PERKTHIME

Tė ēosh autorin tek lexuesi, tė sjellėsh lexuesin tek autori.

Gabriel Garcia MARQUEZ (1928)

 

 

Lindur më 1928 në Aracataca, fshat në Kolumbi. I ati telegrafist, e ëma një vajzë e re e borgjezisë vendase. Por në të vërtetë, rritur nga gjyshërit nga e ëma. Gjyshi, një ish-kolonel, ishte shoku dhe i besuari i tij. Gjyshja, një grua nevrike dhe largpamëse, hynte natën në dhomën e tij dhe e tmerronte me gjithfarë lloj historish me lugetër. Shtëpia dhe mjedisi i tij do të përbëjnë kornizën e mjaft tregimeve dhe romaneve.

Mbaron studimet për drejtësi në Bogota dhe punon si gazetar në një gazetë. Njihet me veprat e Faulkner, Woolf, Hemingway, Kafka, Joyce. Dërgohet në Paris për llogari të gazetës por shpejt gjendet pa para ngaqë gazeta e tij mbyllet. Më pas viziton dhe dosa vende të bllokut komunist – BS, RDGJ, Hungari, pastaj sërish në Paris dhe përfundimisht kthehet në Kolumbi ku dhe martohet. Më pas jeton dhe gjashtë vjet në Barcelonë (1968-1974).

Veprat e tij më të njohura janë Kronikë e një vdekje të paralajmëruar, Njëqind vjet vetmi, Dashuri në kohën e kolerës, Kujtime nga kurvat e mia të trishta.

Më 1982 fiton çmimin Nobel. Mbahet si ati i realizmit magjik, së bashku me Borges.

 

Këtu më poshtë, një copëz nga romani "Kujtime nga kurvat e mia të trishta", 2004.

 

 

 

 

 

Vitin tim të nëntëdhjetë, kam dashur t’i ofroj vetes një natë të çmendur dashurie me një virgjëreshë adoleshente. Më ka rënë ndërmend Rosa Cabarcas, e zonja e një shtëpie publike që e kishte për zakon t’i njoftonte klientët e saj të mirë sa herë që kishte shtënë në dorë një fytyrë të re. Nuk isha dhënë asnjëherë ndaj një ftese të tillë dhe as ndaj tundimeve të saj të paturpshme, por ajo nuk besonte në pastërtinë e parimeve të mia. Morali gjithashtu është një çështje kohe, thoshte ajo me një buzëqeshje dinake, do ta shohësh vetë. Ajo ishte pak më e re se unë, dhe unë nuk dija asgjë për të prej aq shumë vitesh saqë do të kishte mundur fare mirë të ishte e vdekur. E megjithatë, në të parën alo të saj, ia kam njohur zërin në cepin tjetër të fillit dhe kam deklaruar pa e zgjatur : « Sot, po ! »

Ah, plakushi im i gjorë, ka psherëtirë ajo, ti zhdukesh që prej njëzet vjetësh dhe kthehesh tani për të kërkuar qiqra në hell. Duke iu rikthyer përnjëherë zotërimit të zanatit të saj, ajo më ka bërë nja gjashtë propozime të mrekullueshme por, duhet thënë mirë kjo, që të gjitha të dorës së dytë. I kam thënë jo, që ajo duhet të ishte një virgjëreshë dhe madje po atë mbrëmje. E shqetësuar, ajo më ka pyetur : E ç’do të provosh me këtë ? Asgjë, i jam përgjigjur unë, i kapur disi pick, e di shumë mirë çfarë mundem dhe çfarë nuk mundem. Pa e prishur gjakun, ajo është përgjigjur që pleqtë dinë gjithçka, vetëm se ata nuk e dinë që nuk ka më Virgjëreshë në këtë botë përveç atyre që, si dhe unë, janë lindur në muajin gusht. Përse nuk ma ke bërë më herët këtë porosi ? Frymëzimi nuk të pyet kur vjen, ia kam kthyer unë. Por ai pret ndoshta, më ka kundërshtuar ajo, si gjithmonë më e zgjuar se burrat, dhe më ka kërkuar të paktën dy ditë që ta shihte tregun mirë. Mjaft serioz, i kam thënë që në një çështje si kjo, në moshën time, një orë është një vit. Atëherë kjo është e pamundur, më ka thënë ajo pa asnjë mëdyshje, por pak rëndësi ka, më ke futur xixat tani, për Zotin, do të të bëj zë pas një ore.

E kotë të thuhet, sepse kjo shihet me kilometra larg : jam i shëmtuar, i ndrojtur dhe jashtë kohe. Por nga këmbëngulja për të mos e pranuar këtë, nga fundi kam filluar të hiqem si e kundërta. Deri ditën e sotme, ku kam vendosur me vullnetin tim të plotë që të dal hapur i tillë siç jam, qoftë dhe vetëm për të lehtësuar ndërgjegjen time. Ia kam filluar me këtë telefonatë të çuditshme ndaj Rosa Cabarcas, sepse tani që e mendoj, e shoh qartë se kjo telefonatë ka shënuar fillimin e një jete të re, në një moshë ku shumica e të vdekshmëve kanë vdekur.

Banoj në një shtëpi koloniale në rrethinën plot diell të parkut San Nicolas, ku e kam kaluar tërë jetën time pa grua as pasuri, ku prindërit e mi kanë jetuar dhe vdekur dhe ku kam ndërmend të vdes në shtratin ku jam lindur, i vetëm dhe një ditë që do ta doja të largët dhe pa dhimbje. Im atë e kishte blerë në një shitje në ankand nga fundi i shekullit të XIX-të, katin përdhesë ia kishte lëshuar me qira një grupi Italianësh të cilët e kanë shndërruar në një dyqan luksi, dhe për vete kishte mbajtur katin sipër për të jetuar i lumtur me të bijën e njërit prej tyre, Florentina de Dios Cargamantos, interpretuese e mrekullueshme e Mozartit, poliglote dhe garibaldiane, gruaja më e bukur dhe e talentuar që të ketë njohur qyteti ndonjëherë : nëna ime.

Shtëpia është e madhe dhe plot dritë, me harqe të stukuara, me dysheme mozaikësh të gurtë fiorentinë dhe me katër dyer-dritare që të nxjerrin mbi një ballkon të gjatë ku nëna ime ulej mbrëmjeve të marsit për të kënduar arie dashurie me kushërirat e veta italiane. Që këndej mund të shihet parku San Nicolas me katedralen dhe statujën e Kristofor Kolombit, dhe më tej molet e portit lumor si dhe horizonti i gjerë i Magdalenës ende dhe njëzet kilometra nga grykëderdhja e saj. Por ajo çka është e bezdisshme në këtë shtëpi është dielli i cili, përgjatë ditës, ndryshon dritare të cilat duhen mbyllur të gjitha nëse duam të bëjmë një gjumë pasdite nën hijen e zjarrtë. Tridhjetë e dy vjeç, kur kam mbetur vetëm, jam vendosur në atë që kishte qenë dhoma e prindërve të mi, kam çelur një derë që të nxjerr në bibliotekë dhe kam filluar të shes në ankand gjithçka që nuk e kisha të nevojshme për të jetuar, domethënë pothuaj gjithçka, përveç librave dhe pianëzës me rrula.

Përgjatë dyzet vjetësh kam qenë llokoçitës lajmesh në Diario të La Paz, një punë e cila qëndronte në rithurjen dhe plotësimin me prozë vendase të lajmeve të botës që ne i kapnim fluturimthi në hapësirën e thellë, në valë të shkurtra ose në mors. Sot jetoj as mirë as keq falë pensionit tim të këtij zanati të zhdukur : jetoj më pak mirë nga pensioni i profesorit të gramatikës spanjolle dhe latine, mezi nga kronika e së dielës që e shkruaj papushim që prej më shumë se një gjysmëshekulli, dhe fare nga lajmet muzikore apo teatrale që m’i mundësojnë t’i botoj sa herë që japin shfaqje interpretues të dëgjuar. Nuk kam bërë kurrë gjë tjetër veçse shkruar, por nuk kam as prirjen as talentin e një rrëfyesi, nuk di kurrgjë nga rregullat e krijimit dramatik, dhe nëse i jam futur kësaj pune, kjo është ngaqë kam besim tek drita e gjithçkaje që kam lexuar në jetën time. Për t’i thënë gjërat troç, do të thosha që jam një qen race pa merita e pa emër, që nuk ka për t’i lënë asgjë pjellës së vet përveç bëmat që po iu futem t’i rrëfej, aq sa mundem, në këto Kujtime të dashurisë sime të madhe.

Ditën e nëntëdhjetë viteve të mia jam zgjuar në pesë të mëngjesit, si zakonisht. Meqë ishte e premte, detyrimi im i vetëm ishte të shkruaja artikullin me nënshkrimin tim që El Diario de La Paz e boton çdo të diel. Në agim, dukej se të gjitha shenjat ishin lidhur për të më penguar të isha i lumtur : kockat më dhembnin që nga mesi i natës, prapanicën e kisha zjarr, dhe bubullimat paralajmëronin një stuhi pas tre muajsh thatësire. Kam larë sytë ndërsa bëhej kafeja, kam pirë një tas, sheqerosur me mjaltë dhe shoqëruar me dy biskota misri, dhe pastaj kam veshur kombinoshet prej bezeje që i mbaja në shtëpi.

Çështja e artikullit të asaj dite ishte, sigurisht, nëntëdhjetë vitet e mia. Nuk e kam menduar kurrë moshën si uji që kullon nga një çati duke na treguar kohën që na ka mbetur të jetojmë. Qysh në fëmijërinë time të hershme, kam dëgjuar të thuhet se kur vdes dikush, morrat që mbushin flokët e tij ikin të tmerruar nëpër nënkresa, për turpin e madh të gjithë familjes. Dhe nga kjo kam nxjerrë një mësim të atillë që e kam lënë veten të qethem tullë për të vajtur në shkollë, dhe madje ende sot i pluhuros ato pak fije që më kanë mbetur me Marie-Rose. Çka kjo nënkupton, them me vete tani, që qysh në moshën time të hershme ndjenja e turpit përpara të tjerëve ka fituar mbi ndjenjën e vdekjes.

Që prej disa muajsh, kisha parashikuar që kronika ime në lidhje me ditëlindjen time nuk do të ishte qarje dhe vajtime mbi vitet e shkuara, por krejt e kundërta : një lëvdim i pleqërisë. Kam filluar të pyes veten kur kisha pasur vetëdijen e të qenurit plak, dhe më është dukur se kjo ishte fare pak kohë para kësaj dite të paharrueshme. Në moshën dyzet e dy vjeç, kisha vajtur të shihja një mjek për një dhimbje shpine që më pengonte të merrja frymë. Ai nuk ia kishte vënë shumë veshin : kjo është një dhimbje normale për moshën tënde.

« Në këtë rast, i isha përgjigjur unë, nuk qenka normal mosha ime. »

Mjeku më kishte drejtuar një buzëqeshje dhembshurie duke më thënë : E shoh që jeni filozof. Ishte hera e parë që e lidhja moshën time me pleqërinë, por nuk kam vonuar ta harroj. Jam mësuar të zgjohem çdo mëngjes me një dhimbje të ndryshme e cila ndërronte vend dhe formë me kalimin e viteve. Nganjëherë kujtoja se ndjeja kthetrat e vdekjes, por të nesërmen ajo ishte zhdukur. Rreth kësaj kohe, kisha dëgjuar të thuhet që shenja e parë e pleqërisë është kur fillojmë t’i ngjajmë të atit. Duhet të jem i dënuar për një rini të përjetshme, kisha menduar atëherë, sepse profili im prej kali nuk do të ngjasë kurrë me atë prej Karaibasi të pastër, dhe as me atë të nënës sime, profil romak dhe perandorak. Në të vërtetë, ndryshimet e para janë kaq të ngadalta saqë mezi dallohen, ne vazhdojmë ta shohim veten së brendshmi siç kemi qenë gjithmonë, ndërsa të tjerët i zbulojnë ato së jashtmi.

Në të pesëdhjetat, ndërsa e përfytyroja mezi çka ishte pleqëria, kam vënë re harresat e para të kujtesës. Sillesha nëpër shtëpi duke kërkuar syzet e mia, dhe në fund kujtohesha që i kisha mbi hundë, ose dhe i mbaja nën dush, ose i ngatërroja ato për larg me ato për afër. Një ditë, kam ngrënë dy vakte mëngjesi sepse e kisha harruar të parin, pastaj kam mësuar të shquaj shqetësimin e miqve të mi që nuk guxonin të më thoshin që po iu tregoja të njëjtën histori si javën e kaluar. Asokohe kisha një listë fytyrash të njohura dhe një tjetër me emrat e secilit, por në çastin e përshendetjes nuk arrija të përputhja emrin me fytyrën.

Mosha ime seksuale nuk më ka shqetësuar kurrë, sepse fuqia ime varej më pak nga mua sesa nga ato, dhe se ato e dinin si dhe pse kur e duan. Sot më vjen të qesh me fëmijët tetëdhjetë vjeçarë që shkojnë të shohin një mjek, të trembur nga ato drithërimat, pa iu vajtur në mendje që nëntëdhjetë vjeç do të jetë edhe më keq, por ç’rëndësi ka : këto janë bezdisjet e qenies gjithmonë në jetë. Përkundrazi, që pleqtë të humbasin nga kujtesa gjëra që nuk janë thelbësore dhe të ruajnë pothuaj gjithmonë ato që iu interesojnë më tepër, kjo është një fitore e jetës. Ciceroni e ka ilustruar këtë me një të rënë të penës : Nuk ka asnjë plak që harron ku e ka fshehur thesarin e vet.

Me këto refleksione, e me ca të tjera ende, kisha përfunduar një skicë të parë të artikullit tim, kur dielli i gushtit ka depërtuar midis bajameve të parkut dhe anija lumore e postës, me vonesë një javore për shkak të thatësirës, ka hyrë duke uturuar në kanalin e portit. Kam menduar : ja të nëntëdhjetët e mia që po mbërrijnë. Nuk do ta di kurrë dhe nuk pretendoj ta di përse është kjo që, si i shushatur nga kjo përmendje tmerruese, kam vendosur t’i telefonoj Rosa Cabarcas, me qëllim që ajo të më ndihmonte të festoja ditëlindjen me një natë të shthurur. Jetoja prej vitesh në një paqe të shenjtë me trupin tim, duke iu përkushtuar rileximit bredhacak të klasikëve të mi dhe programeve të mia vetjake të muzikës, por dëshira që kam provuar atë ditë ishte kaq e ngutshme saqë kam besuar se ishte një lajm i Zotit. Pas kësaj telefonate, nuk kam mundur të shkruaj më. E kam lidhur shezlongun në një cep të bibliotekës ku nuk hyn dielli në mëngjes dhe jam shembur mbi të, gjoksin të shtypur nga angështia e pritjes.

Kam qenë fëmijë i urtë i një nëne me dhunti të shumta, të rrëmbyer në moshën pesëdhjetë vjeçe nga verdhëza, dhe i një babai formalist që askush nuk e ka parë ndonjëherë të kryejë ndonjë gabim, vdekur në shtratin e tij prej vejushi ditën kur nënshkrimi i traktatit të Holandës i ka dhënë fund luftës së Njëmijë Ditëve dhe mjaft luftrave të tjera të shekullit të kaluar. Paqja e ka shndërruar qytetin në diçka që as nuk e kishim parashikuar dhe as dëshiruar. Një tufë femrash të lira kanë zbukuruar deri në çmenduri kantinat e vjetra të rrugës Ancha, të quajtur më vonë shëtitorja Abello dhe sot paseo Colon, në këtë qytet të dashur të shpirtit të tim dhe aq të vlerësuar nga vendasit dhe të huajt për shkak të mënyrave të sjellshme të banorëve dhe të pastërtisë së dritës së tij.

Nuk kam fjetur kurrë me një femër pa e paguar, dhe disa prej tyre që nuk ishin të zanatit, i kam bindur që t’i marrin paratë me hir apo pahir, edhe sikur t’i hidhnin në kosh. [...]