PERKTHIME

Tė ēosh autorin tek lexuesi, tė sjellėsh lexuesin tek autori.

Cees NOOTEBOOM (1933)

 

 

Cees Nooteboom, lindur Cornelis Johannes Jacobus Maria Nooteboom, është një shkrimtar holandez. Autor i një vepre të gjerë që shkon nga romani filozofik në esenë gazetareske, duke kaluar dhe nga kronikat e udhëtimeve dhe poemat. « Shkrimtar nomad dhe poliglot, i magjepsur nga kultura japoneze dhe i çmendur pas Spanjës, kujtimet zënë një vend të veçantë në veprën e tij. Shkrimet e tij pasqyrojnë një mendim të vëmendshëm ndaj hollësive dhe simboleve, fryt i një reflektimi autentik dhe meditues. Aty gjejmë veçanërisht çështjen e kalimit nga ekzistenca në mos-ekzistencë, të identitetit dhe të fatit, të relativitetit të kohës dhe të hapësirës, të raporteve të shkrimtarit me historinë e realitetit, të dukshmen dhe të padukshmen. » (Jacques Beaudry)

 

Cees Nooteboom është lindur më 31 korrik 1933 në Hagë të Holandës. Pas një shkollimi të vështirë në manastire augustine, ai ndërmerr disa udhëtime në Europë dhe Surinam. Më 1955, ai boton romanin e tij të parë Philippe dhe të tjerët, frymëzuar nga një udhëtim në auto-stop përmes Europës. Që prej dyzet vjetësh, Cees Nooteboom ka shkruar mjaft tregime, novela, romane dhe poema. Përveç udhëtimeve, ai e ndan kohën e vet midis Amsterdamit dhe Berlinit, dhe verës në Spanjë.

 

Çmime të fituara :

 

Çmimi Pegasus

Çmimi Constantin Huygens

Çmimi Aristeion më 1993 për "Historia pasardhëse" (Het volgende verhaal)

 

 

Më poshtë mund të lexoni faqet e para të romanit "Kënga e qenies dhe e dukjes" (1981), që tashmë e kam përkthyer të plotë.

 

 

 

 

1

 

 

"Ja, sigurisht, çka duhet të bëjë një shkrimtar, tha shkrimtari. Të fluturojë si një shqiponjë përsipër personazheve që ai do të ndjekë. Në këtë rast, mjekun dhe kolonelin."

"Ata ekzistojnë pra ? pyeti shkrimtari tjetër. Ti përdor personazhe realë ?"

"Ata ekzistojnë qysh nga çasti që i kemi imagjinuar", u përgjigj shkrimtari, që nuk ishte fare i sigurtë. Biseda po e mërziste. Si t’i shpjegohej tjetrit që ai nuk e shihte as mjekun as kolonelin, që ai sapo i kishte shpikur ata duke folur, thjesht për ta lënë të qetë ? (Gjithmonë të flasësh për punë, ta marrë djalli ! "Po ti, pse nuk shkruan më asgjë ?"…) Në sallat e gjera bosh ku rrinin tani mendimet e tij, një holl stacioni, salla e pritjes së një spitali, një gjimnaz, ai dalloi turbull konturet e një siluete ushtarake. Spaleta, pamjen paksa siç duke dalë nga një operetë. Historia nuk ndodhte pra në epokën tonë, as mbi kontinentin tonë. Sepse këtu dhe tani, kush do të mbante më spaleta të tilla ?

"Çfarë moshe kanë ?" pyeti shkrimtari tjetër.

Shkrimtari nuk u përgjigj. A i kishte shquar vallë vërtetë këto spaleta ? Ai e dinte tani e tutje që bëhej fjalë për një kazermë, ai pa të kalojë stetoskopin, të shoqëruar nga asgjë dhe nga askush. Objekti fluturues përshkonte dhomën në lartësinë e njeriut, pak a shumë ngadalë. Por çfarë bënte ky mjek në këtë kazermë ?

"Çfarë bën një mjek në një kazermë ?" pyeti ai.

"Ai vjen të shohë djalin e vet", tha tjetri, që kishte një djalë në shërbim ushtarak.

"Me një stetoskop, ta merr mendja ?" tha shkrimtari me humor. Ai pa spaletat tek ktheheshin drejt stetoskopit dhe, ndërsa ky instrument mjekësor qëndronte pezull, i palëvizshëm, spaleta e djathtë qe tundur nga lëvizje të çrregullta, të shkaktuara padyshim nga krahu ende i padukshëm që gjendej më poshtë. Eksitim, pra.

Pikërisht në çastin kur ai mendonte të shquante hijen e një koke, shfaqjen e parë të një fytyre, shkrimtari tjetër tha : "E kush do ta kishte besuar që një ditë ti do të shkruaje një histori mjekësh !"

Shkrimtari nuk u përgjigj, nga frika që gjithçka mos fashitej, dhe qe shpërblyer nga kjo. Mbi mur, prapa spaletave, nën xhamin e një kornize, u shfaq një portret, ai i një personazhi të mbushur me dekorata. E pamundur për ta lexuar mbishkrimin në gërma cirilike, por ai e kuptoi që ishte koha për ta nxjerrë kolegun e tij nga dhoma.

 

 

 

 

2

 

 

Dy orë pasi tjetri qe mundur në tërheqje, paksa i fyer nga kjo përzënie e vrazhdë ("gati vulgare"), shkrimtari ishte ende i ulur në të njëjtin qëndrim në tavolinën e tij të punës. Spektakli i një shkrimtari të vetmuar në zyrën e tij ka diçka të trishtë, që nuk mund të thuhet me fjalë. Herët apo vonë, në jetën e një shkrimtari vjen koha që ai dyshon mbi atë çka bën. E kundërta do të ishte befasuese. Sa më shumë ecën në moshë një individ, aq më pushtues bëhet realiteti, dhe në të njëjtën kohë, aq më pak ky realitet e intereson atë – sepse ka aq shumë. A duhet shtuar aty ende diçka tjetër ? A duhet vërtetë të shtojmë diçka të sajuar mbi atë që ekziston për arsyen e vetme që, ende të rinj dhe të pamësuar me atë çka quhet realitet, kemi përfytyruar vetë ne pakëz pseudo-realitet dhe që të gjithë, këndej e tutje, ju kanë pagëzuar shkrimtar ?

Mbi fletën e tij të bardhë, shkrimtari kishte shkruar vetëm një rresht : "Koloneli bie në dashuri me gruan e mjekut."

Kjo fjali e rëndomtë, tejet e rëndomtë, e bënte atë për të vjellë. "So what, rrudhi buzët ai. Koloneli është i dashuruar me gruan e mjekut." Ndonëse shkrimtari të kishte fituar, nëpërmjet poemash në prozë të frymëzuar, famën e një mendjeje të përpunuar, në intimitet ai përdorte më shumë një gjuhë të trashë. "Spaletat flenë me gruan e stetoskopit. So what ?" E ç’i hynte në punë kjo ? Padyshim, mbi të pesë kontinentet kishte kolonelë të dashuruar me gra mjekësh, dhe mjekë të dashuruar me gra kolonelësh – dhe duke qenë e ditur se kolonelët dhe mjekët ekzistonin prej disa qindra vjetësh, historia e tij kishte qenë shkruar me siguri qindra herë, por nga vetë jeta. Nga një anë tjetër, këtu mund të flisnim për gjithçka e çfarëdo. Çdo variant kishte qenë shpikur tashmë, sepse ai kishte qenë jetuar. Kishte shkrimtarë të cilët mendonin se duke shkruar një histori ata ndriçonin një pamje të realitetit, por për çfarë duhej kjo ? Ky ndriçim, më e shumta do të bënte pjesë në realitetin e lexuesit, por ç’ishte lexuesi, tekefundit, në mos subjekti i mundshëm i një historie ?

Shkrimtarët, mendonte shkrimtari, trillojnë një realitet aty ku nuk kanë mundur të jetojnë vetë, por mbi të cilin ata ushtrojnë një pushtet. Ai e shtyu tej fletën, aq dëshpërimisht bosh. A ishte kjo fare mirë një e vërtetë ? A mbante ai një pushtet mbi këto dy fytyra që ai i shihte të përvijoheshin përpara tij kaq ngadalë ? A nuk ishin ato më tepër, që mbanin një pushtet mbi të ?

Mjeku kishte një fytyrë të hollë dhe të zbehtë (çfarë gjetje ! a thua bota nuk kishte parë të dukeshin dhe zhdukeshin miliona fytyra të holla dhe të zbehta !). Por ç’të bësh, ajo ishte e hollë dhe e zbehtë. Sy gri, paksa të skuqur, të ftohtë, që një spektakël i tmerrshëm nuk duhej t’i turbullonte, qepalla dhe qerpikë të butë dhe të zinj, goja pothuaj pa ngjyrë dhe pak si tepër e bukur. Ajo çka ishte më burrërore në këtë fytyrë, ishin ende flokët, që dukeshin të mbinin nga koka dhe shkonin bashkë me një mjekër të cilën duhej ta ndalje dy herë në ditë, dhe prapëseprapë, nën bardhësinë e lëkurës shquhej një vello blu. E errët nën të kthjellët, mendoi shkrimtari, dhe mbi fletë shkroi : "si uji nën akull, aty ku nuk kemi patinuar ende", pastaj vuri një pikëpyetje dhe i ra një vizë të gjithës. Tjetër gjë e mundonte tani. Nëse do të ishte një formë pushteti kjo që të përshkruash fizikun e qenieve jo ekzistuese (t’iu japësh një fizik këtyre qenieve) në sajë të një vizioni të brendshëm të pamundshëm për t’u verifikuar, a nuk do të ishte kulmi i këtij pushteti t’iu japësh një emër këtyre personazheve jo ekzistuese, njëlloj sikur ato të ishin regjistruar realisht në gjendjen civile të një qyteti çfarëdo ?

"Stefan, Stefan, Stefan, tha koloneli duke treguar me gisht ndërmjet dy gjysmësferave të nikeluara të stetoskopit, që kishin lënë tashmë të kalonin aq e aq të ftohura mushkërish të dënuara nga Mjekësia. Stefan, të siguroj që këtë herë është fundi."

 

 

 

 

3

 

 

Kush është fundi ? mendoi shkrimtari, dhe ai ndjeu ta pushtonte një marrje mendsh e lehtë. Po bëheshin dy javë që ai kishte lënë duhanin, dhe gishti të cilin koloneli e ngulte në gjoksin e mjekut ishte i zverdhur nga nikotina. Ishte një gisht i gjerë dhe i shkurtër, imazh i përsosur i fizikut të kolonelit, sepse nëse para pak, spaletat fluturonin pak më lart sesa stetoskopi (madje tani nuk mund të flitej aspak për fluturim, ngaqë silueta masive dhe e mishtë mbushte konturet bosh nën dekoratat e arta), oficeri, që nuk kishte pothuaj fare qafë, nuk ishte në fakt më i madh se mjeku – madje dhe dukej më i vogël.

Shkrimtari mbajti vesh një çast, pa dëgjuar asgjë, ose më mirë pa regjistruar atë çka dëgjonte, pikë-pikën e shiut në pllaka, pastaj shkroi : "Ku mund ta shohim që dikush është një admirues i Schopenhauer ?" Ai e peshoi një çast çka kishte shkruar, fshiu fjalën "Ku" dhe vuri një "A" të madhe para "mund". Nëse dikush admiron Schopenhauerin, ky admirim është një pjesë e qenies së tij, dhe diçka, mendonte ai, duhej detyrimisht të shfaqej përjashta. Megjithatë, ai qe në dyshim. Ishte tashmë një veprim shumë autoritar nga ana e tij për të vendosur që koloneli të pëlqente Schopenhauerin, por të dëshironte që kjo shije të dukej dhe në pamjen e tij fizike, ah, kjo jo, ishte e tepërt ! Vërtetë, a ka pasur ndonjëherë, në tërë fortesën e përgjakshme të Ballkanit (Ballkani ! sigurisht, mjafton të vështrosh portretin e këtij mbreti gjysmë budalla dhe gërmat cirilike), një kolonel të vetëm që të lexonte Schopenhauerin ? Që të mos zotëronte qoftë dhe një vëllim fare të vogël, aforizmat më popullore ? Dhe, a do të mund ta shihnim këtë në fytyrën e tij ? Ai u drejtua nga biblioteka e tij, nxori një vëllim të Schopenhauerit, e hapi kuturu, e mbylli dhe e vuri në vend. Pesë minuta më pas, ai e merrte përsëri dhe kalonte një orë duke e lexuar dhe shfletuar. Pas kësaj, kolonel Ljuben Goergiev u bë kështu partizan i monarkisë, armik i zhurmës, cinik, të paktën në sytë e tij, dhe beqar. Por i tillë, sigurisht, ai ishte tashmë.

 

 

 

 

4

 

 

Përjashtë kishte filluar shiu. Doktor Fičev u shfajësua pranë kolonelit, që e la të niset pa dëshirë. I rikthyer në zyrën e tij, ai hoqi bluzën e bardhë, rregulloi stetoskopin në këllëfin e bërë enkas për të, dhe veshi para pasqyrës pelerinën e uniformës së tij. Jehona e fjalëve të Ljubenit : "Të siguroj që kësaj herë është fundi", i kumbonte ende në kokë, por po t’ia vije veshin, e çfarë nuk ishte fundi ? Me mënyrën e tij të të eksituarit menjëherë, ky cinik aq pak cinik, kishte interes të zgjonte zemrën e vet. Schopenhauer, nga i cili, sipas Fičevit, ai mezi kishte lexuar disa rreshta, ishte filozofi më i madh i të gjitha kohërave ; e kaluara bullgare kishte qenë fshehur nga Turqit ; kongresi i Berlinit kishte qenë manipuluar nga një bandë mashtruesish ; nëse ky Battenberg do të kishte kryqe, ai do të shpallej car i Bullgarisë ; e përse Rusët na kanë shpëtuar në Pleven nëse ishte për ne… e kështu me rradhë.

Doktori psherëtiu, dhe u kujtua që ishte duke u shikuar në pasqyrë : njeri që psherëtin në një pasqyrë. Një njeri që nuk interesohej për Bullgarinë, që aq i bënte për të ditur nëse ky apo ai lolo fisnik gjerman do të ishte mbret apo car, që thënë të vërtetën i urrente Rusët dhe që do të kishte braktisur me dëshirë, qysh sot, edhe ushtrinë edhe Sofjen. Por për të shkuar ku ? Në të vetmin vend ku mund të shkonte një njeri si ai që shihte në pasqyrë, Itali. Dhe, me një vizion drite, pallati, dielli që shndriste sheshet e mëdhenj, ai doli nën shi. Por mendimi i kolonel Georgiev nuk e lëshonte më. Përse ky njeri, ky hero i luftës së Turqisë, që kishte luajtur një rol kaq të rëndësishëm qysh në revoltën e 76-ës, ky njeri katërcipërisht i kundërt me të, e ngacmonte gjithnjë e më shpesh këto kohët e fundit, dhe përse e toleronte nga ana e tij –  ndonëse kjo të mos ishte me gjasë fjala e saktë -, kjo ishte për të një enigmë, dhe ai nuk e dinte madje nëse kjo enigmë ishte e këndshme apo e pakëndshme. Këta sy të zinj dhe shpues që nuk shmangeshin kurrë dhe që, në këtë fytyrë të gjerë tepër bullgare, drejtoheshin mbi ju si gryka pushkësh, ky ton i beftë, i copëtuar, që dukej t’iu drejtohej vetëm vartësve të tij, dhe në të njëjtën kohë një dobësi e çuditshme, njëlloj sikur të ishte i brejtur apo përndjekur nga diçka që nuk arrinte ta përkufizonte ose që të paktën, nëse mundej, ai kishte turp ta shprehte. Ai paraqiste, mendonte mjeku, simptomat e atyre njerëzve të cilëve ju iu bëni të ditur që janë të pashërueshëm dhe që e kuptoni vetë që jeni ju, ju që keni detyrën e mundimshme për t’ua thënë këtë, ai që ata do ta vrisnin me dëshirë të parin, a thua se kjo do të mund t’i shpëtonte.

Mjeku u ndal të linte të kalonte një qerre fshatari. Kokat e qeve të bardha vareshin nën zgjedhë, në shi. Thundrat e tyre linin në baltë gjurmë të buta, që treteshin menjëherë në një llucë. Llucë bullgare, mendoi mjeku, dhe ai tha me vete që një pjesë e enigmës së raporteve të tyre qëndronte në faktin që edhe ai ndjehej vartës i Ljuben Georgiev. Sapo ai gjendej në praninë e tij, ai kishte ndjenjën të shndërrohej në një shërbëtor të paaftë për të kryer gjithfarëlloj punësh pa vështrimin miratues të të zotit, dhe që megjithatë i njihte atij, këtij të zoti, një sekret të tmerrshëm. Por çka mund të ishte ky sekret, doktor Fičev nuk kishte as idenë më të vogël. […]