PERKTHIME

Tė ēosh autorin tek lexuesi, tė sjellėsh lexuesin tek autori.

Jerôme David SALINGER (1919)

 

 

Jerôme David Salinger është një shkrimtar amerikan, lindur më 1 janar 1919 në New York. Mbahet si një nga novelistët më të mëdhenj të Amerikës. Romani i tij Kapësi në thekër (The catcher in the rye) është kthyer në një roman kult për të gjithë adoleshentët që hyjnë në rini (më poshtë do të gjeni një pjesë nga ky roman). Salinger njihet gjithashtu për jetën e tij të veçuar. Nuk ka bërë asnjë shfaqje publike, nuk ka dhënë asnjë intervistë dhe nuk ka botuar asnjë shkrim që prej dyzet vjetësh. Thuhet se ai ka shkruar sidoqoftë gjatë gjithë kësaj periudhe, por se çfarë, kjo nuk dihet. Merret vesh vëmendja që do t’iu kushtohet botimeve të ardhshme, nëse ka.

Shkurtimisht disa gjëra mbi jetën e tij. Lindur në New York më 1919 nga një baba çifut dhe një nënë katolike irlandeze (megjithëse ai ka besuar, deri në fund të adoleshencës, që edhe ajo ishte çifute).

I ati, Sol, importonte mish. Adoleshent, Salinger niset për në Poloni për të mbikqyrur ndërmarrjen familjare të origjinës. Por shpejt neveritet dhe kjo e çon të largohet nga i ati, të cilit, me t’u bërë madhor, nuk i drejtohet më.

Hyn në akademinë ushtarake Valley Forge në Pennsylvanie, që do t’i shërbejë si model për kolegjin Pencey Prep në Kapësi në thekër. Gjatë viteve të tij në Ursinus College, një nga profesorët e tij ka thënë për Salinger që ai ishte « studenti më i keq i anglishtes në historinë e kolegjit ». Pasi ka dështuar në shkolla të ndryshme, Salinger ndjek kurse shkrimi në universitetin e Columbia më 1939. Aty, profesori i tij Whit Burnett pikas talentin e Salinger dhe e ndihmon të botojë novelën e parë The Young Folks, që flet për ca të rinj egoistë dhe pa qëllime.

Shërben në ushtri gjatë Luftës së Dytë botërorë nga 1942-1945 dhe merr pjesë me divizionin e 4-ët të këmbësorisë US në luftimet më të ashpra të mbarë luftës. Kjo përvojë e turbullon mendërisht dhe shtrohet në spital për një stres post-traumatik. Më pas, ai fillon të botojë një pas një novelat e tij. Novela Një ditë e ëndërruar për peshkun-banane është përshendetur nga kritika si një nga novelat më popullore të botuara nga gazeta New Yorker.

Romani Kapësi në thekër botohet më 1951. Suksesi është i menjëhershëm. Ndonëse Salinger nuk ka pohuar gjë, mund të mendohet që disa gjëra në këtë libër janë autobiografike. Romani tregon për një karakter të ndërlikuar të Holden Caulfield, një djalosh 17-vjeçar që kërkon më kot të hyjë në lidhje me qeniet e hasura në qytetin e madh. Romani tregon përvojën e një adoleshenti në krizë të plotë.

Më pas, ai boton dhe romanin Franny dhe Zooey dhe dy përmbledhje novelash.

 

Fillon tani periudha e veçimit. Ikën nga New York dhe vendoset në New Hampshire. Atje, ai shoqërohet ende, sidomos me liceistë, por një bisedë e dhënë për gazetën e liceut botohet në gazetën lokale. Atëherë ai ndjehet i tradhtuar nga kjo dhe tani del gjithnjë e më rrallë. Botimi i tij i fundit i përket qershorit 1965. Dhe pastaj, asgjë më. Më 1978, Newsweek tregon që gjatë një mbrëmje të shtruar për nder të njërit prej miqve të tij të ushtrisë, Salinger deklaron se ka shkruar një roman të gjatë që zhvillohet gjatë Luftës së Dytë botërore, por deri më tani, asgjë.

Salinger del shumë rrallë në publik. « Eshtë bindja ime, mjaft e kundërshtuar, që një shkrimtar duhet të ndjekë prirjen e tij nëse ai dëshiron të rrijë në hije dhe në anonimat », shkruan ai. Kur mëson që Ian Hamilton dëshiron të botojë një biografi të tij duke përfshirë aty dhe letrat që Salinger iu ka dërguar miqve të vet, atëherë ai e hedh në gjyq. Mirëpo e humbet pjesërisht. Libri botohet por letrat dalin të cunguara. Gjykata vendos që letra, edhe pse e dërguar nga ai, tashmë është pronë e marrësit dhe jo e dërguesit.

Salinger nuk ka pranuar kurrë që ndonjëri prej shkrimeve të tij të përdoret në kinema. Ka qenë lutur dhe nga regjizori i njohur botëror Elia Kazan për romanin Kapësi në thekër, por nuk ka pranuar.

 

Më 2000, e bija e tij Margaret Ann Salinger, që ai e ka pasur gjatë martesës së dytë me Claire Douglas, boton Kapësi i ëndrrave (Dream Catcher : A Memoir). Në këtë libër, ajo pretendon që babai i saj pinte urinën e vet, fliste përçart, kishte fare pak marrëdhënie seksuale me bashkëshorten (të ëmën e saj), dhe e mbante peng atë duke mos e lënë të takohej me miqtë dhe të afërmit e vet. Salinger nuk bëri asgjë për ta penguar daljen e librit, por nuk i foli më së bijës.

Salinger është dhe i ati i Matt Salinger, i njohur sidomos për rolin e tij në filmin Captain America. Matt shkon mirë me të atin por nuk dëshiron të komentojë mbi jetën e tij.

Më 1972, lidhja ndërmjet Salinger dhe Joyce Maynard, një vajzë e re 18 vjeçe, bëhet burim thashethemesh kur ajo ofron në ankand letrat personale të Salinger që ia kishte dërguar asaj. Informaticieni Peter Norton i blen letrat për një shumë prej 156 000 $ dhe thotë se e ka bërë këtë për t’ia kthyer përsëri të zotit.

Më 2002, më shumë se 80 letra shkrimtarësh, kritikësh dhe fansash të drejtuara ndaj Salinger janë botuar në librin Letra ndaj J.D. Salinger, të Chris Cubica.

Gjithashtu, grupi rock francez Indochine ka një këngë të titulluar "Lule për Salinger".

Në filmin Në kërkim të Forrester (Finding Forrester, 2001) të Gus Van Sant, personazhi i William Forrester, luajtur nga Sean Connery, shkrimtar i vjetër i vetmuar dhe i vrazhdë, që është tërhequr nga bota pasi ka botuar një kryevepër të vetme, është frymëzuar fortësisht nga figura e J.D. Salinger.

 

 

 

 

 

Nëse doni vërtetë që t’ju them diçka, atëherë me siguri që gjëja e parë që do të më kërkoni është se ku jam lindur, dhe si ka qenë ajo fëmijëria ime e dhjerë, dhe çfarë bënin prindërit e mi para se të më kishin, dhe kësilloj budalliqesh alla David Copperfield, por s’kam qejf t’jua tregoj dhe pikë. Së pari, këto lloj gjërash më lodhin kokën dhe së dyti, prindërit e mi do të kishin secili nga një goditje në zemër, ose dhe dy secili, po të filloja të llomotisja në kurriz të tyre diçka më vetjake. Ah, për këtë punë ata janë fort të aftë, sidomos im atë. Përndryshe do të ishin pak a shumë të këndshëm e hajt më – mirë, dakort – por ja që iu kërcen kandari përnjëherë. E pastaj, nuk do të rri këtu t’ju shpalos autobiografinë time të plotë. Dua thjesht t’ju tregoj diçka të çmendur që më ka ndodhur vitin e kaluar afër Krishtlindjeve, para se të jem rraskapitur keq fare dhe të jem detyruar të vij këtu për të ardhur njëçikë në vete. As dhe D.B., nuk i kam thënë më tepër, e megjithatë është vëllai im dhe kështu. Është në Hollywood. Nuk është fort larg kësaj barake të pjerdhur dhe vjen të shohë gati çdo të diel. Është ai që do të më çojë në shtëpi kur të kem dalë nga këtu, ndoshta muajin tjetër. Tani ai ka një Jaguar. Një nga mrekullitë e vogla angleze që shkojnë me treqind në orë. Dhe që me siguri nuk i ka kushtuar më pak se tre topa. Ka para miku. Luan puna tani. Më përpara, kur ishte në shtëpi, s’ishte asgjë tjetër veçse një shkrimtar i vërtetë. Ka shkruar ca novela, pastaj dhe atë librin e tmerrshëm Jeta e fshehur e peshkut të kuq, po nuk e patët marrë vesh. Historia më e mirë, pikërisht, ishte Jeta e fshehur e peshkut të kuq, ku bëhej fjalë për një djalë të vogël që nuk donte të linte askënd për t’ia parë peshkun e kuq sepse e kishte blerë vetëm fare, me paratë e veta. Kjo më ka shkatërruar. Tani D.B. është në Hollywood, prostituohet. Nëse ka diçka që nuk e duroj dot, kjo është kinemaja. Mos bëni gabim të më flisni për të.

Aty ku dua t’ia filloj është dita e parë para se të braktisja Pencey Prep. Pencey Prep është ai kolegji, në Agerstown, Pennsylvanie, duhet ta njihni. Sido që të jetë, me siguri që i keni parë afishet e reklamave. Ka të tilla në nja njëmijë dyqane dhe gjithmonë tregon një tip super mbi një kalë racë e pastër që kapërcen një pengesë. A thua se vetëm kjo punë bëhej në Pencey, lojë polo. Por unë as që kam parë ndonjëherë një kalë aty rrotull. Dhe poshtë fotos së tipit me kalë ka të shkruar gjithmonë : « Që nga 1888, ne punojmë për të farkëtuar të rinj të shkëlqyeshëm me mendje të hapur. » Po, po, futja kot ! Sa farkëtojnë në ndonjë shkollë tjetër, aq dhe në Pencey. Dhe nuk kam njohur kurrë dikë që të jetë i shkëlqyer, mendjehapur e kështu. Ndoshta vetëm dy djem. Por prapë. Ka gjasë që ata të kenë qenë kështu para se të vinin këtu.

Mirë. Jemi pra të shtunën e ndeshjes së futbollit kundër Saxon Hall. Ndeshja kundër Saxon Hall mbahej si diçka e rëndësisë së parë si ndeshja e fundit e vitit dhe e kishim lënë që të vrisnim veten, ose diçka e tillë, nëse kolegji ynë i dashur do të rrihej. Më kujtohet që rreth orës tre, atë pasdite të qelbur, kisha vajtur të kacavirresha në lartësi të Thomsen Hill, pikërisht mënjanë topit të vjetër të kalbur që kishte bërë luftën e Pavarësisë dhe kështu. Që këndej shihej i tërë terreni dhe dy ekipet që kacafyteshin në të gjitha kahet. Tribuna nuk shihej dhe aq mirë por të paktën mund të dëgjoheshin ulërimat ; nga krahu Pencey një zhurmë e stërmadhe dhe e tmerrshme sepse, pothuaj tërë shkolla kishte ardhur aty përveç meje, dhe nga krahu Saxon Hill asgjë tjetër veçse një zhurmë e dobët dhe azmatike, sepse ekipi vizitor nuk e kishte zakon të ngjiste pas vetes turma tifozësh.

Në futboll, vajzat ishin të rralla. Vetëm Seniorët kishin të drejtë të sillnin me vete. S’ke ç’thua, Pencey është një cep i qelbur. Kurse mua më pëlqen të jem diku ku të paktën mund të shohim dy apo tre vajza, edhe pse ato nuk bëjnë gjë tjetër veçse kruajnë krahët dhe fshijnë hundët ose thjesht qeshin pa shkak. Një çikë, Selma, Selma Thurmer – e bija e drejtorit –, ajo vinte shpesh në ndeshje, por s’është ndonjë gjë sa për të të ndezur gjakun. Një vajzë e mirë, shkurt. Një herë, në autobusin e Agerstown, jam ulur bri saj dhe kemi filluar siç thuhet të bisedojmë. Më pëlqen kjo vajzë. Ajo ka një hundë të madhe dhe thonjtë e brejtur deri në gjak dhe nuk e di me se i mbush sutjenat se vetëm ato të nxjerrin sytë ; gati-gati për të të ardhur keq për të. Por ajo çka më shkonte për së mbari ishte që ajo nuk e përmendte fare babain e vet. Me gjasë ajo e dinte mirë që në të vërtetë ai ishte një katundar i mjerë.

Nëse gjendesha në lartësi të Thomsen Hill, në vend që të isha poshtë duke shikuar ndeshjen, kjo është për arsyen se sapo isha kthyer nga New York me ekipin e shpatimit. Dhe drejtuesi shkërdhatë i ekipit, eh mirë, jam unë. Mos më flisni më tej. Në mëngjes kishim vajtur në New York për ndeshjen me kolegjin McBurney. Por nuk kishte pasur, ndeshje ; kisha harruar pajimet, shpatat dhe të tëra në metro. Por nuk ishte krejt faji im. Isha gjithmonë në këmbë për të shikuar hartën ku duhej të zbrisnim. Pra jemi kthyer në Pencey rreth orës dy e gjysëm atëherë kur duhej të ktheheshim vetëm në darkë. Dhe gjatë gjithë udhëtimit të kthimit, shokët e tjerë të ekipit më kanë ndenjur me turinj. Në njëfarë kuptimi, ishte pak a shumë për të qeshur.

Arsyeja tjetër që kisha për të mos qenë në ndeshje është që do të shkoja t’i thosha mirupafshim atit Spencer, profesorit tim të historisë. Ai ishte me grip dhe me të tëra, kështu që mendoja se nuk do të shiheshim para fillimit të pushimeve për Krishtlindje. Por ai më kishte shkruar dy fjalë për të më kërkuar të shkoja tek ai para se të nisesha. E dinte që nuk do të rikthehesha në Pencey.

Kam harruar t’ju them se më kishin përjashtuar. Nuk duhej të rikthehesha pas pushimeve të Krishtlindjes për arsyen se e kisha qelbur në katër lëndë, dhe për mungesën e zellit e kështu me rradhë. Më kishin paralajmëruar shpesh – në veçanti çdo gjysmë-trimestri, kur prindërit e mi vinin të takonin atin Thurmer – që ishte koha tani, që duhej të ulja kokën në mësime, por nuk ua vija veshin. Kështu që më kanë flakur jashtë. Në Pencey të përzënë shpesh. Pencey ka një emër të qelbur për punë studimesh. Pa shaka.

Shkurt. Ishim në dhjetor domethënë, një ditë përnjëmend e ftohtë, të thaheshe në vend, sidomos atje në majë të asaj kodrine të dhier. Kisha vetëm xhakoventon dhe as doreza as hiç. Një javë më parë, dikush më kishte vjedhur pallton me qime deveje. Në dhomë. Me dorezat e rrasura në xhepa. Pencey është i mbushur me horra. Ka plot tipa që vijnë nga familje të kamura por prapë, horrat janë gjithandej. Sa më shtrenjtë kushton një shkollë, aq më hajdutë ka. E kam pa shaka ore. Mirë, isha pra atje lart afër asaj grykës së topit, duke parë ndeshjen dhe duke ftohur prapanicën. Vetëm se ndeshja s’më interesonte dhe aq. Çka më interesonte, ishte më tepër t’i mbushja mendjen vetes që po iu lija lamtumirën. Ka pasur kolegje të tjera, qoshe të tjera, kur i kam braktisur nuk e kam ndjerë aq shumë. E urrej këtë. Lamtumira, mirë, dakort që ajo është e trishtë ose jo fort e arrirë, por të paktën dua ta di që po iki. Përndryshe, është edhe më keq.

Kam pasur fat. Befas kam menduar diçka që më ka ndihmuar vërtetë të ndjej që po iki. Jam kujtuar papritur për atë herën, rreth tetorit, kur Robert Tichener dhe unë dhe Paul Campbell bënim pasa me top përpara ndërtesës së profesorëve. Të këndshëm, çunat, sidomos Tichener. Ishte pikërisht para darkës dhe nata po binte por ne vazhdonim që vazhdonim. Po bëhej gjithnjë e më terr dhe gati nuk e shihnim topin por ne s’donim të ndalonim. Më në fund kemi qenë të detyruar. Ai profi, Z. Zambesi, që jep biologji, ka nxjerrë kokën në dritare dhe na ka thënë të hyjmë në fjetore dhe të bëhemi gati për darkën. Mirë, nëse filloj të mendoj gjëra të tilla, mund ta përgatis një lamtumirë kur të kem nevojë – të paktën shumicën e kohës mundem ; kështu që kësaj here, me të pasur lamtumirën, ia kam kthyer shpinën fushës së futbollit dhe e kam zbritur kodrinën me vrap, nga krahu tjetër, drejt shtëpisë së at Spencerit. Ai nuk banonte në campus. Banonte në Anthony Wayne Avenue.

Kam vrapuar tërë rrugës deri tek rrethimi dhe aty jam ndalur një copë herë për të marrë frymë mirë. Më merret fryma shpejt, nëse doni ta dini. E para e punës ngaqë tymos tepër – eh, të themi që tymosja tepër, sepse tani ma kanë ndaluar. Kështu i kam kapur ato B.K. dhe më kanë dërguar këtu për ato kontrolle të dhiera e radio e gjithçka. Por mbahem mirë, prapëseprapë, ta dini.

Mirë. Pasi e kam rregulluar frymëmarrjen, kam kapërcyer rrugën 204. Ishte ngrirë aq shumë sa desh e kam kapur lepurin. As vetë nuk e di përse vrapoja – kisha qejf të vrapoja, ma merr mendja. Me të kaluar rrugën, më ka dhënë një përshtypje të çuditshme, a thua se isha duke u zhdukur. Ishte një nga ato pasditet vërtetë të çmendura, me një të ftohtë të tmerrshëm pa diell pa asgjë, që ju japin gjithmonë përshtypjen që sa herë që kalojmë një rrugë, jemi duke u zhdukur.

Po, kur kam mbërritur tek at Spencer, kam shtypur shpejt e shpejt zilen e derës. Isha ngrirë akull. Veshët më dhimbnin dhe nuk mund t’i lëvizja gishtat. Dhe gati flisja me zë « Shpejt, shpejt, hapeni këtë derë ». Më në fund e ka hapur Zj. Spencer. Spencerët nuk kanë as shërbëtorë as hiç ; janë gjithmonë ata që vijnë ta hapin. Nuk janë pasanikë.

Zj. Spencer ka thënë « Holden ! » Ç’befasi e bukur ! Hyni, vogëlushi im, duhet të jeni ngrirë ». Ajo dukej vërtetë e kënaqur që më shihte. Më donte shumë. Më duket.

Po, nuk kam bërë shumë naze për t’u futur në të ngrohtë. Kam thënë « Si ia shpini, Zj. Spencer ? Si shkon Z. Spencer ? ».

Ajo ka thënë « Ma jepni xhakoventon ». Nuk më kishte dëgjuar që e pyesja si shkonte Z. Spencer. Është pak shurdhane.

Ajo e ka varur xhakoventon në raftin e hollit dhe unë kam kaluar dorën mbi flokë. Më e shpeshta, flokët i pres shkurt, kështu që nuk kam aq nevojë për t’i krehur. Kam përsëritur « Mirë ia shpini, Zj. Spencer ? ». Por edhe më fort, që kësaj here të më dëgjonte.

« Unë jam mirë, Holden. » Ka mbyllur derën e raftit. « Po ju, vogëlushi im, si jeni ? » Nga mënyra si e shtronte pyetjen, e kam ditur përnjëherë që at Spenceri i kishte thënë që më kishin përjashtuar.

Kam thënë « Shumë mirë. Po Z. Spencer, mirë ? I kaloi gripi apo jo ? ».

« I kaloi ? Holden, ai sillet si një… nuk e di çfarë… i përkryer. Eshtë në dhomën e vet. Mund të hyni. » […]