Jeta e Ivan Turgeniev është e mbushur përplot me ngjarje letrare. Këtu do të mjaftohem thjesht me disa data që, për mendimin tim, flasin shumë.
Turgeniev është lindur më 1818, në një familje të vjetër aristokratike. Midis stërgjyshërve të tij mund të përmendim Pjetër Turgeniev, një hero i djegur nga Dimitri I sepse më 1604, ai kishte refuzuar ta njihte si car, si dhe Jakob Turgeniev, gaztor i Pjetrit I. Të tre fëmijët jetojnë tek e ëma, dhe atje mëson të gjuajë. Natyra do të luajë një rol të madh në romanet e Turgeniev. Merr mësime nga mësues privatë rusë dhe të huaj. Mëson shkëlqyeshëm frëngjishten, gjermanishten, anglishten, greqishten dhe latinishten. Me një shërbëtor, fillon të shkruajë poemat e para. Mjaft shpejt, ai e kupton padrejtësinë dhe mosrespektimin e të drejtave të njeriut, çka kjo do të jetë dhe lufta e tij deri në fund të jetës.
Më 1827, vendoset në Moskë. Përgatitet dy vjet për të hyrë në universitet. Regjistrohet në universitetin e letërsisë në Moskë, 1833. Më 1834, shkon në universitetin e filozofisë në Shën-Petersburg. Më 1835 takon Gogolin që është profesor historie. Mbaron studimet më 1836.
Më 1837, takon Pushkinin, përkthen mjaft poezi të tij me Mérimée dhe Flaubert. Më 1843, bëhet funksionar dhe takon Belinskin, kritiku i parë rus. Belinski është një rus përparimtar, me ndikim të madh dhe që e do atdheun dhe lirinë. Është gjithashtu një idealist. Turgeniev vë në skenë Etër dhe bij që ia dedikon kujtimit të Belinskit. Më vonë, Turgeniev do të kërkojë të varroset pranë Belinskit.
Më 1845, Turgeniev takon Dostojevskin, i rikthyer nga Siberia. Nga 1847 në 1850, Turgeniev vendoset në Francë, dhe jeton në një kështjellë pranë Parisit, tek Gounot, përkthyes i Faustit. Takohesh shpesh me Flaubert dhe George Sand. Po atë vit, Nikolla I kërkon rikthimin e Rusëve të çatdhesuar. Turgeniev lë Francën dhe bllokohet në Rusi gjatë luftës së Krimesë. Merr të bijën dhe e dërgon tek Pauline Viardot (e dashura e tij deri në fund të jetës) në Francë. Kjo e fundit e rrit si vajzën e vet.
Po atë vit, në Rusi përvijohen dy rryma : sllavofilët, që refuzojnë çdo lloj ndikimi të jashtëm dhe janë tejet të lidhur me zakonet ruse ; dhe perëndimorët, që janë për kozmopolitizmin.
Më 1852, boton Kujtime të një gjuetari. Kjo vepër i shpëton censurës, megjithëse flet për jetën e fshatarëve rusë. Më vonë, Turgeniev bën një muaj burg, por vazhdon të shkruajë kundër bujkrobërisë. Atëherë dënohet me arrest shtëpiak. Më 1853, Pauline Viardot kthehet në Rusi. Turgeniev merr atëherë një pasaportë fallco, niset për Moskë me qëllim që ta shohë dhe t’i japë dorëshkrimet për t’i botuar në Francë. Nga fundi i vitit 1855, takohet me djaloshin Tolstoi i cili është asokohe oficer, të cilit i thotë që nuk do të duhej të luftojë por të shkruajë.
Më 1857, kthehet përsëri në Paris. Takon Mérimée, shkruan parathënien e Etër dhe bij dhe të Tym dhe përkthen disa tregime. Takon Dumas dhe niset për Londër. Krijon Fondin Letrar në fund të viteve 1850. Më 1860, shkruan Dashuri e parë. Turgeniev ndan tokat e veta me fshatarët, bëhet anëtar i akademisë së shkencave. Më 9 shkurt 1861, hiqet bujkrobëria. Turgeniev boton Etër dhe bij, çka kjo mund të përfaqësojë kalimin nga Rusia e vjetër në Rusinë e re. Takon Flaubert, dhe lidh një miqësi të fortë me të. Më vonë, ai do të mbledhë para për një monument në kujtim të Flaubert.
Në vitet 1860, ai boton shumë në Francë dhe fare pak në Rusi. Sllavofilët kanë fituar kundër përkrahësve të Perëndimit. Në vitet 1870, jeton në Paris, tek Viardot. Takon Zola, Daudet dhe Goncourt. Nga fundi i viteve 1870, fillon të ndërtojë një Daça në rrethinat e Parisit. Më 1879, merr titullin doktor në Oxford. I sëmurë rëndë në fillim të viteve 1880, operohet në Paris.
Vdes më 3 shtator 1883, dhe varroset në Shën-Petersburg, në këmbë të Belinskit.
Dy pika të vogla :
- Libri i tij më i njohur është Etër dhe bij, ku ai i kundërvihet nihilizmit duke krijuar heroin pozitiv.
- Dostojevski do ta karikaturojë në personazhin Karmazinov të Të Xhindosurit.
MJAFT !
(copëza nga Ditari i një piktori të vdekur)
KAPITULLI 1
………..
KAPITULLI 2
………..
KAPITULLI 3
"Mjaft !" i thosha vetes, duke iu ngjitur me mundim shpatit të një mali të thepisur i cili ngrihej nga brigjet e një lumi të qetë. "Mjaft !" i përsërisja vetes, duke thithur erën e rrëshirës së një tufe bredhash, me aromë të theksuar në freskinë e muzgut… "Mjaft !" vazhdova përsëri duke u ulur mbi një tume të myshqët me lumin përposhtë, sytë të ngulur mbi valët përtace dhe të errëta nga ku nxirrnin krye kallamishtet e blerta… Mjaft, mjaft u trazove, mjaft u ende : është koha të vish në vete, ta marrësh kokën ndër duar, dhe ta urdhërosh zemrën të mos rrahë më.
Mjafton ta lësh veten të dehesh nga përkëdhelja e ndijimeve të turbullta dhe robëruese, të ndjekësh çdo formë të re të së Bukurës, të përpiqesh të kapësh drithërimën nga flatrat e saj të fuqishme dhe të holla… Kam shijuar gjithçka…, kam jetuar të gjitha ndijimet… Jam i lodhur…
E çfarë më bën mua dielli që ngrihet, që në çdo çast pushton hapësira të reja të qiellit dhe përflaket si një pasion fitimtar ? E çfarë më bën bilbili, që fshihet në një kaçube të larë nga vesa, dy hapa larg meje, në heshtje, në paqe dhe në bukurinë e mbrëmjes, dhe më zbulon praninë e tij përmes një kënge magjike ? Duke e dëgjuar, mund të besonim që nuk ka pasur bilbil kurrë më parë dhe se ai është i pari që këndon këngën e parë të dashurisë së parë… E megjithatë, të gjitha këto gjëra kanë ekzistuar dhe janë përsëritur mijëra herë… Kur mendoj se do të jetë kështu deri në fund të shekujve, që ka një rregull të patundshëm, një ligj, eh mirë, hidhërimi më mbyt. Po, po, hidhërimi !
KAPITULLI 4
Ah ! sa jam mplakur ! Dikur, asgjë e tillë nuk do të më kishte ardhur në mendje… Thashë : dikur, këtu kuptoni ditët e lumtura ku merrja flakë si dielli dhe këndoja si bilbili.
Hajt, duhet pohuar : gjithçka është kthyer kaq e zbehtë përreth meje dhe jeta nuk ka më ngjyrë. Dhe madje, vetë drita që ndriçon gjithçka dhe i jep forcë dhe domethënie, drita që rrezaton nga zemra e njeriut, kjo dritë është fikur brenda meje… Thënë të vërtetën, jo plotësisht : ajo është në përgjim, e dremitur, pa shkëlqim, pa ngrohtësi.
Njëherë, në Moskë, i jam afruar dritares me hekura të një kishëze të vjetëruar dhe jam mbështetur përkundër saj : Bënte terr, nën kupolat e ulta një llampëz e harruar ndriçonte dobësisht me dritën e saj të kuqërremtë përballë një ikone të vjetër. Mezi shquheshin buzët e fytyrës së shenjtë, buzë të rrepta, të dhimbshme : një errësirë e zbehtë mbretëronte rreth e përqark, gati për të mbytur nën gjysmëhijen e saj ndriçimin e dobët të dritës së kotë… Tani, zemra ime është si kjo dritë, si këto terre…
KAPITULLI 5
I shkruaj këto rreshta për ty, e vetmja, e paharrueshmja mikeshë e imja, për ty që të kam braktisur dhe që do të të dua deri në fund të ditëve të mia… Ti e di, mjerisht ! çfarë na ka ndarë… Të mos flasim sot për këtë, mirë ?... Të kam braktisur, por këtu, i mërguar në këtë shkretëtirë, kaq larg gjithçkaje, jam përplot me ty, gjithmonë nën hirin tënd, dhe e ndjej si dikur peshën e butë të dorës tënde që ulet mbi kokën time të anuar !
Për herë të fundit, ngrihem jashtë varrit të heshtur ku jam shtrirë dhe hedh një vështrim të mallëngjyer mbi tërë të kaluarën time, mbi tërë të kaluarën tonë… Asnjë shpresë, asnjë rikthim, por dhe asnjë mëri. Asnjë keqardhje, dhe kujtimi, i tillë si një hyjni e vdekur, ngjitet lart, më rrezatues se kaltërsia e qiellit, më i pastër se bora e parë e majave…
Kujtimet e mia nuk shtyhen në rrëmujë, por kalojnë ngadalë, njëri pas tjetrit, si silueta të mbështjella në të bardha të vashave e reja athinase që ne i kemi admiruar aq shumë – të kujtohet ? – mbi basorelievet e Vatikanit.
KAPITULLI 6
Të kam folur për dritën që rrezaton përreth zemrës njerëzore dhe ndriçon gjithçka. Dhe do të doja të të kujtoj kohën e bekuar kur kjo dritë digjej në zemrën time. Dëgjo… dhe do të të mendoj të ulur këtu përballë meje, duke më vështruar me sytë e tu të butë, aq të vëmendshëm saqë duken pothuaj të egër. O vështrim i paharrueshëm ! Mbi kë, mbi çfarë shtrohesh ti tani ? Kush pra të pret në shpirtin e vet, ty që dukesh sikur del nga thellësi të panjohura, i ngjashëm me ato burime, të mistershëm si ti, njëherësh të zezë dhe të kthjelltë, që marrin lindje nga thellësia e grykave të ngushta, nën kupolën e shkëmbinjve… Dëgjo, e dashura ime…
KAPITULLI 7
Kjo ndodhte nga fundi i marsit, pak ditë përpara Shpalljes, pak pas takimit tonë. Pa dyshuar ende mbi atë çka do të bëheshe për mua, unë të mbaja tashmë në zemrën time, në fshehtësi… Ndodhi që m’u desh të kapërcej një nga lumenjtë më të mëdhenj të Rusisë. Akulli nuk lëvizte ende, por ishte si i fryrë dhe i nxirë, shkrinte që prej tre ditësh. Bora shkrinte gjithandej, uji vërshonte nga të gjitha anët pa zhurmë dhe njëtrajtësisht, një erë e heshtur endej në qiellin e lagësht. E njëjta dritë e qumësht ndriçonte tokën dhe qiellin, as mjegull as qartësi : asnjë kontur nuk shquhej mbi bardhësinë e njëllojtë të thellësisë, gjithçka më dukej e afërt, por e turbullt. E kisha lënë karrocën time larg prapa dhe ecja me hapa të shpejtë mbi akull, pa dëgjuar asgjë, ecja ashtu jashtë zhurmës së mbytur të hapave të mi, i depërtuar nga përkëdheljet e para, aromat e parakohshme të pranverës… Një torturë e gëzuar dhe e pashpjegueshme ngrinte peshë tërë qenien time, zhvillohej, rritej në çdo hap, në çdo lëvizje… Ajo më merrte me vete, më shtynte, dhe vrulli i saj ishte kaq i fuqishëm saqë më në fund u ndala, i habitur, dhe hodha një vështrim kureshtar përreth meje, siç për të kërkuar një shkak të jashtëm për dehjen time… Gjithçka ishte heshtje, bardhësi, mpirje… Duke ngritur sytë në qiell, pashë një tufë zogjsh kalimtarë… "Pranverë ! Një përshendetje për ty ! thirra fort… Përshendetje, jetë, dashuri, lumturi !" Dhe, në atë çast, fytyra jote u ndriçua me dhunën dhe hirin e një kaktusi që çel… Fytyra jote ia behu dhe qëndroi aty, e bukur dhe me një qartësi mahnitëse… Atëherë, kam kuptuar që të doja… Ty, vetëm ty, asgjë tjetër veç ty…
KAPITULLI 8
Mendoj për ty…, të tjera kujtime, të tjera pamje ia behin përpara meje, dhe ngado je ti, mbi të gjitha udhët e jetës sime, je ti ajo që takoj. Nganjëherë, shoh një kopsht të vjetër rus të shtrirë mbi pjerrësinë e një kodrine, të ndriçuar nga rrezet e fundit të diellit perëndues të verës. Prapa plepave të argjendtë duket çatia prej druri e një shtëpize fshati me fjollën e hollë të tymit të përskuqur që ngjitet nga një oxhak i bardhë. Dera e gardhit është e ndërhapur, si e shtyrë nga një dorë nguruese, dhe unë rri aty, pres, vështroj këtë gardh, admiroj dheun e rrugicës së kopshtit, mallëngjehem, të gjitha ndijimet e mia më duken të jashtëzakonshme, të reja, gjithçka duket e zhytur në një lloj misteri të butë dhe të shndritshëm, më duket sikur dëgjoj zhurmën e një hapi të shpejtë, qëndroj aty, i lehtë si një zog që sapo ka mbyllur flatrat por që është gati të lëshohet përsëri, zemra më digjet, zemra më drithërohet nga frika dhe gëzimi përballë lumturisë kaq të afërt, përballë lumturisë që fluturon drejt meje.
KAPITULLI 9
Nganjëherë gjithashtu, shoh një katedrale të vjetër, në një vend të largët dhe të bukur. Besimtarët e rreshtuar nxitojnë të bien në gjunjë. Kupolat, të larta dhe të zhveshura, kolonat e stërmëdha që ngjiten duke u zgjeruar fryjnë një të ftohtë të ashpër, të përshtatshëm për lutjen, shpërndajnë një përshtypje varrimi dhe trishtimi. Ti je aty, përkrah meje, e heshtur, e plogësht, njëlloj sikur të ishe e huaj për mua, çdo palë e tunikës tënde qëndron e palëvizshme, e gdhendur, pasqyrimet e ngatërruara të qelqeve shumëngjyrëshe prehen të palëvizshme përpara këmbëve të tua mbi kalldrëmet e ngrëna. Dhe ja tek, duke shkundur me forcë ajrin e errësuar nga temjanët, dhe duke na shkundur dhe vetë neve, si një dallgë e rëndë, nis kënga e orgës. Ti zbehesh, ngre trupin, vështrimi yt më ledhaton, rrëshqet mbi mua për t’u ngritur më lart, drejt qiellit, dhe mua më duket se vetëm shpirti i pavdekshëm mund të vështrojë kështu dhe me këta sy të tillë…
KAPITULLI 10
Dhe përsëri nganjëherë, shoh një pamje tjetër. Nuk është më një tempull i vjetër që na shtyp me madhështinë e tij hijerëndë, por janë muret e ulta të një dhome të vogël të qetë ku ne jemi veçuar mënjanë botës. E ç’them dhe unë ! ne jemi vetëm, vetëm në univers : asgjë e gjallë përveç nesh jashtë këtyre mureve dashamirëse, jashtë ka vetëm terret e vdekjes, të hiçit. Nuk është era që ulëret, as shiu litar që godet në dritare : është Kaosi që rënkon dhe qan, janë sytë e tij të verbër që derdhin lotë. Por tek ne gjithçka është e qetë, plot dritë, e ngrohtë, mikpritëse : diçka zbavitëse, naive si një fëmijë, fluturon përreth nesh, si një flutur, a nuk të duket kështu ? Ne jemi përkundër njëri-tjetrit, kokat tona preken, ne lexojmë të dy një libër të bukur : ndjej një damar të vogël që të rreh në tëmtha, të dëgjoj duke jetuar, ti më dëgjon duke jetuar, buzëqeshja jote lind mbi gojën time para se të lindë në tënden, ti përgjigjesh pa fjalë ndaj pyetjes sime të heshtur, mendimet e tua janë të miat si dy flatra të të njëjtit zog të humbur në kaltërsinë e qiellit… Muret e fundit kanë rënë dhe dashuria jonë është kaq e qetë, kaq e thellë saqë asgjë nuk na ndan, saqë madje nuk provojmë as nevojën të shkëmbejmë një fjalë, një vështrim… Ne dëshirojmë thjesht të marrim frymë bashkë, të jetojmë bashkë, të jemi bashkë…, madje dhe pa e kuptuar që jemi bashkë…
KAPITULLI 11
Ose dhe përfytyroj atë mëngjes të kthjelltë shtatori ku ne kemi shëtitur në kopshtin e shkretuar, por ende të lulëzuar, të një kështjelle të braktisur, mbi brigjet e një lumi të madh të huaj, nën dritën e butë të një qielli pa re.
E si ta shpreh tërë çka ndjeja atëherë ?... Ai lumë që rridhte si një pafundësi, ajo vetmi, ajo qetësi, ai gëzim, ai lloj trishtimi dehës, ajo atmosferë lumturie, ai qytet i panjohur dhe i njëtrajtshëm, klithmat e korbave të vjeshtës në drurët e lartë, ato vështrime të shkëmbyera, të gjata, të buta dhe depërtuese, ajo bukuri brenda nesh, përreth nesh, nga të gjitha anët, e tërë kjo është më e madhe sesa fjala njerëzore… Dhe atë stol ku ne jemi ulur në heshtje, kokën të anuar nga emocioni, do ta kujtoj deri në orën e fundit. Përreth nesh, gjithçka ishte si e magjepsur : kalimtarët e rrallë, me përshendetjen e tyre të shkurtër dhe fytyrën e sjellshme, varkat e mëdha që rrëshqisnin butësisht në rrjedhën e ujit (kishte një kalë në njërën prej tyre – të kujtohet ? – dhe ai vështronte, ëndërrues, ujin që pasqyronte nën hundët e tij), belbëzitjen fëminore të valëve të vockla, qentë që lehnin nga larg, e deri tek oficeri barkmadh që iu gërthiste ushtarëve të vet faqekuqë, të gjorët djem që bënin stërvitje fare pranë nesh, krahët të hapur dhe këmbët e shtrira, si pelikanë. Që të dy e ndjenim se nuk kishte pasur asgjë dhe nuk do të kishte asgjë më sublime sesa këto çaste… Por mjaft me krahasime ! Mjaft ! Mjaft !... Mjerisht ! po, mjaft !... [...]