PERKTHIME

Tė ēosh autorin tek lexuesi, tė sjellėsh lexuesin tek autori.

Ernest RENAN (1823-1892)

 

 

1802
DIALOG TE VDEKURISH

 

 

Shfaqur në Komedinë-Franceze,

më 26 prill 1886,

në përvjetorin e lindjes

Victor Hugo

 

 

 

 

PERSONAZHET

 

CORNEILLE

RACINE

BOILEAU

VOLTAIRE

DIDEROT

CAMILLUS

 

 

Skena zhvillohet në zabelin e Champs-Élysées të rezervuar për hijet e pavdekshme të Komedisë franceze : dritë e butë dhe paksa e trishtë. Lule gjithandej. Dy stola mermeri antik. Corneille, Racine, Boileau, Voltaire, Diderot, e të tjerë, në veshje të kohës së tyre ; të gjitha ngjyrat janë të dobësuara dhe të shkrira në një nuancë të zbehtë dhe të bardhë, që i bën personazhet të ngjajnë me hije, si statuja të gjalla mermeri. Ata shkojnë dhe vijnë, dy nga dy ose në grupe, ngadalë, duke biseduar me një zë të rëndë. Një gjeni i vogël me flatra, Camillus, i mban fatlumturit në dijeni të gjërave tokësore dhe të vullneteve qiellore.

 

Camillus, duke hyrë, lëshon mbi stolin e majtë ca libra dhe një lloj buletini.

 

CAMILLUS

 

Të vdekurit tanë të mëdhenj do të vijnë. (Camillus përshkon shpejt e shpejt buletinin.) Paris, 1802… Bulletin letrar : Atala… Bulletin politik : Marengo, Hohenlinden… (Gjëmime topash nga larg.) Edhe në vendin e fatlumturve, ende duam të dëgjojmë zhurmat e tokës. Këto hije të pavdekshme të Komedisë Franceze, që e kanë bërë zakon të mblidhen këtu për të biseduar mbi bukuritë e përjetshme, do të lodheshin nga lavdia dhe paqja e tyre, nëse, çdo ditë, nën urdhërin e Gjenisë supreme, nuk do t’iu sillja lajme të reja nga Parisi. Ajo çka unë admiroj në këto mendje të kthjellta, është sesi ata mbeten gjithmonë vetvetja, megjithëse duke ndryshuar. Shekujt i rrisin ata, i përtërijnë, dhe megjithatë, ata mbeten gjithmonë ç’kanë qenë ! I njoh unë ata, e di që ata rinohen. Ata e duan më shumë se kurrë atë çka deshën, horizonti i mendimeve të tyre zgjerohet papushim. Ata thërrasin të tjerët të cilët duhet t’i pasojnë, duken të shqetësuar vetëm për të ardhmen. Kush e di nëse lutjet dhe parandjenjat e gjenive nuk krijojnë realitetin ?

 

Ai largohet.  Hyjnë Voltarire dhe Diderot, duke shëtitur në plan të dytë. Voltaire ndalet pranë librave mbi stolin e majtë dhe shfleton një vëllim të vogël duke buzëqeshur. Corneille dhe Racine hyjnë në të njëjtën kohë, dhe ulen mbi stolin e djathtë.

RACINE

 

Po, ky brezi i ri më habit, dhe besoj se në fakt do t’i harroj teprimet e para dhjetë vjetëve, Corneille i dashur, në kujtim të heronjve të sotëm. Do ta dua këtë shekull të ri, të dalë nga gjak dhe lotë, dhe që e drejton ndoshta një Zot i panjohur. Por a s’më thoni, hije e madhe e dashur, a nuk ju ka rënë në sy diçka ? Shekulli ka vetëm dy vjet, dhe fatet e tij letrare duken ende të turbullta. Jeta, ngrohtësia, drita duken të jenë tërhequr nga gjuha që ne e dashurojmë. A nuk ju shtie tmerrin kjo shterpësi ?

 

Dëgjohet një gjëmim dhe kënga :

Përpara !

Përtej majave,

Drejt fitores ! 


CORNEILLE

 

Oh ! jo, Racine i dashur ; jo, shpirt i butë dhe i dlirë. Kjo zhurmë është një ogur i mirë. Një afri e vjetër me heronjtë më mbush plot shpresë. Shekujt e mëdhenj bëjnë gjithmonë poetë të denjë për ta. Aureola e poezisë dhe ajo e lavdisë janë të formuara nga të njëjtat rreze. Në vendin tonë të dashur Francë, nuk ka pasur kurrë fitore pa një gjeni për ta kënduar. Pres shumë… (Gjëmimi shtohet.) Oh ! ç’ogur i mirë që është ! Më duhet një poet i ri. Çka po ndodh është e madhe, dhe më duket që ata të cilët do të lindin në këtë stuhi do të kenë gjokse të hekurt dhe zëra të çeliktë. Heronjtë janë shokët tanë ; në rendin e harmonisë, një varg sublim është njëlloj me atë çka një guxim sovran është në lojën e madhe të betejave. Sa shumë është tharë arti ynë ! Lira e vjetër është thyer. Vargu ynë, ku përplasen mijëra gjëmime, është shndërruar në një mulli me tingull të ngjirur, të thatë dhe të ashpër. Për këtë shekull të ri, unë dua një poet plot zë, që të dijë të sjellë vajtimin e pamasë të tokës, vajtim që ngrihet deri në pafundësi. Në vargjet e tij, unë dua të dëgjoj jehonën e zhurmave përreth djepit të tij, shpërthimet e rrufesë që përzihet me përskuqjet e thella të vullkanit, gumëzhimën e Notre-Dame të shoqëruar me top, trompetë dhe tambur.

 

RACINE

 

Unë kërkoj aty  gjithashtu dhe shpirtin, Corneille i dashur. Poeti që ti do është i madh dhe i zëshëm, unë e dua të butë dhe të mirë. Dua që ai të dijë të na thotë çfarë ka në lotët dhe lutjet e një gruaje. Dikur, kur zonjusha de Champmeslé qante për mua, isha tepër i prekur për të analizuar lotët e saj. E dua më shumë se kurrë Berenicën time ; besoj se mjaftojnë ndjenjat e thjeshta dhe të mëdha ; por i pranoj të gjitha variacionet në dyshen e përjetshme të dashurisë. Thesaret e sharmit, të butësisë, të mirësisë, të ngrohtësisë që janë në zemrën e femrës, janë miniera ari që nuk do të shterrohen kurrë. Oh ! kush do të dijë ta hulumtojë ende këtë humnerë ? Kush do të dijë të na kthejë dashnoren, vajzën e re, bashkëshorten, nënën ? Kush do të sjellë një dorë njëkohësisht të sigurtë dhe të drithëruar mbi këto mistere ku është sekreti i tërë mençurisë ? Lutja ime është për një poet zemre, pa le të ishin thekset e tij krejt ndryshe nga të miat. Mos më kujto të pandjeshëm ndaj luftimeve të gjigandëve që ndajnë fatin e botës. Por nuk dua një Francë me shpirt të vyshkur. Dua që zemra dhe imagjinata të marrin të drejtat e tyre. Përshendes ditën kur do të rihapet burimi i lotëve. (Në këto fjalë, Boileau është afruar aty pranë). Ah ! ja Boileau. Thuhet se ai mbretëron këto kohë. Të paktën ai duhet të jetë i kënaqur.

 

BOILEAU

 

I kënaqur me ata që më tradhtojnë, që shtrembërojnë doktrinën time, që më kuptojnë keq !... Vetëm shpirti yt virgjëror, i dashur Racine, është i aftë për iluzione të tilla. I trishtë është vërtetë fati ynë, për ne të pavdekshmit e tjerë ! Ne dukemi sikur themi përjetësisht atë çka kemi thënë në një çast kalimtar. Bota ndryshon, dhe librat tanë nuk ndryshojnë. Ka njerëz që pretendojnë të vazhdojnë rrugën tonë, dhe të jenë për ne më shumë se ç’jemi vetë për veten tonë. Me shkrimet tona i bëhet luftë asaj çka ne e duam. Ata të cilët na luftojnë janë shpesh ata që ne do t’i përkrahnim nëse do të na jepej të ringjiteshim mbi tokën e të gjallëve.

 

Voltaire dhe Diderot, që nuk kanë pushuar së shëtituri, ndalen në këtë çast.

 

VOLTAIRE

 

Diderot, më duket se Boileau po profetizon… Ta dëgjojmë.

 

BOILEAU

 

Po, kushti ynë, i ne të vdekurve të tjerë, është i veçantë. Ne e shohim shumë mirë çka do të kishim ndryshuar nëpër veprat tona nëse do të jetonim përsëri. Po kryhen mjaft gjëra që ne i besonim të pamundura. Ne do të shtonim një theksim, do të korigjonim një vërejtje. Kam pasur të drejtë në orën time ; po, kam pasur të drejtë ; këtë e shoh më mirë se kurrë ndonjëherë. Por një shekull e gjysmë ndryshojnë mjaft gjëra ! Fusha e mendjes njerëzore, të tillë siç besoja ta shihja nga kopshti im i Auteuil, ishte një copë arë e vogël ; tani, kjo fushë është mbarë bota, me malet, lumenjtë dhe pyjet e saj. Sa viza do të kisha për të shtuar ! Sa pika për të saktësuar ! Sa pikëpamje për të zgjeruar !

 

VOLTAIRE

 

Pa lëre unë ! Të vdekur të gjorë të dënuar për të heshtur, ne jemi të pranishëm në anatominë tonë, pa mundur të kundërshtojmë.

 

BOILEAU

 

Dhe sidomos, pa mundur të japim shpjegime, Voltaire i dashur. Do të doja që i vdekuri i nënshtruar ndaj prerjes me bisturi të mundej të paktën të fliste. Kur shoh të ligat që bëhen në emrin tim, jam me ata që shpejt do të më luftojnë. Çka do të thonë kundër meje, do ta thoja vetë edhe më fort. E ëndërroj, e thërras me gjithë lutjet e mia, atë poet të lartë si Alpet, të gjerë si deti, që shpirti i të cilit të jetë tastiera e Universit, çanga e gjerë ku kumbon gjithçka. Kur të ketë ushtuar kjo bori e mendimit, kur një shkollë e re, duke zgjeruar fushën e poezisë, të dijë të ndriçojë me të njëjtën rreze njeriun dhe natyrën, oh ! më besoni pra që atëherë do ta sakrifikoj me dëshirë malin Adule dhe mijëra kallamishtet e tij. Të ligat që do t’i thonë mbi mua, do t’i fal që më parë. Pavdekësia të bën zemërgjerë. Në këtë prehje ku jemi, jemi kaq shpërfillës ndaj epigrameve, apo jo ?

 

Buzëqeshje miratimi tek të gjithë të pavdekshmit.

 

VOLTAIRE

 

Të lumtë, Nicolas ! Nicolas ka gjithmonë të drejtë. Do të përgatitem për biseda të çuditshme letrare. Vullneti im i mirë nuk ka kufinj. E dini ju çfarë botohet sot në Paris ? (ai rimerr vëllimin mbi stol.) Dëgjoni, dëgjoni… (ai lexon me zë të lartë.) « Atala, ose Dashuritë e dy të egërve në shkretëtirë. » (Ai shpërthen së qeshuri.) Dashuria, me shkretëtirën për ta zbukuruar ! Oh ! çfarë mendje !

 

Hijet tregojnë një kureshtje të gjallë dhe e kalojnë vëllimin dorë më dorë.

 

RACINE

 

Dashuria është e mirë ngado. Do ta lexoj me kënaqësi këtë libër. Ndoshta kjo është belbëzimi i ndonjë shkolle që do të gjejë një formë të re për ndjenjën dhe pasionin. Kur isha i ri, e dija përmendsh Théagène dhe Chariclée.

 

VOLTAIRE

 

Eh, sa befasira më përgatisin përpara ! Jam gati për gjithçka. Këta dy të rinj të egër më duken të paralajmërojnë më shumë se një aventurë. Les Champs-Elysées na kanë bërë të gjithëve tolerantë. Do t’i dëgjoj me vëmendje paradokset të cilat, dikur, do të ma kishin ngacmuar fort humorin. Megjithatë, të mos qeshim shumë. Përmes mijëra eklipsesh, Franca vazhdon një vepër arsyeje dhe të drejte që zë vend në mbarë botën. Ne jemi të gjithë të nënshtruar ndaj kësaj vepre. Nuk ka gjeni që të mos shërbejë përparimin e arsyes dhe njerëzimit ! Unë nuk e lejoj poetin tim, edhe unë, ta ndajë kauzën e tij nga kauza e drejtësisë dhe e popullit. Dua që ai të shërbejë. Në kohën time, unë kam bërë më shumë sesa Luther dhe Calvin. Le të bëjë dhe ai sa unë, dhe nëse ai jeton si unë tetëdhjetë vjet, le t’i bëhen atij flokët e thinjura po aq të lavdishme sa të miat ! Simpatia është një nga shenjat e së vërtetës dhe një nga dhuntitë e Francës. Poeti im do t’ua lerë të tjerëve përçmimin e profanit vulgar. Duhet që ta duam atë ; që, anembanë botës, të pyetet mbi çka mendon ai, mbi çka bën ai ; që ai t’i sjellë njerëzimit të gjorë atë për të cilën ky njerëzim ka më shumë nevojë, një objekt admirimi dhe respekti. Dua që funeralet e tij të jenë një shenjë e kohëve, që apoteoza e tij të jetë vepër e turmave. Ai do të fillojë të më mallkojë ; e ç’rëndësi ka ! Jam i sigurtë që ai do të më dojë në fund. Supersticioni dhe absurditeti janë përbindsha gjithnjë të gatshëm për ta mbërthyer njerëzimin gjatë orëve të tij të gjumit. Duhen roje të zotë, që përgjojnë papushim. Apo jo, Diderot ?

 

DIDEROT

 

Po, mësues i madh ; ne patëm të drejtë. E doja të vërtetën deri në ethe ; paqja e thellë e këtyre vendeve më ka qetësuar. Gabimet tona qenë gabime të epokës së hekurit që ne kemi përshkuar. Dalloj për mendjen revanshe të bukura. Ajo çka është e qartë, është që një shekull i çuditshëm po përgatitet. Sa do ta dua ! Nuk e di nëse do t’ia arrijë në të gjitha ambicjet e tij ; por unë jam për ata që guxojnë. Guximtarë të çdo lloji që do të mbushni shekullin që vjen, ju përshendes ! Nga përplasjet e furive tuaja, shoh t’ia behin mijëra të vërteta. Sa e ëmbël do të jetë për ne të kundrojmë këto luftëra të mëdha nga gjiri i paqes sonë. Jemi ne ata që do të veprojnë në këtë botë ; ajo do të jetojë nga ne dhe nëpërmjet nesh. Nëse do të përmbushen lutjet tuaja, unë shoh katër poetë që do ta ndriçojnë këtë shekull me rreze fort të ndryshme. Shoh poetin sublim që kërkon Corneille, poetin e mëshirës që do Racine, gjeninë e mprehtë dhe të thellë që ëndërron Despréaux, patriarkun mik të njerëzve që përfytyron Voltaire. Katër poetë të rangut të parë në një shekull, kjo është shumë…

 

RACINE

 

Nuk ka caqe për mrekullitë e mendjes. Fatet e tokës janë të rregulluara ndoshta nga dëshirat e qiellit.

 

Camillus hyn me nxitim.

 

CAMILLUS

 

Gjeniu suprem ju ka dëgjuar të gjithëve, dhe ai jua ka plotësuar dëshirat. Kjo ditë do të jetë një ditë feste për Francën, një ditë ku ajo do të përshendesë një figurë të lartë dhe do të vendosë kurora mbi një ballë të gjerë. Një emër i shndritshëm më është shfaqur. Vetëm një emër ! Katër poetët tuaj janë shkrirë në një gjeni të vetëm, që do të jetë i madh, prekës, i gjerë dhe i mirë.

 

Habi e të gjithëve.

 

BOILEAU

 

Gjeniu suprem bën gjithmonë atë çka duhet.

 

DIDEROT

 

Oh ! stuhitë e bukura që ai do të ketë në kokë ! Çfarë festash të mendjes po përgatiten ! Ja diçka që do ta mbajë shekullin në gëzim !

 

CORNEILLE, për Racine

 

A nuk ju thosha, vëlla i dashur në harmoni, që ky brez do të kishte poetin e vet dhe që në botë ka një burim të pashterrshëm dashurie, force dhe gjenie… Kjo është Franca !...

 

Hijet fatlumtura dalin nga skena duke bërë shenja miratimi ndaj zhurmës së topave dhe gumëzhimës së Notre-Dame. Nga larg, dëgjohen trompeta që ushtojnë :

« Fitorja është e jona ! »

 

FUND