të syve të mi.

Sa dema të verbër dhe sa zjarre

dhe sa të vdekur në luftra për ishuj të errët.

 

 

***

 

 

DUKE PERSHKRUAR VENDIN E TE VDEKURVE

 

Duke përshkuar vendin e të vdekurve

në rrugë drejt Adenit tokat e Arthur Rimbaud.

Thith gishtat e mi për shkak të etjes

malarjes, kancerit të kockave.

Mendoj për Bretanjën,

për femrat me kapele të larta.

Mendoj për kajakët e lumit Zaire.

Mendoj për zogjtë shumëngjyrësh të Amazonisë.

Mendoj për seksin e ngrohtë të indianes

në të rënë të natës.

Mendoj për një lloj poeme

të shpallur nga një gjeni i çmendur

që do t'i pushonte papagajtë jeshilë.