PERKTHIME

Tė ēosh autorin tek lexuesi, tė sjellėsh lexuesin tek autori.

Franck PAVLOFF (1940)

 

 

Franck Pavloff, lindur më 1940 në Bullgari, sot jeton në Grenoble por udhëton ngado në botë : Rio, Cuba, Maputo, Montréal… Specialist i të drejtave të fëmijëve, ai ka punuar për vite me rradhë në Afrikë dhe në Azi, pastaj në lagjet periferike të qyteteve të mëdha franceze për parandalimin e delinkuencës. Drejtor koleksionesh për rininë, ai është autor i mjaft titujve për fëmijë tek Syros, Albin Michel apo Nathan, dhe autor romanesh për të rritur në Serinë e zezë apo në botimet Baleine.

 

Ky tregim është shkruar me rastin e Sallonit të librit antifashist të Gardanne, më 1997. Mirëpo, përhapja e menjëhershme e këtij tregimi ka bërë që ai të shtypet në një libërth të veçantë prej dhjetë faqesh, me një çmim prej 1 euro. Deri më sot, janë shitur më shumë se një milion kopje, dhe përdoret në orët letrare të liceve franceze.

 

 

 

 

 

MENGJES BRUN

 

 

Këmbët të shtrira në diell, nuk bisedonim vërtetë me Charlie, thjesht shkëmbenim mendime që na kalojnë nëpër kokë, pa ua vënë veshin fjalëve të tjetrit mënjanë. Çaste të këndshme ku koha rrjedh duke rrufitur një kafe. Kur më ka thënë që atij i ishte dashur t’i bënte një gjilpërë vdekjeprurëse qenit të vet, kjo më ka befasuar pak, por pa e zgjatur më tej. Është gjithmonë e trishtë të shohësh një qen që mplaket keq, por me të kaluar pesëmbëdhjetë vjetët, duhet të mësohesh me idenë që një ditë apo tjetër ai do të vdesë.

- E kupton, nuk mund ta lija të kalonte për një brun.

- Hmm, një labrador, sikur nuk është ngjyra e tij brun, por ç’sëmundje kishte ?

- Nuk është puna aty jo, thjesht nuk ishte një qen brun, dhe kaq.

- Mos ! paska filluar njëlloj si për macet tani ?

- Po, njëlloj.

Për macet, isha në dijeni. Muajin e kaluar, më ishte dashur ta hiqja qafe timen, një mace ulluqesh që kishte pasur idenë e keqe të lindë e bardhë, me njolla të zeza. Eshtë e vërtetë që mbipopullimi i maceve bëhej i padurueshëm, dhe se sipas asaj çka thoshin shkencëtarët e shtetit kombëtar, ia vlente më mirë të mbaheshin macet brune. Vetëm brune. Të gjitha testet e përzgjedhjes provonin që ato përshtateshin më mirë ndaj jetës sonë qytetare, që ato kishin mbarsje të pakta dhe se hanin shumë më pak. Por për mendimin tim, një mace është një mace, dhe meqë, herët apo vonë, duhej zgjidhur mirë problemi, dakort për dekretin që vendoste zhdukjen e maceve që nuk ishin brune. Milicët e qytetit shpërndanin falas toptha arseniku. Të përziera me qullë, ato mbaronin punë me macet në më pak se dy minuta. Të shtrëngohej pak zemra por pastaj harrojmë shpejt.

Qentë, kjo më ka befasuar pak më tepër, nuk e di përse, ndoshta ngaqë qeni është më i madh, ose që ai është shok i njeriut, siç themi. Sidoqoftë, Charlie sapo kishte folur po aq natyrshëm sa ç’e kisha bërë unë për macen time, dhe padyshim që ai kishte të drejtë. Tepër ndjeshmëri, kjo nuk të çon gjëkundi, dhe për qentë, është krejt e vërtetë që brunët janë më të fortë dhe të qëndrueshëm.

S’na kishte mbetur më ndonjë gjë e madhe për të thënë, jemi ndarë me një përshtypje të çuditshme. Njëlloj sikur të mos i kishim thënë të gjitha. Si në gjemba. Ca kohë më pas, jam unë që e kisha vënë në dijeni Charlie’n se e Përditshmja e qytetit nuk do të botohej më. Ai kishte mbetur gojëhapur : gazeta që ai e hapte çdo mëngjes duke pirë kafenë me qumësht !

- E kanë mbyllur ? Greva ? Falimentim ?

- Jo, jo, si pasojë e çështjes së qenve.

- Brunëve ?

- Po, vazhdon. Ska ditë që nuk sulmohet kjo masë kombëtare. Ata shkonin deri atje sa të vinin në pikëpyetje rezultatet e shkencëtarëve. Lexuesit nuk dinin ç’duhej menduar, madje disa kanë filluar t’i fshehin qentë !

- Kjo është të luash me zjarrin…

- E siç e thua dhe vete, më në fund e kanë mbyllur gazetën.

- Ta marrë djalli ! Po për garat e kuajve ?

- Eh plako, do të duhet të gjesh ndonjë mik në Lajmet Brune, nuk ka më veç kjo. Thonë se nga krahu gara dhe sporte, nuk mbahen keq. Meqë të tjerët e kishin kaluar kufirin, duhej mirë që të mbetej një gazetë në qytet, nuk mund të bëjmë pa lajme sidoqoftë.

Po atë ditë kisha pirë një kafe me Charlie’n, por më bezdiste vërtetë që të bëhesha lexues i Lajmeve Brune. Megjithatë, përreth meje, klientët e klubit vazhdonin jetën e tyre si më parë : me siguri që e kisha gabim të shqetësohesha.

Pas kësaj, iu kishte ardhur rradha librave të bibliotekës, edhe kjo një histori jo fort e qartë. Shtëpitë botuese që bënin pjesë në të njëjtin grup financiar me Të Përditshmen e qytetit, ishin nxjerrë para drejtësisë dhe librat e tyre ishin ndaluar të shfaqeshin në raftet e bibliotekave. Është e vërtetë që nëse lexonim me vëmendje në librat e këtyre shtëpive, fjala qen apo mace përmendej vetëm një herë për vëllim, dhe sigurisht jo gjithmonë e shoqëruar me fjalën brun. Ato duhet ta dinin këtë.

- S’duhet ta kruash, thoshte Charlie, e kupton, kombi nuk fiton asgjë nëse i shmangemi ligjit, dhe nëse luajmë si macja me miun. Brun, kishte shtuar ai duke vështruar përreth tij, miun brun, duke bërë kujdes nëse do t’ia kishin dëgjuar fjalët. Për të qenë të kujdesshëm, e kishim bërë zakon të shtonim brun ose brune në fund të fjalive ose pas fjalëve. Në fillim, të kërkoje një gotë raki brune, kjo na dukej për të qeshur, por tekefundit, po ta mendosh mirë, gjuha është bërë për të ecur përpara dhe nuk ishte më e çuditshme të shtoje brun ose brune sesa të thoshe "trap shkërdhatë", në majë të gjuhës, siç e bëjmë nga anët tona. Të paktën na shihnin me sy të mirë dhe ishim të qetë. Madje një herë kishim fituar dhe bastet e garave. Oh, jo ndonjë shumë e madhe, por prapë, kjo ishte fitorja jonë e parë brune. Kjo na kishte ndihmuar të pranonim kokëçarjet e rregulloreve të reja. Një ditë, me Charlie’n, më kujtohet mirë, i kisha thënë të kalonte nga shtëpia për të shikuar finalen e Kupës së kupave, dhe na ka kapur një e qeshur për t’u mbajtur mend ! Ja miku që ia beh me një qen të ri !

I mrekullueshëm, brun që nga bishti deri në turi, me sy të kaftë.

- E sheh, fundja ky është më i dashur se ai tjetri, dhe më bindet sus, me gisht e me sy. Kot u mërzita unë për atë labradorin e zi. Por ai s’e kishte mbaruar ende fjalën kur qeni i tij ka nxituar mbi divan duke lehur si një i çmendur. E bërtit ore që të bërtas, dhe që edhe brun, nuk çaj kokë për zot e për askënd ! Dhe Charlie e kishte kuptuar befas.

- Jooo, edhe ti gjithashtu ?

- E po, ç’të bëj, do ta shohësh vetë.

Dhe këtu, macja ime e re ishte hedhur si një shigjetë për t’u kacavjerrur në perde dhe për t’u fshehur mbi komo. Një maçok me vështrim dhe qime brune. Eh ç’kemi qeshur ! Dhe pastaj më fol për rastësi !

- Ti e kupton, i kisha thënë unë, kam mbajtur gjithmonë mace, kështu që… A nuk është i bukur ky këtu ?

- I shkëlqyer, më ishte përgjigjur ai.

Pastaj kemi ndezur televizorin, ndërsa kafshët tona brune përgjonin njëra-tjetrën në bisht të syrit. Nuk më kujtohet më kush e kishte fituar ndeshjen, por di që kemi kaluar ca çaste të këndshme, dhe se ndiheshim në siguri. A thua se të bëje thjesht çka duhej në qytet na siguronte dhe na thjeshtonte jetën. Siguria brune, kjo mund të kishte anë të mira. Sigurisht që mendoja për djalin e vogël që kisha kryqëzuar mbi trotuarin përballë, dhe që qante qenushin e tij të bardhë, i shtrirë i vdekur para këmbëve të tij. Por tekefundit, po qe se ai dëgjonte çka i thoshin, qentë nuk ishin të ndaluar, le të kërkonte një qen brun. Madje mund të gjendeshin edhe të vegjël. Dhe pastaj njëlloj si ne, edhe ai do të ndihej në rregull dhe do ta harronte shpejt të vjetrin.

Dhe dje, e pabesueshme, unë që mendoja të isha në paqe, për pak sa nuk jam kapur nga milicët e qytetit, ata të veshurit në brun, që nuk të falin aq lehtë. Nuk më kanë njohur, sepse ata janë të rinj në lagje dhe ende nuk i njohin të gjithë.

Isha tek Charlie. Të dielave shkoj tek Charles për të lozur me karta. Kisha një pako birrash në dorë, dhe kaq. Duhet të luanim nja dy a tre orë, por edhe duke futur diçka në gojë. Dhe paf ! befasi e plotë : dera e hyrjes së tij kishte fluturuar në copëza, dhe dy milicë të ngulur mbi shkallë largonin kureshtarët. Kam bërë gjoja se po ngjitesha në katet e sipërme dhe kam zbritur pastaj me ashensor. Poshtë, njerëzit flisnin me gjysmë-zëri.

- E megjithatë qeni i tij ishte një brun i vërtetë, e kemi parë të gjithë !

- Po, por sipas tyre, më përpara ai kishte një qen të zi, jo një brun. Një të zi.

- Më përpara ?

- Po, pikërisht. Faji tani, është gjithashtu të kesh pasur një që nuk do të kishte qenë brun. Dhe kjo nuk është e vështirë të dihet, mjafton të pyesësh fqinjin. Kam shpejtuar hapin. Isha mbushur në djersë dhe këmisha ishtë bërë ujë. Nëse të kesh pasur një të tillë përpara ishte një faj, atëherë edhe unë isha brenda për milicinë. Të gjithë në ndërtesën time e dinin që më parë kam pasur një mace bardh e zi. Më parë ! Bah ! këtë s’e kisha menduar kurrë. Atë mëngjes, Radio brune ka përsëritur lajmin. Charlie bënte pjesë sigurisht në pesëqind vetat që kishin qenë arrestuar. Nuk ndryshohet mendësia kaq lehtë, me një të blerë kafshe brune, kanë thënë ata. "Të kesh pasur një qen apo një mace jo në përputhje, në çfarëdo kohe që të jetë, është një faj." Madje spikeri ka shtuar "fyerje ndaj shtetit kombëtar". Dhe pastaj e kam dëgjuar mirë vazhdimin. Edhe pse nuk kemi pasur vetë personalisht një qen apo një mace jo në përputhje, por që dikush tjetër i familjes, një baba, një vëlla, një kushërirë për shembull, ka pasur një të tillë, qoftë dhe një herë në jetën e vet, rrezikojmë të kemi kokëçarje të mëdha.

Nuk e di ku e kanë çuar Charlie’n. Këtu e teprojnë ca. Kjo është çmenduri. Dhe unë që mendoja se isha i qetë për njëfarë kohe me macen time brune. Sigurisht, nëse kërkojnë më përpara, ata do t’i rrasin brenda të gjithë ata që kanë një qen apo një mace.  Nuk kam fjetur tërë natën. Duhet ta kisha nuhatur këtë punë qëkur brunët na kanë detyruar ligjin e tyre të parë mbi kafshët. Fundja, macja ishte e imja, edhe qeni ishte i Charlie’t, duhet të kishim thënë jo. Të mos dorëzoheshim, por si ? Ecën aq shpejt, jo puna, jo hallet e përditshme. Të tjerët gjithashtu ulin krahët që të jenë pak të qetë, apo jo ? Po trokasin në derë. Kaq herët në mëngjes, nuk ndodh asnjëherë. Kam frikë. Dita nuk është gdhirë ende, jashtë bën ende brun. Por mos godisni aq fort, erdha…