PERKTHIME

Tė ēosh autorin tek lexuesi, tė sjellėsh lexuesin tek autori.

Guillermo ROSALES (1946-1993)

 

 

Ky roman është ndër romanet më tronditës që kam lexuar. Një fshikullimë e ftohtë ndaj nxënies njerëzore, gati në kufinjtë e së padurueshmes. E megjithatë, një poezi aq e hollë, një romantizëm që të të shkëpusë ndonjë lot. Romani lexohet me një frymë, ne jemi aty me personazhin, jemi vetë personazhi. Të kapur në një grackë të pamëshirshme, ne përpëlitemi të gjejmë rrugëdaljen, e cila, edhe kur ajo fillon të na shfaqet së largu, kjo është thjesht për të na torturuar dhe më tepër. Engjëlli im është një klithmë e një njeriu të dëshpëruar, të shkatërruar nga idealet dhe iluzionet e tij përballë murit të heshtur të botës.

 

Guillermo Rosales është lindur më 1946 në Havanë, Kubë. Shumë shpejt, ai bie në sy si një ndër romancierët e rinj më të mirë. Romani i tij i parë Loja e violonçelit është finalist i çmimit prestigjioz Casa de las Americas, por romani nuk botohet ; rendi politik dhe moral sundon mbi gjithçka. Atëherë ai fillon të shkruajë për vete dhe për një rreth miqsh të ngushtë. Për të jetuar, atij i duhet të shkruajë artikuj të ndryshëm, më së shumti mbi peshkimin. Nuk merr pjesë në asnjë organizëm kontrolli letrar. Revolucioni e ka bërë të ëndërrojë, tani ai pështyn mbi të. Carlos Victoria, shkrimtar dhe mik i Rosales, shpërngulur dhe ky në Miami, thotë për të : « Rosales ishte nga natyra një rebel dhe anarkist ». Në romanin e tij Përpara natës, Reinaldo Arenas, edhe ky një mik dhe shkrimtar i njohur kubanez thotë : "Guillermo donte të ikte nga ishulli, qoftë dhe në balonë ; ai kishte gjithmonë plane të pabesueshme : të ikte me një varkë të tërhequr nga peshq të shpejtë, të maskohej si Nicolas Guillén për të dalë jashtë shtetit." (Asokohe, vetëm ky i fundit kishte të drejtë të dilte jashtë shtetit si shkrimtar). Më 1979, ai arrin ta lerë Kubën, nëpërmjet Spanjës, dhe vendoset në Miami. I ati, e ëma dhe e motra kanë mbetur në Kubë. Vetmia s’bën gjë tjetër veçse e acaron gjendjen e tij depresive. Në një novelë të papërkthyer, Ylli kalimtar, Carlos Victoria ndërton portretin e Rosales : "Ai nuk e ushqente urrejtjen, por ishte urrejtja që e ushqente atë. Urrejtja e bënte që të dëgjonte zëra, të shihte një armik prapa çdo fytyre, të dëgjonte një sharje prapa çdo fjale. Nga urrejtja, ai u dobësua derisa u kthye në një mbeturinë njerëzore, që vështrimi plot përbuzje i të cilit të tmerronte." Dhe është urrejtja ajo që e ka shkruar këtë libër, Engjëlli im. Në fare pak faqe, të gjithë kanë mundur të shohin ç’kanë dashur : kubanezët e arratisur – një kritikë të revolucionit kubanez, komunistët – një kritikë të sistemit amerikan. Më 1990, ai del nga azili dhe zë një dhomë në një ndërtesë publike për të varfër. Vizitat janë të rralla. Fillon të vuajë nga deliri i persekutimit. Miku i tij i ngushtë, Reinaldo Arenas, i prekur nga Sida, vret veten po atë vit në New York. Tre vjet më vonë, Guillermo Rosales vret veten në Miami. E ëma dhe e motra mbërrijnë në SHBA një vit më pas. Kështu mbyllet jeta e njërit prej shkrimtarëve më të talentuar kubanezë.

 

 

 

Më poshtë mund të lexoni faqet e para të këtij romani, Engjëlli im, tashmë dhe ky i përkthyer i plotë :

 

 

 

Mbi fasadën e shtëpisë, mund të lexohej boarding home, por e dija që ky do të ishte varri im. Ishte një nga ato strehët e pista ku përfundojnë njerëzit që i ka dënuar jeta. Shumica të çmendur. Por edhe pleq të braktisur nga familjet e tyre, të braktisur për të vdekur nga vetmia dhe për të mos ua nxirë jetën fitimtarëve.

- Këtu do të jesh mirë, thotë halla ime, e ulur në timonin e Chevrolet-it të saj të ri të markës së fundit. Këtu nuk do të bësh asgjë, do të jesh rehat, do ta shohësh.

Kuptoj. Gati sa nuk e falenderoj që më ka gjetur këtë vrimë të qelbur, ku mund të rri në jetë pa m’u dashur të fle mbi stola publikë, nëpër parqe, zhulin të ngjitur pas trupit, duke tërhequr zvarrë bohçen time të leckave.

- Këtu nuk do të bësh asgjë.

E kuptoj. Kam qenë mbyllur në tre azile të çmendurish, të paktën qëkur jam këtu, në këtë qytet të Miami ku kam mbërritur para gjashtë muajsh për t’i ikur kulturës, muzikës, letërsisë, televizionit, ngjarjeve sportive, historisë dhe filozofisë së ishullit të Kubës. Nuk jam një i dëbuar politik. Jam një i dëbuar total. Nganjëherë them me vete që nëse do të kisha lindur në Brazil, në Spanjë, në Venezuela apo në Skandinavi, do t’iu kisha ikur po aq rrugëve, porteve dhe livadheve të tyre.

- Këtu do të jesh mirë, thotë halla ime.

Asnjë mëshirë në sytë e saj të thatë. Zbresim nga makina. Mbi shtëpi, mund të lexonim boarding home. Një nga ato shtëpi që presin llumin e shoqërisë. Qenie me sy të zbrazët, me trajta të theksuara, me gojë pa dhëmbë, me trupa të qelbur. Ma merr mendja që të tilla vende ekzistojnë vetëm këtu, në SHBA-ës.  Ato njihen gjithashtu dhe me emrin shkurt, homes. Nuk janë ndërtesa publike. Çdokush mund të hapë një të tillë me kusht që të ketë një liçencë nga shteti dhe të ndjekë një kurs paramjekësor.

Halla më jep shpjegime :

- … një biznes si të gjithë të tjerët. Një ndërmarrje siç shërbimet e varrimit, dyqan optike, dyqan mode. Këtu do të paguash treqind pesos*.

Kemi hapur derën. Ata ishin të gjithë aty. René dhe Pepe, dy debilët mendorë ; Hilda, plaka e vyshkur që shurron vazhdimisht në rrobat e saj ; Pino, një burrë i zymtë dhe i heshtur që ia ngul sytë horizontit, vështrimin të rreptë ; Reyes, një plak qorr nga njëri sy, një sy i xhamtë i cili lëshon papushim një lëng të verdhë ; Ida, zonja e madhe e rënë nga froni ; Louie, një Yankee i fuqishëm me një çehre ngjyrë ulliri që bërtet vazhdimisht si një ujk i çmendur ; Pedro, një indian i vjetër, ndoshta peruan, dëshmitar i heshtur i ligësisë së botës ; Tato, homoseksuali ; Napoleon, xhuxhi ; dhe Castano, një plak i harruar nëntëdhjetëvjeçar që di vetëm të thërrasë : « Dua të vdes ! Dua të vdes ! Dua të vdes ! »

- Ti do të jesh mirë këtu, thotë halla ime. Do të jesh midis Latinove.

Ne vazhdojmë më tej. Z. Curbelo, pronari i shtëpisë, na pret në zyrën e vet. A u neverita menjëherë nga ai ? Nuk di ç’të them. Ishte një tip i shëndoshë i qullët. Mbante rroba sporti qesharake dhe një kasketë të vogël lojtari bejzbolli.

- Pra, ky është ai burri ? pyet ai hallën time duke buzëqeshur.

- Po, ky, përgjigjet ajo.

- Do të jetë mirë këtu, thotë Curbelo, do të jetojë si në familje.

Ai shikon librin që mbaj nën sqetull dhe pyet :

- Të pëlqen të lexosh ?

Halla ime përgjigjet :

- Edhe më mirë bile, është shkrimtar.

- Oh ! thotë Curbelo, duke u shtirur i habitur. E çfarë shkruan ti ?

- Mutërishte, i them unë ngadalë.

- I keni sjellë ilaçet e tij ? pyet atëherë Curbelo.

Halla kërkon në një çantë dore.

- Po, thotë ajo, Melleril. Njëqind miligramë. Katër për çdo ditë.

- Mirë, thotë Z. Curbelo me një pamje të kënaqur. Ju mund ta lini tani. Këndej e tutje, është puna jonë.

Halla më shikon drejt në sy. Më duket se kësaj rradhe, dalloj një shtirje mëshire.

- Ti do të jesh mirë këtu, siguron ajo. Nuk do të bësh asgjë.

 

 

Më quajnë William Figueras. Pesëmbëdhjetë vjeç, kisha lexuar të madhin Proust, Hesse, Joyce, Miller dhe Mann. Ata qenë për mua siç shenjtorët për një të krishterë të devotshëm. Para njëzet vitesh, në Kubë, përfundova një roman. Ishte një histori dashurie ndërmjet një komunisti dhe një borgjeze, që mbyllej me vetëvrasjen e të dyve. Romani nuk u botua kurrë, publiku i gjerë nuk e njohu asnjëherë historinë time të dashurisë. Specialistët letrarë të regjimit thanë që romani im ishte i pistë, pornografik dhe, veç kësaj, i papërgjegjshëm, sepse ai e trajtonte ashpër partinë komuniste. Pas kësaj, unë u çmenda. Fillova të shoh djaj nëpër mure, të dëgjoj sharje nga të gjitha anët, dhe pushova së shkruari. Ajo çka dilte prej meje ishte veçse një shkumë qeni i tërbuar. Një ditë, duke besuar se një ndërrim vendi do të më çlironte nga çmenduria, e lashë Kubën dhe mbërrita në vendin e madh amerikan. Të afërmit që më prisnin këtu nuk dinin asgjë nga jeta ime : pas njëzet vjet ndarje, ata nuk më njihnin më. Ata prisnin të shihnin një fitimtar të ardhshëm, një tregtar të ardhshëm, një playboy të ardhshëm ; një baba familje të ardhshëm që do të kishte një shtëpi të ardhshme plot me fëmijë, që do të shkonte në plazh për fundjavë, që do të ngiste makina të bukura dhe do të vishte rroba të modës së lartë Jean-Marc apo Pierre Cardin. Por ajo çka ata panë atë ditë kur mbërrita në aeroport ishte një tip i çmendur, pothuaj pa dhëmbë, i hequr dhe i trembur, që është dashur ta shtrojnë po atë ditë në një spital psikiatrik ngaqë i shikonte anëtarët e familjes së vet me dyshim dhe, në vend që t’i përqafonte dhe t’i shtrëngonte ata në krahë, ai i shau. E di që kjo qe një goditje e tmerrshme për të gjithë ata. Veçanërisht për hallën time, që përkundej në iluzione. Gjithçka që u paraqit atë ditë, ky isha unë. Një turp. Një njollë e tmerrshme në këtë familje kubaneze borgjezësh të vegjël, me dhëmbë të shëndoshë dhe me thonj të mirëmbajtur, me lëkurë të shndritshme, të veshur me modën e fundit, të stolisur me zinxhirë të trashë ari, pronarë automobilash të markës së fundit që të verbonin sytë, me shtëpi me shumë dhoma, me klimatizatorë dhe kaloriferë, me raft buke të mbushur mirë. Atë ditë (ajo e mbërritjes sime), unë e di që ata shikuan njëri-tjetrin në sy, të turpëruar, që ata bënë disa vërejtje therëse dhe e braktisën aeroportin në timonin e makinave të tyre, me mendjen të ndarë që të mos më shihnin më. Deri ditën e sotme. E vetmja që u mbeti besnike lidhjeve familjare është kjo halla Clotilde, që vendosi të më mbajë dhe ruajë në shtëpi të saj për tre muaj me rradhë. Deri ditën kur, e këshilluar nga pjesëtarët e tjerë të familjes dhe nga disa miq, ajo vendosi të më vendosë në boarding home ; shtëpia e fundërrinave.

- Sepse këtu nuk do të bësh asgjë, do ta shohësh.

E kuptoj.

 

 

Në origjinë, kjo boarding home kishte qenë një shtëpi me gjashtë dhoma. Fillimisht ajo duhej të kishte qenë zënë nga një ndër ato familjet tipike amerikane që ikën nga Miami kur vërshuan Kubanezët e ikur nga komunizmi. Në ditët tona, boarding home përbëhet nga dymbëdhjetë dhomëza të vockla, me dy shtretër secila. Të shtojmë një televizor tejet të vjetër, përjetësisht i prishur, dhe një lloj salle ndenje me njëzet karrike druri që të gjitha të shkatërruara. Ka tre hale ku më e bukura i është ruajtur shefit, Z. Curbelo. Në dy të tjerat, vrimat janë gjithmonë të zëna, sepse disa nga azilantët hedhin aty këmisha të vjetra, çarçafë, perde dhe lecka të tjera që i përdorin për të fshirë menderen. Z. Curbelo nuk sjell letra higjienike. Megjithatë, ai do të duhej ta bënte këtë legalisht. Jashtë ndërtesës gjendet një mencë e mbajtur nga një mulate kubaneze, e mbushur me vargje rruazash dhe rrathësh dore nga ato të fetarëve. Ajo quhet Caridad. Por nuk gatuan. Nëse do të ishte kështu, Z. Curbelo do të duhej t’i jepte tridhjetë dollarë më tepër në javë. Çka Z. Curbelo nuk do ta bëjë kurrë këtë. Aq sa, është vetë Z. Curbelo, me gojën e tij prej borgjezi, që na e bën supën për çdo ditë. Ai gatuan në një mënyrë shumë të thjeshtë : merr një grusht fasulesh të shtypura ose bizelesh dhe i hedh (plluf !) në tenxheren me presion. Nganjëherë, ai shton aty edhe pak pluhur hudhre. Pjesa tjetër, dmth orizi dhe gjella, këto vijnë nga një gjellëtore me emrin Saison ; pronarët, duke e ditur që është për një azil të çmendurish, zgjedhin çka më të keqe në menu dhe e dërgojnë mbarë e mbrapsht në dy tenxhere të mëdha të palara. Ata do të duhej të furnizonin njëzet e tre racione por në fakt hedhin vetëm njëmbëdhjetë. Z. Curbelo mendon se kjo është e mjaftueshme. Askush nuk e ngre zërin. Nëse ndonjëri rrezikon të thotë diçka, Z. Curbelo ia pret, pa e zgjatur : « Nuk të pëlqen ? Eh mirë, po nuk të pëlqen, ik ! » Por… kush do të ikë ? Përjashta, rruga është e vështirë. Edhe për të çmendurit që e kanë trurin në re. Z. Curbelo e di fort mirë këtë dhe përsërit : « Ik, shpejt ! » Por askush nuk ikën. Protestuesi ul sytë, rimerr lugën e tij dhe vihet të gëlltisë në heshtje bizelet e paziera.

Sepse në këtë boarding home askush nuk ka askënd. Plaka Ida ka dy djem në Massachusetts, që as duan t’ia dinë për të. I heshturi Pino është i vetëm, pa lidhjen më të vogël në këtë vend të stërmadh. René dhe Pepe, dy të prapambeturit mendorë, nuk do të mund të jetonin kurrë me familjet e tyre që iu ka ardhur në majë të hundës. Reyes, qorri plak, ka një vajzë në New York e cila nuk e sheh më qysh prej pesëmbëdhjetë vjetësh. Hilda, plaka e sëmurë me cistit, as që nuk e njeh më emrin e familjes së vet. Sa për mua, unë kam një hallë… por « këtu nuk do të bësh asgjë ». Z. Curbelo i di të tëra këto. Madje fort mirë. Ja përse ai është kaq i sigurtë që askush nuk do ta braktisë boarding home dhe që ai do të vazhdojë të marrë çeqet prej treqind e katërmbëdhjetë dollarë që shteti amerikan i derdh secilit prej të çmendurve të strehës së tij. Ka njëzet e tre të çmendur ; shtatë mijë e dyqind e njëzet e dy pesos. Shto tre mijë pesos të tjera që i vijnë nga nuk e di çfarë subvencioni shtesë, bëjnë dhjetë mijë e dyqind e njëzet e dy pesos në muaj. Ja përse Z. Curbelo ka një vilë në Coral Gables, si dhe një stallë kuajsh garash. Ja përse ai i kalon fundjavet e tij me një sport shik, peshkim nënujor. Ja përse fëmijët e tij i kanë fotot e tyre në gazetën lokale për ditëlindje, ja përse ai frekuenton mbrëmje mondane, në kostum dhe kollare. Tani që halla ime ka ikur, vështrimi i Curbelo, i ngrohtë deri tani, më vëzhgon me një shpërfillje të ftohtë.

- Eja, më thotë ai thatë.

Ai më përcjell përgjatë një koridori të ngushtë drejt një dhome, e katërta, ku fle një i çmendur tjetër që gërrhitja e të cilit të kujton kërcëllimën e një sharre elektrike.

- Ky është shtrati yt, thotë ai pa m’i hedhur sytë. Ja dhe peshqiri.

Ai më tregon një peshqir të holluar të mbushur me njolla të verdha.

- Ja rafti dhe sapuni yt.

Ai merr në xhepin e tij një gjysmë sapuni të bardhë dhe ma jep. Ngre dorën për të parë orën, e kupton që është vonë, del nga dhoma dhe mbyll derën pas vetes. Atëherë unë lëshoj valixhen time përtokë, vë televizorin tim të vogël mbi një komodinë, hap dritaren dhe ulem mbi shtratin që më kanë caktuar. Në duar kam përmbledhjen time të poetëve anglezë. E hap kuturu. Bie mbi një poemë të Coleridge :

 

Mallkuar këta djaj që të përndjekin kështu,

Marinar i vjetër, Zoti të ruajtë.

Përsë më shikon ti ashtu ? Me harkun tim

Kam vrarë Albatrosin…

 

Befas, dera hapet. Një individ i fuqishëm, me lëkurë të pistë si uji i një pellgu, hyn brenda. Në dorë ka një kanaçe birrë dhe duke më shikuar me bisht të syrit, e kthen në kokë disa herë me rradhë. Pastaj më pyet :

- Ti je ai, i riu ?

- Po.

- Unë jam Arsenio. Unë jam roja kur Z. Curbelo nuk është këtu.

- Mirë.

Ai shikon valixhen time, librat e mi dhe shikimi i tij ndalet mbi televizorin tim të vogël bardhë e zi.

- Punon ?

- Po.

- Sa e ke blerë ?

- Gjashtëdhjetë pesos.

Ai kthen kanaçen edhe një herë, duke parë në bisht të syrit televizorin tim. Pastaj ai pyet :

- Do të hash darkë ?

- Po.

- Shko pra, është gati.

Ai kthehet prapa dhe del nga dhoma duke vazhduar të pijë të njëjtën kanaçe. Nuk kam uri por duhet të ha. Peshoj vetëm 60 kilogramë dhe jam kaq i dobësuar saqë koka më vjen vërdallë. Në rrugë njerëzit më thërrasin nganjëherë : « Coftinë ! » Hedh përmbledhjen e poetëve anglezë mbi shtrat dhe mbërthej këmishën. Pantallonat më valëviten mbi kryqet e thata. Duhet të ha.

Drejtohem nga menca. […]

 

 

* Kubanezët e vendosur në SHBA-ës thonë zakonisht peso për dollar.