PERKTHIME

Tė ēosh autorin tek lexuesi, tė sjellėsh lexuesin tek autori.

Henri MICHAUX (1899-1984)

 

 

PUNET E MIA

 

Rrallë mund ta shoh dikënd pa e rrahur. Të tjerë parapëlqejnë monologun e brendshëm.

Kurse unë jo. Më pëlqen më mirë të rrah.

Ka njerëz që ulen përballë meje në restorant dhe nuk thonë asgjë, rrinë aty njëfarë kohe sepse kanë vendosur të hanë.

Ja njëri.

E ta kap, tak.

E ta mbërthej, tak.

E vari në varëse.

E heq.

E vari prapë.

E heq.

E vë mbi tavolinë, e shtyp dhe ia zë frymën.

E pështyj, e mbys.

Ai përsëri jeton.

E shtrydh, e zgjas (filloj të nxehem, duhet t’i jap fund), e ngjesh, e shtrëngoj, e mbledh shuk dhe e fus në gotën time, dhe gotën e zbraz përtokë, dhe i them shërbyesit : « Pa më sillni mua një gotë të pastër. »

Por ndjehem keq, ngrihem, paguaj faturën dhe dal.

 

 

 

NJE NJERI I HUMBUR

 

Duke dalë, humba. Qe tepër vonë për t’u kthyer prapa. Gjendesha në mes të një fushe. Dhe rreth e përqark qarkullonin rrota të mëdha. Madhësia e tyre ishte njëqind herë sa e imja. Kishte dhe të tjera më të mëdha. E unë, pa ua hedhur fare sytë, tek më afroheshin pëshpërisja ngadalë me veten time : « Rrotë, mos më shtyp… Rrotë, të lutem, mos më shtyp… Rrotë, ki mëshirë, mos më shtyp… » Ato mbërrinin, duke sjellë nga prapa një erë të fuqishme, dhe iknin përsëri. Lëkundesha. Ka muaj kështu : « Rrotë, mos më shtyp… Rrotë, edhe kësaj here, mos më shtyp. » Dhe askush nuk ndërhyn ! Dhe asgjë nuk mund ta ndalë këtë ! Do të mbetem aty deri në vdekjen time.

 

 

 

JETA IME

 

Ti po shkon pa mua, jeta ime.

Ti ecën.

Dhe unë pres ende të bëj një hap.

Ti e shpie gjëkundi tjetër betejën.

Më lë të shkretë kështu.

Nuk të kam ndjekur kurrë.

Nuk shoh aq qartë në dhuratat e tua.

Atë pak gjë që dua unë, ti nuk ma sjell kurrë.

Për shkak të kësaj mungese, dëshiroj kaq shumë.

Kaq shumë gjëra, pothuaj pambarim…

Për shkak të asaj pak që mungon, që ti nuk e sjell kurrë.

 

 

 

THJESHTESI

 

Çka i ka munguar në veçanti jetës sime deri tani, është thjeshtësia. Kam filluar të ndryshoj nga pak.

Për shembull, tani dal jashtë gjithmonë me shtratin tim, dhe kur më pëlqen një femër, e marr përnjëherë dhe fle me të.

Nëse veshët e saj janë të mëdhenj dhe të shëmtuar, apo dhe hunda, unë ia heq ato bashkë me rrobat dhe i fus poshtë shtratit, ajo i merr pastaj kur të largohet ; mbaj gjithmonë vetëm atë që më pëlqen.

Nëse të mbathurat e saj do të ishte më mirë të ndërroheshin, i ndërroj menjëherë. Kjo do të jetë dhe dhurata ime. E nëse megjithatë shoh një femër tjetër më të bukur që kalon, atëherë shfajësohem pranë së parës dhe i them të ikë në vend.

Ca vetë që më njohin kujtojnë se nuk jam i aftë të bëj çka them këtu, kujtojnë se nuk kam aq temperament. Edhe unë kujtoja kështu, por kjo vinte thjesht ngaqë nuk bëja gjithçka siç më pëlqente.

Tani kam gjithmonë pasdite të këndshme. (Në mëngjes, punoj.)

 

 

 

NE SHTRAT

 

Sëmundja që kam më ka dënuar të mos lëviz nga shtrati. Kur mërzia ime merr përmasa të tejskajshme që do të më nxjerrë mendsh nëse nuk ndërhyj, ja çfarë bëj :

E shtyp kafkën time dhe e shtrij përpara meje aq sa mundem, dhe kur është rrafshuar mirë, atëherë nxjerr kalorësinë time. Këpucët e drurit dëgjohen qartë mbi këtë dhé të ngjeshur dhe të verdhë. Rreshtimet fillojnë menjëherë trokthin, dhe dëgjohen përplasje këmbësh, dhe turrje përpara. Dhe kjo zhurmë, ky ritëm i kthjellët dhe i shumëfishtë, kjo zjarrmi që vjen era luftim dhe Fitore, magjepsin shpirtin e atij që është gozhduar në shtrat dhe nuk mund të lëvizë.

 

 

 

TE BERTASESH

 

Dhimbja e thoit është një vuajtje e tmerrshme. Por ajo çka më bënte të vuaja më shumë, ishte që nuk mund të bërtisja. Sepse isha në hotel. Nata sapo kishte rënë dhe dhoma ime gjendej mes dy dhomash ku flinin dhe ca të tjerë.

Atëherë, zura të nxjerr nga kafka ca arka të mëdha, bakërrina, dhe një vegël që kumbonte më shumë se orgat. Dhe duke përfituar nga forca mrekullore që më jepnin ethet, bëra një orkestër shurdhuese. Gjithçka përreth dridhej nga poterja.

Atëherë, më në fund i sigurtë që në këtë zallamahi nuk do të dëgjohej zëri im, fillova të ulëras, me orë të tëra, dhe ia arrita kështu të qetësohem disi.

 

 

 

PO ME VJEN TE VJELL APO ESHTE VDEKJA QE VJEN ?

 

Dorëzohu, zemra ime.

Kemi luftuar mjaft.

Le të ndalet jeta ime.

Nuk kemi qenë aq frikacakë,

Kemi bërë ç’kemi mundur.

Oh ! shpirti im,

Nisu ose rri,

Duhet vendosur.

Mos m’i prek kështu organet,

Herë me vëmendje, herë me hutim,

Nisu ose rri,

Duhet vendosur.

Unë nuk mundem më.

Zotërinj të Vdekjes

Nuk ju kam përdhosur as duartrokitur.

Kini mëshirë për mua, udhëtar tashmë i aq udhëtimeve pa valixhe,

Dhe pa mësues, pa pasuri dhe lavdia qe tjetërkund,

Ju jeni të fuqishëm sigurisht dhe të këndshëm mbi të gjitha,

Kini mëshirë për këtë njeri të trembur që para se të kapërcejë hendekun ju klith tashmë emrin e vet,

Merreni në fluturim,

Le të mësohet ai, nëse mundet, me temperamentet dhe zakonet tuaja,

Dhe ju lutem ta ndihmoni, ndihmojeni, ju përgjërohem.

 

 

FSHATI I TE ÇMENDURVE

  

Dikur aq i hareshëm, tani një fshat i shkretë. Një njeri nën një strehë priste të pushonte shiu ; mirëpo bënte acar, dhe shiu as që dukej ndokund edhe për shumë kohë.

Një bujk kërkonte kalin e vet midis vezëve. Sapo ia kishin vjedhur. Ishte ditë pazari. Vezë të shumta në shporta të panumërta. Sigurisht, hajduti kishte menduar kështu për t’i lodhur ndjekësit.

Në një dhomë të Shtëpisë së Bardhë, një burrë tërhiqte gruan e vet drejt shtratit.

« Lermë ! i tha ajo. Po sikur të jem babai yt !

- Ti nuk mund të jesh babai im, iu përgjigj ai, sepse ti je grua dhe pastaj askush nuk ka dy etër.

- E sheh, edhe ti je i shqetësuar. »

Ai doli i shkatërruar ; një Zotëri i veshur mirë e kryqëzoi dhe i tha :

« Sot, nuk ka më mbretëresha. E kotë të ngulmosh, nuk ka më. » Dhe ai u largua me kërcënime.

 

 

NATA E MARTESES

 

Nëse, ditën e martesës suaj, duke hyrë, ju e fusni gruan tuaj për t’u lagur natën në një pus, ajo do të jetë e shastisur. Dhe këtu nuk do ta ndihmojë kjo që ajo të ketë pasur gjithmonë një shqetësim të turbullt…

« Shiko, shiko, do të thotë me vete ajo, kjo qenka pra, martesa. Ja përse e mbanim kaq të fshehtë praktikimin e saj. Ma paskan hedhur në këtë punë. »

Por duke qenë e zënë ngushtë, ajo nuk do ta hapë gojën. Ja përse ju do të mund ta zhysni aty gjatë dhe për disa herë, pa shkaktuar asnjë skandal rreth e rrotull.
Nëse ajo nuk ka kuptuar gjë herën e parë, ajo ka pak gjasa ta kuptojë më vonë, dhe ju keni shumë gjasa që të mund të vazhdoni qetë-qetë (përjashto ftohjen e mushkërive), nëse sidoqoftë kjo ju intereson.

Sa për veten time, duke qenë se kam më shumë dhimbje në trupin e të tjerëve sesa në timin, më është dashur të heq dorë menjëherë.

 

 

NJE NJERI I QETE

 

Duke shtrirë duart jashtë shtratit, Penda qe habitur ngaqë nuk kishte hasur në mur. « Shiko shiko, do ta ngrënë milingonat… » dhe u kthye në krahun tjetër.

Pak më pas, gruaja e tij e kapi nga supi dhe e shkundi : « Shiko, tha ajo, përtac ! gjatë kohës që ti ishe i zënë me gjumin na kanë vjedhur shtëpinë. » Në fakt, një qiell i paprishur shtrihej nga të gjitha anët. « Bah ! paska mbaruar », mendoi ai.

Pak më pas, u dëgjua një zhurmë. Ishte një tren që vinte me shpejtësi drejt tyre. « Sa ajër të ngjeshur që ka, mendoi ai, me siguri do të mbërrijë përpara nesh » dhe e zuri gjumi përsëri.

Pastaj, një i ftohtë e zgjoi. I qullur në gjak. Disa copa të gruas së tij shtriheshin aty pranë. « Me gjakun, mendoi ai, mbërrijnë lloj-lloj kokëçarjesh ; nëse ky tren nuk do të kishte kaluar, do të isha fort i lumtur. Por meqë tani ka kaluar… » dhe fjeti përsëri.

« Le të shohim, thoshte gjykatësi, si e shpjegoni ju që gruaja juaj të jetë vrarë në atë farë feje që e kemi gjetur në tetë copa, dhe ju, që ishit aty pranë, nuk keni bërë asgjë për ta penguar këtë, madje as që e keni vënë re. Ja misteri. Krejt çështja këtu është. »

« Kështu si e ka nisur ai, nuk mund ta ndihmoj », mendoi Penda, dhe ra përsëri në gjumë.

« Ekzekutimi do të bëhet nesër. I pandehur, keni ndonjë gjë për të shtuar ? »

« Më falni, tha ai, nuk e kam ndjekur çështjen. » Dhe mbylli sytë përsëri.