Miguel de Unamuno, lindur më 1864 në Bilbao, është një poet, romancier, dramaturg, kritik letrar dhe filozof spanjoll.
Ai bën pjesë midis shkrimtarëve më të mëdhenj të Spanjës së epokës së tij, e që përfaqësues i së cilës ai është, në kuptimin që ai është një njeri pasionesh të kundërta, ashtu siç ishte dhe vetë Spanja e tij. I fliste mjaft mirë të dyja gjuhët, basken dhe spanjollen.
Më 1888, në moshën 24 vjeç, bën kërkesë për postin e profesorit të gjuhës baske në Bilbao. Por, duke u gjetur në garë me Sabino Arana (23 vjeç), themelues i partisë nacionaliste demokratike baske, dhe me Resurreccion Maria Azkue (24 vjeç), i cili do të bëhet president i Akademisë së gjuhës baske më 1919, Unamuno nuk e fiton postin. Niset pastaj për në Salamanka, dhe ndërmjet 1891 dhe 1901, bëhet profesor i greqishtes në universitetin e Salamankës.
Më 1897, kalon një krizë fetare të shkaktuar nga një sëmundje zemre, e që gjurmë të së cilës gjenden në Ditar intim. Humbja e Kubës i shfaqet si simboli i rënies së Spanjës dhe bëhet pikënisja e Brezit 98, lëvizje shkrimtarësh të cilët morën për mision ripërtëritjen kulturore të popullit të tyre.
Nisur nga 1900, zë vendin e rektorit të universitetit të Salamankës, por shkarkohet më 1914 për shkak të armiqësisë së tij ndaj monarkisë. Artikujt e tij të ashpër e detyrojnë të shtegtojë në ishujt Canarie më 1924. Rrëzimi i Primo de Rivera bën që të kthehet gjashtë vjet më pas, më 1930. Kthehet në postin e tij të rektorit pas shpalljes së Republikës. I zgjedhur deputet, fillon një luftim të fundit kundër çdo pushteti diktatorial gjatë një ceremonie të madhe frankiste, ku dhe mban një diskutim të famshëm (që do të keni kënaqësinë ta lexoni më poshtë).
Vdes në banesën e vet, ku ishte dënuar të mos dilte jashtë, ndërsa në fillim e kishte pritur krahëhapur grushtin e shtetit të Frankos.
Më poshtë, diskutimi i tij (i papërgatitur) në universitetin e Salamankës, më 12 tetor 1936, « Dita e Racës », në prani të bashkëshortes së Frankos dhe të disa gjeneralëve dhe ministrave.

Gjendeshin aty Doktor Pla y Deniel, peshkop i Salamankës, dhe gjeneral Millan Astray, themelues i Legjionit të Huaj, që asokohe ishte një këshilltar fort i dëgjuar i Frankos, megjithëse jo me titull zyrtar. Njërin sy të lidhur, me një krah, gishtat të prerë, të gjitha këto e bënin heroin e çastit ; kurse karrikja e presidencës ishte e zënë nga Unamuno, rektor i Universitetit. Kjo mbledhje mbahej në më pak se njëqind metra larg zyrave qendrore të Frankos, vendosur pak kohë më parë në pallatin episkopal të Salamankës, ftuar nga klerikët. Ceremonia e hapjes u pasua nga diskutimi (…). Në fund të amfiteatrit, dikush hodhi moton e Legjionit të Huaj : Viva la Muerte ! Atëherë, Millan Astray lëshoi fjalën e tij të zakonshme, për të nxitur popullacën : "Spanja !". Njëfarë numri vetësh iu përgjigjën : "Një !". Ai, përsëri : "Spanja !". "E Madhe !" ia pritën në kor. Por kur Millan Astray lëshoi thirrjen e tij të fundit "Spanja !", rojet e tij trupore ulëritën "E Lirë !". Ca falangistë në këmisha blu bënë përshëndetjen fashiste përballë portretit të Frankos, varur përsipër katedrës. Të gjithë sytë ishin ndalur tani mbi Unamuno, i cili, dihej kjo nga të gjithë, e urrente Millan Astray’n, dhe që u ngrit për të mbajtur fjalën e mbylljes. Dhe foli :
« Ju të gjithë prisni çka do t’ju them. Ju më njihni, ju e dini se nuk mund të rri në heshtje. Në shtatëdhjetë e tre vjet jetë, nuk kam mësuar ta bëj. Dhe nuk dua ta mësoj sot. Të heshtësh, kjo është nganjëherë të gënjesh, sepse heshtja mund të shikohet si një miratim. Nuk do të mund t’i mbijetoja ndarjes midis fjalës sime dhe ndërgjegjes sime që kanë shkuar gjithmonë mirë bashkë.
Do t’i bie shkurt. E vërteta është edhe më e vërtetë kur ajo shfaqet pa zbukurime dhe pa stërhollime të kota. Dëshiroj t’i bëj një koment diskutimit, për t’i dhënë një emër, të gjeneralit Millan Astray, i pranishëm midis nesh. Le ta lëmë mënjanë fyerjen personale të një shpërthimi sharjesh kundër baskëve dhe katalanëve. Jam lindur në Bilbao në mesin e bombardimeve të luftës së dytë karliste. Më vonë, jam martuar me këtë qytet të Salamankës, aq të dashur për mua, pa e harruar kurrë vendlindjen time. Peshkopi (Unamuno bën me shenjë drejt priftit që dridhet i ulur pranë tij), do apo s’do, është katalan, lindur në Barcelonë.
Është folur për luftë ndërkombëtare në mbrojtje të qytetërimit të krishterë, më ka ndodhur dikur të shprehem kështu. Por jo, lufta jonë nuk është tjetër veç një luftë e paqytetëruar. Të mundësh dikë nuk do të thotë ta bindësh, dhe këtu bëhet fjalë për të bindur ; mirëpo, urrejtja që nuk i lëshon vendin dhembshurisë është e paaftë të bindë… Eshtë folur gjithashtu për baskët dhe katalanët duke i trajtuar si anti-Spanjë ; eh mirë, ata munden po aq të thonë të njëjtën gjë dhe për ne. Dhe ja imzot peshkopi, një katalan, për t’ju mësuar doktrinën e krishterë që ju nuk doni ta njihni, dhe unë, një Bask, e kam kaluar jetën time duke ju mësuar spanjishten që ju nuk e dini.
(Ndërprerjet e para, « Viva la muerte ! », etj.)
Sapo dëgjova një thirrje nekrofile « Rroftë vdekja », e cila tingëllon në veshët e mi si « Vdekje jeta ! » Dhe unë që e kam kaluar jetën time duke farkëtuar paradokse të cilat bezdisnin ata që nuk i kuptonin, më duhet t’ju them me tërë autoritetin që gëzoj në këtë çështje se unë e quaj të neveritshëm këtë paradoks qesharak. Dhe meqë kjo thirrje i drejtohej oratorit të fundit me dëshirën për ta nderuar, dua të besoj që ky paradoks ishte për të, sigurisht në një mënyrë të tërthortë, duke dëshmuar kështu që ai vetë është një simbol i Vdekjes.
Edhe diçka tjetër. Gjeneral Millan Astray është një invalid. E kotë të ulet zëri për ta thënë. Një invalid lufte. Cervantès gjithashtu. Por skajet nuk do të mund të përbënin normën. Ka sot gjithnjë e më tepër sakatë, mjerisht, dhe do të ketë gjithnjë e më shumë nëse Zoti nuk na vjen në ndihmë. Vuaj nga ideja që gjeneral Millan Astray të mund të diktojë normat e një psikologjie të masave. Një invalid pa lartësinë shpirtërore të Cervantès i cili ishte një njeri, jo një mbinjeri, burrëror dhe i plotë, megjithë gjymtimet e tij, një invalid po thosha, pa lartësi shpirtërore, provon lehtësim kur sheh të shtohet përreth tij numri i të gjymtuarëve. Gjeneral Millan Astray nuk bën pjesë në mendjet e ndriçuara, megjithë jopopullaritetin e tij, ose ndoshta, për shkak të këtij jopopullariteti. Gjeneral Millan Astray do të donte të krijojë një Spanjë të re – një krijim negativ, padyshim – e cila do të ishte sipas imazhit të tij. Ja përse ai e do Spanjën të gjymtuar, ashtu siç ai e jep të kuptohet në mënyrë të pavetëdijshme.
Në këto fjalë, Millan Astray nuk mundi më : "Vdekje intelektualëve, viva la muerte !". Një brohoritës e siguroi mbi mbështetjen e falangistëve (…). "Poshtë intelektualët hipokritë ! Tradhtarë !", shpërtheu José Maria Perman (…). Unamuno vazhdoi :
Ky universitet është tempulli i inteligjencës dhe unë jam prifti i tij i madh. Ju përdhosni hapësirën e tij të shenjtë. Pavarësisht ç’thotë proverba, kam qenë gjithmonë profet në vendin tim. Ju do të fitoni por nuk do të bindni. Do të fitoni sepse ju zotëroni një tepri force të egër, por ju nuk do të bindni sepse të bindësh nënkupton t’i mbushësh mendjen. Dhe për t’i mbushur mendjen, do të duhej të keni atë çka ju mungon : arsyen dhe të drejtën në luftimin tuaj. Më duket e kotë t’ju nxis për të menduar për Spanjën. Kaq kisha.
Pati një heshtje të gjatë. Përreth tribunës, ca legjionarë kërcënues filluan të ngushtohen rreth Millan Astray. Roja e tij trupore uli pushkën drejt Unamuno. Atëherë, e shoqja e Frankos, Dona Carmen, erdhi përpara Unamuno dhe Millan Astray, dhe e luti rektorin t’i jepte krahun, çka dhe ai bëri, dhe së bashku, u tërhoqën ngadalë. Kjo duhej të ishte fjala e tij e fundit publike. Këshilli i Universitetit "kërkoi" dhe mori shkarkimin e tij nga rektorati. Vdes ditën e fundit të vitit 1936, nga trishtimi dhe pikëllimi.