Juan Rulfo është një shkrimtar meksikan lindur në Sayula (ose Apulco, një ndër shtetet më të varfra të Meksikës) më 16 maj 1917 dhe vdekur në Meksiko më 8 janar 1986. Ai ka qenë gjithashtu dhe një fotograf i mirënjohur.
Fëmijërinë e kalon në një jetimore të Guadalaharës. I ati, si dhe mjaft anëtarë të familjes së tij, janë vrarë më 1923, gjatë një kryengritje kundër qeverisë federale. Me qëllim që të ndihmojë familjen, braktis studimet për drejtësi dhe zë një punë arkivisti në ministrinë e Brendshme. Në Meksiko, njihet me mjediset intelektuale dhe fillon të shkruajë. Më 1953, boton një përmbledhje tregimesh dhe novelash nën titullin Llano në flakë. Jo fort i rënë në sy në kohën e botimit, vepra fiton në rrjedhën e kohës një famë ndërkombëtare. Dy vjet më pas, botimi i Pedro Paramo bën që të njihet nga të gjithë shkrimtarët e tjerë, që nga Alejo Carpentier deri tek Gabriel Garcia Marquez. Por çuditërisht, pas këtyre dy librave, ai tërhiqet dalëngadalë nga shkrimi dhe punon për televizionin. Kjo heshtje e tij ka bërë që Juan Rulfo të kthehet në një mit letrar. E përfundon karrierën si drejtor editorial i Institutit Indigjenist të Meksikos, që ishte njëlloj me një Zyrë të çështjeve indiane.
Vdes në Meksiko më 8 janar 1986.
Dy çmime letrare mbajnë emrin e tij : Çmimi Juan Rulfo, dhënë nga Radio France International (RFI), dhe Çmimi i letërsisë latino-amerikane dhe karibeane Juan Rulfo, dhënë gjatë Festës ndërkombëtare të librit në Guadalahara, Meksikë.
Pedro Paramo është një prej romaneve më të mirë të letërsive të gjuhës hispanike, dhe madje të letërsisë.
Jorge Luis Borges.
Merreni, lexojeni për të mësuar.
Alvaro Mutis ndaj të riut Garcia Marquez.
Pedro Paramo është për mua një libër "hajmali". Një lloj sendi magjik, sepse Juan Rulfo ka thënë gjithçka në aq pak faqe. Rrallë jam gjendur përballë një dendësie të tillë.
Tahar Ben Jelloun
Këtu më poshtë, një prej tregimeve të tij më të bukura.
THUAJU ATYRE TE MOS ME VRASIN
« Thuaju atyre të mos më vrasin, Justino ! Shko, shko thuaju. Për mëshirë. Thuaju kështu, po. Që të më kursejnë për mëshirë.
- Nuk mundem. Është një serxhent aty që nuk do të dëgjojë të flitet për ty.
- Po ti bëj si të mundesh që të të dëgjojë. Ti je i shkathtë për këto gjëra, thuaji që edhe kështu kam pasur shumë frikë ! Thuaji që të më kursejë thjesht për mëshirë.
- Nuk bëhet më fjalë për të të futur frikën. Më duket se ata do të të vrasin, njëherë e mirë. Dhe unë nuk dua të kthehem atje.
- Shko, edhe njëherë. Qoftë dhe njëherë, shko shih ç’mund të bësh.
- Jo, nuk kam qejf të shkoj. Flitet se jam djali yt. Dhe po të shkoj t’i shoh si shpesh, ata do ta marrin vesh më në fund kush jam dhe do të më pushkatojnë edhe mua. Më mirë t’i lëmë gjërat kështu siç janë.
- Shko, Justino. Thuaju atyre të kenë pak mëshirë për mua. Kaq thuaju.
Justino i ka shtrënguar dhëmbët dhe pastaj ka tundur kokën duke thënë : « Jo. »
Dhe ai e ka tundur kokën ende një copë herë.
« Thuaji serxhentit të të lerë të takosh kolonelin. Dhe thuaji atij se jam plak tani. Nuk vlej kushedi çfarë. E çfarë do të fitojë ai, po të më vrasë ? Kurrgjë. Por ai duhet ta ketë një shpirt, djalli e mori ! Thuaji që të më kursejë thjesht për të shpëtuar shpirtin e vet. »
Justino është ngritur nga grumbulli i gurëve ku ishte ulur dhe është drejtuar nga dera e rrethimit. Pastaj, është kthyer dhe ka thënë :
« Mirë, po shkoj. Por nëse për dreq do të më pushkatojnë dhe mua bashkë me ty, e kush do të kujdeset për gruan dhe fëmijët e mi ?
- Perëndia, Justino. Ajo do të kujdeset për ta. Kurse ti, shko më mirë atje dhe shiko ç’mund të bësh për mua. Kjo është më e ngutshme tani.
E kishin sjellë aty në të zbardhur të ditës. Dhe tani, ishte mëngjes dhe ai ishte ende aty, i lidhur pas një shtylle, duke pritur. Nuk mund të rrinte një minutë i qetë. Ishte munduar madje të flinte ca për t’u qetësuar, por gjumi e kishte lënë. Edhe uria, gjithashtu. Nuk dëshironte më asgjë. Thjesht të jetonte. Tani që e dinte mirë se do ta vrisnin, atij i kishte ardhur një dëshirë e çuditshme për të jetuar, siç dikujt që sapo është ringjallur.
E kush do të kishte mundur të thotë se kjo çështje aq e vjetër, aq e pështirë, që ai e mendonte tashmë të varrosur, do të rishfaqej përsëri. Kjo çështje për të cilën ai është dashur të vrasë don Lupen. Jo për shkak të kësaj apo asaj, siç kanë dashur të trillojnë banorët e Alimas, por sepse ai kishte arsyet e veta të tij. Atij i kujtohej gjithçka :
Don Lupe Terreros, pronar i Puerta de Piedra, dhe, për të qenë pak më të saktë, nun i njërit prej fëmijëve të tij. Që ai, Juvencio Nava, është dashur ta vrasë pikërisht për shkak të kësaj ; sepse don Lupe ishte pronar i Puerta de Piedra dhe gjithashtu nun i fëmijës së tij, dhe se ai ia kishte ndaluar livadhin për bagëtitë.
Në fillim, s’kishte thënë gjë, thjesht për miqësi. Por pastaj, kur kishte pllakosur thatësira, kur ai kishte parë që bagëtitë e tij të sfilitura nga uria ngordhnin njëra pas tjetrës dhe se don Lupe vazhdonte t’ia ndalonte barin e livadhit të tij, atëherë, ai kishte prishur gardhin dhe kishte përcjellë tufën e bagëtive të dobëta deri në kullotë ku ato ishin mbushur dëng. E kjo, nuk i kishte pëlqyer atij, don Lupes, dhe ai e kishte ndrequr gardhin që Juvencio Nava të shkonte ta prishte përsëri. Aq sa gardhi ndreqej ditën dhe prishej natën, dhe, gjatë kësaj kohe, bagëtia ishte aty, gjithnjë e qepur pas gardhit, në pritje ; bagëtia e tij, që më përpara duhej të mjaftohej me erën e barit por pa mundur ta shijojë.
Don Lupe dhe ai grindeshin dhe grindeshin ende pa u marrë vesh.
Deri ditën kur don Lupe i ka thënë :
« Dëgjo, Juvencio, kafsha e parë që do të hyjë në livadh, do ta vras. »
Dhe ku, ai i është përgjigjur :
« Dëgjoni, don Lupe, nuk është faji im nëse kafshët shkojnë aty ku shohin më mirë. Ato nuk e njohin të keqen. Kështu që, do ta shohim, po qe se m’i vrisni. »
« Dhe ai më ka vrarë një mëzat.
« Kjo ka ndodhur para tridhjetë e pesë vjetësh, në mars, pasiqë në prill vrapoja tashmë në mal për t’i shpëtuar drejtësisë. Dhjetë lopët që ia kam dhënë gjyqtarit, nuk më kanë shërbyer fare, as hipoteka mbi shtëpinë time, gjoja që ai të më nxjerrë nga burgu. Dhe pastaj, ata kanë ndarë mes tyre dhe atë pak gjë që mbetej për të mos më ndjekur, kur nga krahu tjetër më ndiqnin fort mirë. Kjo është arsyeja që kam ardhur të jetoj me tim bir mbi këtë copë tokë që zotëroja në Palo de Venado, siç i thonë. Ndërkohë im bir është rritur, është martuar me nusen e vet, Ignacia, dhe kanë bërë tetë fëmijë. Me një fjalë, kjo çështje është fort e vjetër, dhe, veç për këtë punë, ajo do të duhej të ishte harruar tani. Por ja që nuk e kanë harruar.
« Asokohe, thosha me vete se, me pesëqind pesos, gjithçka mund të ndreqej. I ndjeri don Lupe ishte vetëm, nuk kishte tjetër veç gruan dhe dy fëmijë të vegjël, që ecnin ende këmbadoras. Pastaj vejusha nuk e ka çuar gjatë dhe ka vdekur, nga mërzia, thonë. Dhe të vegjëlit i kanë marrë dhe i kanë çuar diku larg prej këtu, tek ca të afërm. Kështu që, nga ana e tyre, asgjë për t’u frikësuar.
« Por njerëzit kanë nxjerrë shkas që isha ende i paditur dhe madje në arrati, thjesht për të më futur frikën dhe për të vazhduar të më rrjepin. Sa herë që dikush futej në fshat, dikush vinte të më lajmëronte : "Ka ca të huaj këtu rrotull, Juvencio."
« Atëherë, ngjitesha në mal, shkoja të humbisja nëpër shkurre dhe i kaloja ditët duke ngrënë lëpjeta. Nganjëherë duhej të ikja madje në mes të natës, njëlloj sikur të m’i kishin lëshuar qentë nga prapa. Tërë jetën time, kështu ka qenë. Jo një vit apo dy, jo. Tërë jetën. »
Dhe ishte tani që ata vinin ta kërkonin, kur ai nuk priste askënd, duke e ditur mirë se njerëzit harrojnë, tani që ai besonte se mund t’i kalonte i qetë, më në fund, ditët e pleqërisë. « Mirë dhe me kaq, thoshte ai me vete. Do të mund t’i pushoj pak kockat. Do të më lënë të qetë.
Kjo shpresë ishte gjithçka që i kishte mbetur dhe ku ai ishte kapur gjatë këtyre viteve. Dhe është për shkak të kësaj shprese që ai e kishte të vështirë ta pranonte idenë të vdiste kështu, papritur, në këtë orë të jetës së vet, pasi kishte luftuar aq shumë për t’i shpëtuar vdekjes ; pasi e kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës në arrati, nga njëri vend në tjetrin, i përndjekur nga frika, dhe ndërsa nuk i kishin mbetur më veçse kockat nën një lëkurë shollë të regjur nga tërë këto ditë të këqija ku i ishte dashur të fshihej nga të gjithë.
A nuk e kishte humbur, për shkak të kësaj, dhe vetë të shoqen ? Ditën kur i kishin thënë që ajo e kishte lënë, as i kishte shkuar nëpër mend që ta kërkonte. Për të shmangur zbritjen në fshat, ai e kishte lënë të ikë pa kërkuar të dijë as ku dhe as më ke po shkonte. E kishte lënë t’ia mbathë kështu, si gjithë pjesën tjetër, pa bërë asgjë. Tani, e vetmja gjë që i mbetej të mbronte, ishte lëkura e vet. Dhe ai do ta mbronte si të mundej. Nuk duhej ta linte veten për ta vrarë. Nuk duhej. Dhe tani më pak se kurrë.
Por ishte pikërisht për këtë punë që ata e kishin sjellë nga atje, nga Palo de Venado. Ata nuk kishin pasur madje as ta lidhnin që ai t’iu shkonte nga pas. Kishte ecur vetëm, pa pranga të tjera përveç frikës. Ata e kishin kuptuar që ai nuk mund të vraponte, me trupin e tij gërdallë, me këmbët e thata si shkopinj, të mpira nga frika e vdekjes. Sepse ishte aty që ai po shkonte. Drejt vdekjes. Ia kishin thënë troç.
Ai e ka kuptuar përnjëherë. E ka ndjerë atë djegien në fund të stomakut që e mundonte gjithmonë sapo e shihte vdekjen nga pranë dhe angështinë t’i dilte nga sytë, sapo goja e tij mbushej me atë ujin e hidhur që ai duhej ta përcillte pa dëshirë. Ai e ka ndjerë atë gjënë që ia lidhte këmbët ndërsa koka trullosej, dhe që zemra ia çante brinjët duke rrahur me forcë. Jo, ai nuk mund të pajtohej me idenë që ata do ta vrisnin.
Duhej të kishte një shpresë. Diku, duhej të mbetej pak shpresë. Ndoshta ishin gabuar. Ndoshta kërkonin një tjetër Juvencio Nava dhe jo Juvencio Navën që ai ishte.
Ai kishte ecur ndërmjet këtyre njerëzve në heshtje, krahët të ngjitur pas trupit. Dita në të gdhirë ishte e errët, pa yje. Era frynte butësisht, merrte me vete dheun e ngarkuar me atë erën e shurrës që e mban pluhuri i udhëve, dhe e sillte gjithnjë e më tepër.
Sytë e tij, që ishin fryrë me kalimin e viteve, shihnin të vinte drejt tij tokën, aty, nën këmbët e tij, megjithëse errësirë. Kjo tokë, ishte tërë jeta e tij. Gjashtëdhjetë vjet, ai kishte jetuar aty, mbi të, duke e marrë në duar, duke e shijuar siç shijojmë mishin.
Gjatë tërë kësaj udhe të gjatë, ai nuk kishte bërë tjetër veçse gllabëruar me sy, shijuar çdo plis të saj njëlloj sikur të ishte i fundit, pothuaj i sigurtë që do të ishte i fundit.
Pastaj ai kishte vështruar njerëzit që ecnin pranë tij njëlloj sikur të donte t’iu thoshte diçka. Donte t’iu thoshte që ta lëshonin, ta linin të ikte : « Djema, nuk i kam bërë keq askujt », këtë matej t’ua thoshte, por ai heshte. « Do t’ua them pak më tej », mendonte ai. Dhe mjaftohej t’i vështronte. Madje do të kishte mundur t’i mendonte sikur të ishin miq të tij, por nuk e dëshironte këtë. Nuk ishin miq. Nuk i njihte. I vështronte tek ecnin përbri tij dhe tek kthenin kokën anash herë pas here për të parë ku i shpinte udha.
Për herë të parë, ai i kishte parë rreth mbrëmjes, në muzg, në atë orën pa ngjyrë ku gjithçka duket gri. I kishin kaluar hullitë duke shkelur mbi filizat e njomë të misrit. Kjo ishte arsyeja që ai kishte shkuar t’iu dilte përpara : për t’iu thënë që misri rritet mezi. Por ata nuk ishin ndalur.
Megjithatë, ai i kishte parë në kohë. E kishte pasur gjithmonë këtë fat : i shquante nga larg. Do të kishte mundur të fshihej, të ecte ca orë në mal në pritje që të iknin, dhe pastaj do të kishte zbritur. Sepse tekefundit, misër, nuk do të kishte. Ishte koha e shirave dhe ato nuk vinin, e kështu misri kishte filluar të thahej. Nuk do të vononte shumë dhe gjithçka do të ishte bërë shkrumb.
Aq mirë sa nuk i kishte shërbyer për asgjë që të zbriste ; që të ishte hedhur kështu në gojë të ujkut, pa mundur të dalë më që andej.
Dhe tani, ai ecte me ta dhe me atë dëshirën për t’iu thënë që ta linin të ikte. Nuk i shihte fytyrat e tyre ; shihte vetëm trupat e tyre që afroheshin dhe shmangeshin nga ai. Eshtë kështu që, kur ka zënë të flasë, ai nuk e ka ditur nëse e kishin dëgjuar apo jo.
Ka thënë : « Nuk i kam bërë keq askujt. » Por kjo ska ndryshuar asgjë. Asnjë prej trupave nuk është dukur ta dëgjojë. Madje as që e kanë vështruar. Nuk kanë lëvizur fare, a thua flinin në këmbë.
Atëherë, atij i është dukur që nuk kishte më ç’të thoshte dhe se shpresa duhej kërkuar diku gjetkë. E ka lënë edhe njëherë. Ka mbërritur në shtëpitë e para të fshatit në mesin e këtyre katër burrave të mbuluar nga tërë errësira e natës.
« Kolonel, ja ai burri. »
Ata ishin ndalur mbi pragun e derës. Ai, kapelen në dorë, në shenjë respekti, priste të shihte dikë duke dalë. Por gjithçka që ka dalë, ishte një zë, që ka pyetur :
« Cili burrë ?
- Ai i Palo de Venado, kolonel. Ai që ju na keni dërguar ta kërkojmë.
- Pyete nëse ka jetuar ndonjë ditë në Alima, ka thënë përsëri zëri që vinte nga brenda.
- Hej, ti ! Ke banuar në Alima ? ka përsëritur serxhenti që gjendej përpara tij.
- Po. Thuaji kolonelit se jam nga atje. Dhe se jetoja ende atje ska shumë kohë.
- Pyete nëse e njihte Guadalupe Terreros.
- Ai pyet nëse e ke njohur Guadalupe Terreros.
- Don Lupe ? Po. Thuaji se e njihja. Ka vdekur. »
Atëherë, zëri që dilte nga brenda ka ndryshuar tonin :
« E di që ka vdekur », ka thënë ai.
Dhe zëri ka vazhduar, a thua se i drejtohej dikujt, atje, nga krahu tjetër i murit prej balte :
« Guadalape Terreros, ishte im atë. Kur jam rritur dhe jam nisur ta kërkoj, më kanë thënë se ka vdekur. Është ca e vështirë të rritesh kur e dimë mirë se nuk mund të qepemi pas rrënjëve tona. Dhe kështu ka ndodhur me ne.
« Pastaj, kam mësuar se e kishin vrarë me hanxhar, dhe se më pas ia kishin ngulur një kunj në bark. Më kanë treguar se kishte ecur plot dy ditë qorrazi dhe se, kur e kanë gjetur të shtrirë në një përrua, ende duke dhënë shpirt, ka kërkuar që të kujdesen për familjen e tij.
« Këto gjëra, ca kujtojnë se me kalimin e kohës mund të harrohen. Përpiqemi t’i harrojmë. Por të zbulosh që ai i cili e ka bërë këtë është ende gjallë dhe që e ushqen shpirtin e tij të njollosur me iluzionin e jetës së përjetshme, kjo, nuk harrohet. Për këtë njeri, nuk ka falje, edhe pse nuk e njoh ; por që ai të ketë ardhur të vihet aty ku e di tani se është, kjo më bind mirë që duhet mbaruar me të. Nuk mund t’ia fal që të jetë ende gjallë. Madje nuk do të duhej të kishte lindur kurrë. »
Nga këtu, përjashtë, është dëgjuar mirë çka thënë ai. Pastaj, ka urdhëruar :
« Merreni dhe lëreni të lidhur për një copë kohë, që të vuajë. Dhe pastaj, pushkatojeni !
- Më shikoni, kolonel ! është lutur ai. Nuk jam më për asgjë. Nuk do të vonoj të vdes, i vetëm, i rrënuar nga pleqëria. Mos më vrisni !...
- Merreni ! ka përsëritur zëri, brenda.
- … E kam paguar tashmë borxhin tim, kolonel. E kam paguar shumëfish. Më kanë marrë gjithçka. Më kanë ndëshkuar siç kanë mundur. Kam kaluar afro dyzet vjet i fshehur si një zgjebe, gjithmonë me frikën mos vritem nga çasti në çast. Nuk e meritoj të vdes kështu, kolonel. Më lini të largohem, që të paktën të më falë Zoti. Mos më vrisni ! Thuaju të mos më vrasin ! »
Ai ishte aty, njëlloj sikur ta kishin rrahur, duke përplasur përdhe kapelen e tij. Duke u çirrur.
Pastaj zëri, brenda, ka thënë :
« Lidheni dhe jepini të pijë derisa të jetë i dehur që plumbat të mos i dhembin. »
Tani, më në fund, ai ishte qetësuar. Ai ishte aty, i shembur në këmbë të shtyllës. I biri Justino kishte ardhur dhe i biri Justino kishte ikur, pastaj ishte rikthyer dhe, tani, ai rikthehej për herë të fundit.
Ai e ka hedhur në shpinë të gomarit. E ka lidhur duke i shtrënguar mirë rripat që të mos binte rrugës. Ia ka futur kokën në një thes që të mos dukej shëmtuar. Dhe pastaj, i ka dhënë një thupër të mirë gomarit dhe janë nisur me të shpejtë për të mbërritur sa më herët në Palo de Venado me qëllim organizimin e varrimit.
« Resë tënde dhe nipave të tu do t’iu vijë keq për ty, thoshte ai. Do të ta shikojnë fytyrën dhe do të mendojnë se nuk je ti. Do të mendojnë se të ka copëtuar një fajkua, kur ta shohin kokën tënde të shpuar nga tërë ato plumba që të kanë dhënë. »